Shefja e BE-së: S’e heqim Demarkacionin si kusht për vizat, duhet të miratohet

Shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka theksuar qëndrimin lidhur me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, duke u shprehur se miratimi i kësaj marrëveshjeje mbetet ende kusht për liberalizimin e vizave.

“Nuk ka mundësi që BE t´a ndërrojë mendimin për demarkimin, ai duhet të plotësohet”, ka thënë Apostolova, në takimin e zhvilluar të enjten me përfaqësuesit e PDK-së në Kuvend, në vazhdën e takimeve me grupet parlamentare.

Më pas ajo ka shprehur keqardhje që kjo çështje është politizuar kaq shumë, duke shtuar se askush nuk e ka pritur një vonesë të tillë nga Kosova.

Ndryshe, për çështjen e Demarkacionit nuk po heqë dorë as kryeministri Haradinaj. Ai ka ngulur këmbë që kufiri është shënjuar keq me këtë marrëveshje, e për këtë ai ka emëruar një komision të ri. Ky komision ka bërë të ditur që me raport do të dalë tek në vitin tjetër. /tesheshi.com/