Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

SFIDANTET/ Kurajo në kohë pesimizmi: kjo është treshja imponuese e zgjedhjeve maqedono-veriore

Nga Nada Dosti

Historikisht, gratë në politikë janë paragjykuar dhe do të paragjykohen vazhdimisht. Po ashtu historikisht, edhe ato muslimane praktikante janë paragjykuar dhe të vazhdojnë të paragjykohen. Shtampa ndaj tyre ka qenë ajo e “shfrytëzimit të imazhit fetar për interesa politike”. Pa u marrë shumë me këtë aspekt, gjithsesi i pashmangshëm për vetë cenet e natyrës njerëzore, le të njihemi me tre figura sosh që garojnë për zgjedhjet në Maqedoninë Veriore.

Şasine Kasami – Kandidatja për deputet e Partisë Demokratike Turke (Türk Demokratik Partisi (TDP) ) e përzgjedhur nga partia e saj me 224 vota në 250 kandidatë, si përfaqësuesja për zgjedhjet e 15 korrikut.

Punon në Ministrinë e Financave, me detyrë Drejtoreshë e Përgjithshme e Pronave dhe Administrimit Ligjor. Me përpara ka punuar si asistente Deputeti zone si dhe Inspektore në bashkinë e Gostivarit. Zonja Kasami ka përfunduar studimet për Juridik në Universitetin e Europës Juglindore (SEEU) dhe vazhdimisht ka qenë aktive me kauzat e minoriteteve fetare dhe etnike.

“Këto dy vite mandat në Ministrinë e Financave kam marr nën shqyrtim veçanërisht dosjet e kauzave të bashkësive fetare qoftë vakëfesh të muslimanëve apo ankesa dhe shqetësime të komuniteve të krishtera. Dosje të cilat janë zvarritur me vite të tëra jemi munduar t’u gjejmë një zgjidhje dhe t’i mbyllim me sukses brenda dy viteve mandat. A përfundon këtu rrugëtimi ynë? Jo kemi ende shumë punë për të bërë, me leje të Zotit si dhe me votën dhe mbështetjen tuaj!”, shprehet ajo në video mesazhin të fushatës zgjedhore.

Imrane Ramadani Morina – Ajo është kandidatja për deputete e BDI-së.  Zonja Imrane është e martuar dhe nënë e tre fëmijëve. Ajo e njeh shumë mirë politikbërjen, pasi gjithë jetën e saj akademike, tashmë dhe karrierën, ja ka dedikuar mësimnxënies dhe mësimdhënies së politikës.

Kështu, ajo ka doktoruar në Fakultetin e Shkencave Politike në universitetin “Justiniani i Parë” në Shkup, në fushën e Shkencave Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ndërsa Masterin e ka përfunduar në degën Shkenca Politike, Politikë e Jashtme dhe Diplomaci në Universitetin FON me temë “Marrëdhëniet midis kombeve në përputhje me Kartën e Medinës”. Në të njëjtin Universitet ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Shkencave Politike Diplomaci dhe Gazetari me titull Politikolog i Diplomuar.

Prej më shumë se tre vitesh punon po në të njëjtin universitet si asistente pedagoge në Fakultetin e shkencave Juridiko-Politike.

Ajo i drejtohet të gjithë bashkëkombësve të saj të tregohen të matur dhe të heqin dorë nga denigrimi i personaliteteve duke treguar etikë dhe moral gjatë kësaj fushate:

“Ju kisha lutur që të tregojmë pjekuri dhe kulturë politike, e zgjedhjet t’i kuptojmë si një mejdan ku fiton më i miri. Le t’i përvishemi punës dhe problemit në menyrën e duhur, e të garojmë me programet tona sepse vandalizmi, fyerjet dhe denigrimet asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk janë pjesë e kulturës tonë. Prandaj të kemi kujdes nga këto vepra të shëmtuara siç është gjuha e urrejtjes sepse tek e fundit, gjithsecili është përgjegjës për veprat e veta. Allahu na ruajt dhe na udhëzoftë!

Zelfina Sela – Është nga Dibra e Maqedonisë së Veriut (ajo e Madhe) dhe ka diplomuar në fakultetin e Bioteknologjisë në qytetin e Manastirit me rezultate të larta ku ka marrë edhe titullin “Inxhinier i bioteknologjisë ushqimore”.

Pavarësisht suksesit studimor, prej vitit 2004 e deri më sot, znj. Sela nuk i është dhënë mundësia që të punësohet dhe të japë kontributin e saj profesional. Por papunësia nuk e ka bërë që ajo të dorëzohet dhe të rrijë duarkryq. Sot ajo udhëheq një dyqan të vogël rrobaqepsie në qytetin e saj. Eshtë e martuar dhe nënë e tre fëmijëve. Ajo e don qytetin e Dibrës dhe dëshiron më të mirën për qytetarët e saj.

Atdhedashuria e saj është ushqyer mbi të gjitha nga parimet e saja fetare por dhe nga sfidat e shumta me të cilat është përballur gjatë viteve të studimit. Pikërisht m’u në qytetin e Alfabetit, një vatër dije dhe qytetërimi të moçëm, asaj i është dashur të luftojë beteja të gjata si përplasje etnike, diskriminim fetar si dhe diskriminim për shkak të bindjeve ideologjike të natyrës politike, etj. Këto sfida i ka kaluar duke treguar qytetari, kulturë dhe profesionalizëm ashtu siç i ka hije një dibrani.

Epilog

Pavarësisht backgroundit të tyre arsimor dhe profesional, pavarsisht origjinës apo përkatësisë etnike, zonjat e sipërpërmendura mbartin vlera dhe potenciale duke u nisur që nga mëmësia, parimet fetare por mbi të gjitha kauzat e tyre.

Cilido qoftë derti i tyre, cilëndo parti të kenë përgjedhur për t’u kandiduar si përfaqësuese parlamentare, besoj fuqishëm se kontributi i tyre do të jetë i çmuar; duke filluar nga kazua e pronave të bashkësive fetare, tek çështja gjinore, etnike apo zhvillimi i qytetit të tyre.

Dhe në mos u vlerësofshin aq sa meritojnë, të paktën u përpoqën, morën pjesë me dinjitet të plotë, në një kohë pesimizmi dhe demoralizimi kolektiv që ka kapluar prej vitesh shoqërinë në RMV.

Dhe kjo është fitorja më e madhe! /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts