728 x 90 Leaderboard

Seria A: Interi është skuadra e momentit, prova e vërtetë në javën pasuese

Kur Stefano Pioli u ul në stol si trajneri i Interit në nëntor, pesimistët ishin më të shumtë në numër, jo aq për aftësitë e tij, por për thuajse pamundësinë për të patur sukses e për të mbijetuar te kjo skuadër.

Shifrat flasin ndryshe pas dy muajsh. Interi nuk humbet që nga 2 dhjetori, kur i dorëzohej pa kushte Napolit; që atëherë pasojnë shtatë fitore radhazi në kampionat.

E fundit fitore ka qenë ajo e së shtunës: 3-0 ndaj Peskarës!

Një fitore që, bashkuar me humbjen e papritur në shtëpi të Lacios ndaj Kievos, e ka ngjitur Interin në vend të katërt në klasifikimin e kampionatit italian. Për më tepër, largësia në pikë me të pozicionuarit më sipër nuk është e madhe.

Pioli paralajmëron se Interi nuk e ka arritur ende kulmin e vet.

“Po i bëjmë gjërat mirë, por jam i sigurt se mund t’i bëjmë edhe më mirë. Kam lojtarë të një niveli të lartë, por nuk e kemi arritur ende kulmin tonë, dhe kjo duhet të na japë besim të njëmendtë të bëjmë përpara.”

Pas nëntë takimesh rresht të fituara në të tëra veprimtaritë, për Interin troket ora e së vërtetës. Nëse Interi i kalon me sukses dy sfidat e javës së ardhshme, atëherë mund të flitet me të vërtetë për një ekip të mëkëmbur psikologjikisht dhe teknikisht.

Të martën, më 31 janar, Interi luan me Lacion në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Një sfidë personale dhe e vetë Pioli-t, që vihet përballë skuadrës të cilën e drejtonte sezonin e shkuar. Kualifikimi do të ishte arritje shumë e kënaqshme.

Të dielën e 5 shkurtit, Interi udhëton për në Torino, në një mision gati të pamundur në kampionat: të ndalë Juventusin. Kaq!

Nga kjo javë do të varet shumë ecuria e skuadrës së Milanos. Stefano Pioli është gjithsesi entuziast:

“Ne jemi Interi, një ekip që kërkon të fitojë, dhe japim çdo herë më të mirën.” /tesheshi.com/  

 

Related posts