Shkëlqen me Realin, Benzema lihet sërish jashtë kombëtares franceze

“Gjelat” e Francës do të luajnë tre takime në qershor, një për eliminatoret europiane të Botërorit 2018, e dy të tjera miqësore. Më 2 qershor përballë do të jetë Paraguaji, një javë më vonë luhet ndaj Suedisë, e më 13 qershor pritet Anglia.

Në lojtarët e thirrur për këto takime mungon përsëri emri i Karim Benzema-së, sulmuesit të Realit, që ka spikatur së fundi me paraqitjet e tij, veçanërisht në gjysmëfinalen e Champions League-s ndaj Atletikos së Madridit.

I lënë prej kohësh jashtë përfaqësueses, Benzema e kas shprehur tërë pakënaqësinë në një intervistë për të përditshmen sportive franceze L’Equipe, ku ankohet për shpjegimin e munguar nga Deschamps, trajneri i francezëve, për këtë mosprani në listën e lojtarëve.

“Nëse [Deschamps] më sheh në sy dhe më thotë se nuk më thërret për arsye sportive, do të vazhdoj të punoj fort. Nëse është për një arsye tjetër, duhet të ma thotë këtë përballë, dhe gjithçka do të mbyllet mes nesh,” është reagimi i tij.

Nga ana e tij, Didier Deschamps e mbron vendimin me arsyetimin se synimi është ruajtja e harmonisë së skuadrës përfaqësuese.

“Jam unë ai që vendos, dhe [vendimi im] mbështetet në faktorë sportivë.”

Kur Benzema u la jashtë përfaqësueses franceze vitin e shkuar, në Euro 2016, ai e akuzoi Deschamps-in se i ishte nënshtruar presionit të racistëve.

“Ky është pa dyshim një nga zhgënjimet më të mëdha që kam patur,” deklaronte sulmuesi i Realit një vit më parë.

Për Benzema-në nuk ka ndryshuar asgjë… /tesheshi.com/