728 x 90 Leaderboard

SHËNIM: Nëse debati mbi Teatrin Kombëtar kalon nga Arena Kombëtare

Imagjnoni për një çast futbollistët e Kombëtares shqiptare që nuk pranojnë të luajnë në “Arena”-n e re me pretendimin se kompleksi është ndërtuar me PPP. Ata mund ta bëjnë këtë vetëm nëse standartet e fushës e çdo kompenent tjetër që ka të bëjë me lojën, duke nisur që nga dhomat e zhveshjes me çfarë kanë brenda e deri te ndriçimi, kanë mangësi të theksuara. Sa i përket së kaluarës, pjesës identitare, faktit se aty kanë luajtur yje diku, e se u janë bërë gola ekipeve me famë, mund të shkaktojë njëfarë keqardhje, gatuar me nostalgji, por vetëm kaq. Ata janë aty për të luajtur.

Është i nevojshëm marrja e këtij shembulli për të kuptar se ka ca tejkalime në arsyetimet e grupimit të artistëve që janë kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Siç është vënë re, ata, godinën ekzistuese e shenjtërojnë; e nga ana tjetër, për të renë shfaqin kundërshti për mënyrën e financimit. Të madhin Ndrenika e shqetëson PPP-ja. Por me një logjikë të ftohtë, sa ndikon skema e financimit në jetën artistike të trupës teatrore, apo cilësinë e intepretimit të vetë Ndrenikës? Sigurisht që nuk ka asnjë lidhje logjike.

Ndrenika e të tjerë kanë të drejtën e Zotit që të interesohen, a shohin me kritikë, çdo element që ka lidhje të drejtëpërdrejtë me produktin artistik te e reja dhe këtu mbaron roli i tyre.

Edhe shenjtërimi i godinës ekzistuese nuk është i përligjur, gjersa ajo është një adoptim i një godine me tjetër funksion fillestar. Debat do ishte nëse në të renë, a do mund të realizohej një hapësirë muzeale me të gjithë historinë teatrore në vite, përfshirë dhe godinën ku është shkruar ajo. Që do të thotë pra, që jeta artistike në hapësirën e re, të shoqërohej dhe me praninë fizike të së djeshmes së artë, nëpërmjet një hapësire muzeale aktive.

Në parim, fakti që ata janë artistë të mëdhenj, pra të zotë në profilin e tyre profesionist, nuk i bën domosdoshmërisht të aftë dhe për gjykime në drejtime të tjera. Sepse, po të vërehet me ftohtësi, i gjithë debati mbi teatrin ka një paradoks sa i përket godinës, shfaqur tek arsyetimet e komunitetit artistik, ku dominojnë më shumë emocionet se sa logjika e ftohtë. Ndërkohë që ndër vite kërkohet një i ri, paralel shenjtërohet i vjetri. Por nëse i vjetri na qenka i shenjtë, përse qenka nevoja një të ri? I riu, kërkesa për të, vjen natyrshëm si përfundim i kohës së një të vjetri.

Ditë më parë, i ftuar në një televizion, Bujar Asqeriu, një ndër kundërshtarët e flaktë të prishjes së të vjetrit, nisi të kumtonte arritjet në karrierën e tij duke numëruar rolet në teatër dhe kinema. E bënte këtë me aq afsh, sa ndokush i painformuar mbi arsyet se pse ishte ftuar aty, do kujtonte se i gjithë debati është mbi numrin e roleve të tij si aktor, nëse janë mbi apo nën 100. Ishin përjetime emotive plot eufori që nuk lidheshin asgjëkundi me arsyen e ftohtë të ekzistencës apo mosekzistencës së godinës së teatrit. Pra, është një debat ku ngatërrohet godina, teatri, rolet dhe profesioni. Dhe në këtë mishmash, vështirë të ndahet se kush ka e kush nuk ka të drejtë, ku palët, si për ironi, vijnë nga bota e artit: disa aktorë dhe një piktor!

 

 

 

Related posts