Serbia: Së shpejti me dalje në Durrës

Ministrja serbe e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajloviç ka thënë se së shpejti do të përfundojë projekti për autostradën Nish-Prishtinë-Merdare.

Ajo theksoi se “kjo është një pjesë shumë e rëndësishme që do të na japë qasje në një port tjetër të Adriatikut – atë të Durrësit në Shqipëri”.

Bëhet fjalë për një pjesë të autostradës rajonale që do të lidhë Serbinë me Tiranën dhe detin Adriatik.

“Kjo rrugë është prioritet për Bashkimin Evropian dhe është pjesë e rrjeteve të transportit të Evropës. Sipas të gjitha parashikimeve, porti shqiptar është në një pozitë më të mirë se ai i Malit të Zi, i cili është i rëndësishëm për ne”, tha Mihajloviç për gazetën serbe”Politika”, të enjten.

Ajo vuri në dukje se “ka një domethënie politike dhe ekonomike për ndërtimin e rrugës, për shkak të njerëzve tanë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë”.

“Së bashku me BE dhe Fondin për Ballkanin Perëndimor, po punojmë në projektin dhe dokumentacionin teknik, i cili duhet të përfundojë në mes të prillit dhe majit”, tha Mihajloviç.

Sipas Mihajloviç, është negociuar edhe me institucionet ndërkombëtare për mënyrën e finansimit të kësaj marrëveshje, pasi që po flasim për një projekt që Serbia nuk mund të paguajë vetë.

Siç ka shpjeguar ajo, në fillim ndoshta do të ndërtohet gjysmëprofili, i cili do të kushtojë rreth 500 milionë euro, dhe më pastaj puna do t’i besohet një investitori privat për të cilin, në emër të Serbisë do të garantojë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve. /tesheshi.com/