SHENIM/ Drama e vërtetë: ta shohësh apokalipsin te mosvajtja në Botëror!

Nga Bujar M.Hoxha

“Italia, ky është apokalips. Jemi jashtë Botërorit!”

Aty pranë mesnatës së 13 nëntorit, ky ishte titulli mbizotërues në median sportive italiane e më gjerë. Përfaqësuesja italiane kishte dështuar nëplay-off. Pas pak muajsh, në nisje të verës së 2018-s, në Rusi nuk do të shkojë Italia, por Suedia!

Dëshpërim i thellë, lot, deklarata prekëse, fërshëllima në “San Siro”… Një barazim pa gola ndaj suedezëve e ka kthyer mbrëmjen në tragjike. Pas gjashtëdhjetë vitesh, që nga 1958-ta e largët, Italia do të mungojë në Kupën e Botës!

Megjithatë, edhe pse të eliminuar, italianët nuk ndalen në mendjemadhësi: “Në Rusi shkon një Suedi e vogël”. E vogël? Pse?

Mund ta përjetosh si të duash, por nuk bëhet fjalë assesi për një apokalips. Eshtë thjesht një eliminim, apo, ndryshe, gjysma e mollës që kur u vendos që në Botëror të shkohej kështu, me një fazë kualifikuese.

Pra, në ndeshje të tilla, përqindja është e barabartë në mund të kualifikohesh apo të eliminohesh: pesëdhjetë me pesëdhjetë!

Ky është një ndër trillet e futbollit. Suedezët fituan në ndeshjen e parë falë një devijimi të topit nga kundërshtari, e në të dytën për italianët nuk qe e thënë që të shënonin. Ndryshe ndodhte me Francën në 2009-n, nëplay-off-in për Botërorin e një viti më pas. Prekja e famshme e topit me dorë nga Thierry Henry mundësoi një gol të turpshëm ndaj Irlandës që i shpëtoi “gjelat” francezë nga turpi i eliminimit.

Po kaq eurocentrik është dhe ky dreq futbolli, sa askush nuk u kujtua të vajtojë mbetjen këtë herë jashtë Botërorit dhe të Kilit, dy herë fitues në mënyrë të njëpasnjëshme i Kupës së Amerikës, në 2015-n dhe në 2016-n.

Kaq në planin sportiv: në futboll mund të fitosh, por dhe mund të humbasësh! Italia këtë herë humbi, asgjë më shumë!

Tani, ta quash këtë apokalips, është tejet e tepruar. Drama këtu qëndron, kur një humbje në futboll shihet si apokalips. Njerëzia po humbet dita-ditës gjëra shumë më të shtrenjta për mirëqenien e saj shpirtërore, aq sa nuk ia vlen ta marrësh në konsideratë një eliminim, qoftë dhe të Italisë. Apokalipsi është gjetiu, jo te eliminimi i italianëve.

Një ndeshje futbolli mbetet e tillë, një ndeshje futbolli…, pa apokalips! /tesheshi.com/