728 x 90 Leaderboard

Serbia vazhdon të përfitojë miliona euro në vit nga energjia elektrike e Kosovës

Nga Bashkim Kastrati

Kosova humb miliona euro në vit për shkak të moszbatimit të marrëveshjes për energjinë, të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

E njëjta marrëveshje ishte konfirmuar më pas nga të dy kryeministrat, i Kosovës dhe ai Serbisë, në gusht të vitit 2015, kur kishin rinegociuar dhe ishin dakorduar për zbatimin e saj.

Si rezultat i moszbatimit të marrëveshjes Kosova humb rreth 10 milionë euro në vit.

Kjo për faktin se Operatori i Sistemit të Serbisë (“Elektro Mreza Srbije”- EMS) vazhdon që të mbledhë të hyrat e alokimit të kapaciteteve për linjat kufitare të Kosovës me shtetet fqinje.

Sipas të dhënave nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, (KOSTT), vetëm nga janari e deri në tetor të këtij viti, vlerësohet që operatori serb EMS, ka përfituar nga alokimi i kapaciteteve të linjave kufitare të Kosovës me shtetet fqinje dhe nga kongjestionet, mbi 9.5 milionë euro. Për çdo vit ka përfitime nga të hyrat nga alokimi i kapaciteteve.

Ndërsa në Ministrinë e  Zhvillimit Ekonomik, thonë se humbjet nga bllokada e Serbisë, arrijnë mbi 17 milionë euro, përfshirë këtu edhe humbjet nga mosfunksionalizimi i Linjës së Interkoneksionit Kosovë – Shqipëri, e cila është gati, por nuk ka mundur të aktivizohet për shkak të bllokadës që i ka shkaktuar Serbia.

Pra janë nga 10 deri në 15 milionë euro në vit, pa përfshirë edhe transmisionin me Shqipërinë, i cili nuk është futur në funksion pikërisht për këtë arsye. Në përgjithësi janë mbi 17 milionë euro, që Serbia i inkason në emër të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Ministri i ri në Qeverinë Haradinaj Valdrin Lluka ditë më parë ka deklaruar për REL se Qeveria e Kosovës do të kërkojë kompensimin e këtyre mjeteve gjatë negociatave të ardhshme që do zhvillohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel. Në të kundërtën, thotë ai, këtë problem do ta paraqesin edhe në Arbitrazh.

“Derisa kontrata është e nënshkruar nga pala serbe dhe Kosova, atëherë është obligim që të respektohet, prandaj Serbia e ka obligim dhe duhet t’i kompensojë këto humbje në çfarëdo forme, qoftë përmes arbitrazhit, apo qoftë përmes negociatave”, vlerëson Lluka.

Edhe në marrëveshjen e vitit 2013, thuhet se nëse nuk do të jetë e mundur të arrihet një zgjidhje e përbashkët brenda 6 muajve, të dyja palët bien dakord t’i paraqesin këto pretendime para arbitrazhit ndërkombëtar.

Ndryshe, gjatë negociatave Kosovë – Serbi është përcaktuar që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Serbisë ( EMS) të fillojnë operimin si dy zona rregulluese të pavarura në përputhje me kërkesat e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike.

Po ashtu, ishte nënshkruar edhe Marrëveshja për Kyçje të Sistemit Energjetik të Kosovës në Zonën Sinkrone të Evropës Kontinentale.

Në bazë kësaj marrëveshjeje, thuhet se pavarësimi i KOSTT-it lejohet pas krijimit të një kompanie të re, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji elektrike konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe, dhe do të jetë në gjendje të blejë dhe të shesë energji në tregun e hapur.

Por edhe në këtë drejtim ka dalë pengesë Serbia, duke e bllokuar sërish Kosovën. Pra edhe pse KOSTT-i i ka plotësuar të gjitha parakushtet teknike dhe operative në pajtim me kërkesat e Rrjetit Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO-E) për të funksionuar si zonë rregulluese në bazë të Marrëveshjes për kyçje, kjo marrëveshje ende nuk ka hyrë në fuqi për shkak të pengesave të vazhdueshme të Serbisë në implementimin e obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Harxho serbi, paguaj shqiptari!

Ndryshe, çështja e energjisë është aktualizuar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, me të cilin kërkohet të ndërpritet faturimi i energjisë së shpenzuar nga konsumatorët e komunave veriore, konsumatorëve të rajoneve tjera të Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, thuhet se qytetarët e këtyre pjesëve kanë shpenzuar 8 milionë euro në vit, kurse këtë vlerë e kanë paguar konsumatorët e pjesëve tjera të Kosovës.

Sipas deklaratave të zyrtarëve qeveritarë, nga ky muaj e tutje, shpenzimet për katër komunat e veriut nuk do t’i paguajnë qytetarët përmes faturave të energjisë elektrike, por do t’i paguajë Qeveria e Kosovës.

Por prapë se prapë faturat e energjisë elektrike i bie të paguhen nga paratë e qytetarëve që i merr qeveria përmes taksave dhe serbët e veriut mund ta shfrytëzojnë energjinë elektrike dhe të ngrohen pa asnjë kursim, sepse nuk e paguajnë asnjë centë. Kjo për faktin e vetëm se janë serbë dhe jetojnë në veri të Kosovës. /tesheshi.com/

Related posts