SHËNIM/ Zjarret në Shqipëri: ca digjen, ca ngrohin duart!

Nga Edmond Arizaj

Jam vetëm unë i verbër dhe moskuptues, apo një pjesë e mirë shqiptarësh po kënaqen nga zjarret që kanë përfshirë vendin? Nuk kam vënë hiç thonjëza, sepse tamam po kënaqen.

Kanë zgjatur duart e po ngrohen në zjarrin që na bie të gjithëve. Por për ta, mjafton që mund të akuzohet Edi Rama dhe për pjesën tjetër e marrtë zjarri, uji e tërmeti bashkë.

Nuk pashë ndonjë prej kritizerëve me lopatë në dorë, as me ndonjë kovë ujë, madje as me ndonjë fjali që të mbështeste ata djem e vajza që po asfiksohen në përpjekje për të mbajtur zjarret në kontroll. Fajtorë? Ky vend ka aq fajtorë sa nuk mjaftojnë edhe burgjet e Italisë e Greqisë për t’i mbajtur.

Por pyjet shqiptare, mjedisi shqiptar, njerëzit nuk kanë asnjë faj. Politikë me zjarret dhe me përmbytjet kemi parë sa jemi velur, por bashkëpunimi ka egzistuar vetëm për përfitime të dyanshme.

A nuk është e mundur në këto kohë të zjarrta te hidhet pak ujë? A nuk është e mundur që secili të bëjë thirrje për ta ruajtur pronën tonën, aq pak sa na ka mbetur e që s’na e keni rrëmbyer së bashku ende? Unë e shoh të neveritshme gjithë këtë përndezje anti-Ramë, kur vendi digjet flakë prej ditësh, a thua se Rama ka bllokuar rreshjet e shiut.

Në fakt është një tregues se sa thellë janë të gatshëm disa prej nesh ta shohin të keqen, veç për një përfitim. Sigurisht Rama nuk ka bërë ndryshe. Ndoshta jo me zjarret, por me ujërat apo të tjera fatkeqësi. Ne jemi një popull për të qarë hallin. Edhe në të vetmin rast, kur presim që ata, të zgjedhurit tanë të jenë bashkë, pra në raste fatkeqësish, ata rrinë e bëjnë duele facebooku si gjimnazistë në afsh.

E pas tyre edhe mbështetësit e të gjitha llojeve. Një amalgamë kënetore, që vjen erë më keq se pyjet e djegur në çdo cep të Shqipërisë. Turp! /tesheshi.com/