728 x 90 Leaderboard

SHBA, Turqia dhe aleatët: Rusia të ndalë sulmet ajrore ndaj opozitës së moderuar siriane

Shtetet e Bashkuara, Turqia dhe një grup aleatësh arabë e perëndimorë apeluan Rusinë të ndalë menjëherë sulmet ajrore mbi forcat opozitare dhe civilët në Siri.

 

“Shprehim shqetësimin më të thellë në lidhje me praninë e shtuar ruse në Siri dhe sidomos për sulmet e forcës ajrore të Rusisë në Hama, Homs dhe Idlib, të cilat kanë shkaktuar viktima civile dhe nuk kanë pasur për shënjestër ISIS-in”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të këtyre shteteve.

 

“Këto veprime ushtarake përbëjnë një përshkallëzim të mëtejshëm dhe do të nxisin më tej ekstremizmin dhe radikalizimin”, vijon deklarata.

 

Deklarata e përbashkët vjen nga një grup shtetesh ku përfshihet Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Katari dhe Arabia Saudite, të gjitha pjesë e koalicionit që drejtohet nga amerikanët e që ka ndërmarrë sulme ajrore kundër ISIS. Apeli vjen menjëherë pas sulmeve ajrore ruse në Siri.

 

Njoftimeve për sulme ajrore ndaj pozicioneve të opozitës së moderuar siriane, u janë shtuar edhe ato nga grupe lokale.

 

Edhe Shtëpia e Bardhë tha se ushtria ruse ka ndërmarrë sulme kundër opozitës siriane. “Sulme të tilla janë të rrezikshme për Rusinë”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest. /tesheshi.com/

Related posts