SHBA tërhiqet nga UNESKO: vendimi me argument “hebraik” që ka edhe prapavijë ekonomike

Shtetet e Bashkuara duket se po tërhiqen nga organizata kulturore e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, duke e akuzuar atë për paragjykime “kundër Izraelit”. Agjencia e cila është e njohur se kryen listimin e vendndodhjeve të trashëgimisë kulturore në gjithë botën, të tilla si Palmira në Siri apo Kanionin e Madh në SHBA.

Departamenti Amerikan i Shtetit po ashtu, në argumentet e tij thotë se ndihet i shqetësuar në lidhje me marrëdhëniet financiare në UNESCO, duke thënë se agjencia ka nevojë të reformohet. Vetë shefja e agjencisë, Irina Bokova thotë se kjo tërheqje e amerikanëve meriton “keqardhje të thellë”.
Ajo pranoi gjithsesi, se “politizimi” ka arritur të godasë organizatën gjatë viteve të fundit. “Tërheqja përbën humbje për familjen e OKB-së dhe multilaterizmin”, shtoi Bokova.

Tërheqja e SHBA-ve nga agjencia e OKB-së do të hyjë në fuqi në fund të dhjetorit të vitit të ardhshëm. Deri atëherë, SHBA do të mbeten anëtar me të drejta të plota. SHBA do të caktojnë një mission vëzhgimi në organizatën me seli në Paris për të zëvendësuar anëtarësinë.

Ekspertët: Shënjestër e lehtë

UNESCO përbën një shënjestër të lehtë për Trump – është një trupë shumëpalëshe me qëllime edukative dhe zhvillimore që promovon mes të tjerash edhe luftën kundër analfabetizmit apo të drejtat e grave.

Ekspertët vënë në dukje, gjithashtu, se tërheqja amerikane mund të shihen nga shumë njerëz si manifestim i qasjes së Trump “Amerika e Para” dhe armiqësisë së tij të pakufijshme ndaj organizatave shumëpalëshe: ironia është se UNESCO është pjesë e arkitekturës ndërkombëtare që vetë Shtetet e Bashkuara ndihmuan të ndërtohej pas luftës së Dytë Botërore.

Por, duket se është anwsia e perceptuar “kundër Izraelit” që përbën argumentin thelbësor në gjithë këtë problem. UNESCO ka dënuar disa herë Izraelin për aktivitetet e tij në Bregun Perëndimor dhe në Jeruzalemin Lindor dhe më herët këtë vit, e shpalli qytetin e vjetër të Hebronit një vendndodhje palestineze të trashëgimisë botërore – një hap që Izraeli këmbëngul se mohon shekuj të tërë të historisë hebreje në këtë qytet, jo më pak sa varret e Patriarkëve që datojnë prej kohërave biblike.

Vendimi amerikan pason këto vendime të UNESCO-s që janë kritikuar ashpër nga Uashingtoni dhe Tel-Avivi.

Në vitin 2011, Shtetet e Bashkuara ndërprenë pjesën më të madhe të financimeve për agjencinë në shenjë proteste ndaj vendimit për t’i dhënë anëtarësi të plotë palestinezëve. Dhe vitin e kaluar, Izraeli ndërpreu bashkëpunimin me UNESCO-n pasi agjencia miratoi një rezolutë kontraverse që nuk kishte referenca për lidhjet hebreje me një vendndodhje të shenjtë në Jeruzalem.

Rezoluta po ashtu kritikonte aktivitetet e Izraelit në vendet e shenjta në Jeruzalem dhe në territoret e pushtuara të Bregut Perëndimor.
Më pas, kryeministri izraeli, Benjamin Netanjahu dënoi UNESCO-n pasi e shpalli qytetin e vjetër të Hebronit në Bregun Perëndimor një vendndodhje palestineze të trashëgimisë botërore.

Ai akuzoi UNESCO-n se injoroi lidhjet e judaizmit antik me qytetin, që përfshin edhe varret e patriarkëve.

Tërheqja amerikane po ashtu motivohet edhe nga dëshira për të kursyer para, raportoi “Foreign Policy”. SHBA aktualisht jep 80 milionë dollar në vit për organizatën.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kritikuar ashpër atë që ai e sheh si kontribut jo të përpjesshëm nga SHBA për institucionet e OKB-së. SHBA financojnë 22 për qind të buxhetit të zakonshëm të OKB-së dhe 28 për qind të misioneve paqeruajtëse.

Shtetet e Bashkuara janë themeluese të UNESCO-s. administrate Regan u tërhoq nga agjencia në vitin 1984, duke e akuzuar atë për korrupsion dhe paragjykime ideologjike ndaj ish-Bashkimit Sovjetik – por u ribashkua në vitin 2002.

UNESCO aktualisht ndodhet në procesin e zgjedhjes së një lideri të ri, ndërsa ish-ministrat e Katarit dhe Francës, Hamad bin Abdulaziz al-Kaëari dhe Audrey Azoulay ndodhen shumë afër njëri-tjetrit në garën për të zëvendësuar Bokovën.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/