Serbia ka rritur tregtinë me Shqipërinë: Na shet energji, drithë dhe ushqime

Edhe pse në një nivel më të vogël nga Kosova, Shqipëria ka jë bilanc në rritje të tregtisë me Serbinë, pavarësisht marrëdhënieve të ftohta politike. Ushqimi kryesor i yni, buka, prodhohet në një masë të madhe nga mielli i importuar nga Serbia.

Shqipëri, vetëm gjatë këtij viti ka importuar nga Serbia rreth 170 milionë euro mallra, ndërkohë që në vitin 2007 importonim vetëm 30 milionë euro. Eksporti ynë drejt Serbisë kap shifrën e 12 milionë eurove në vit.

Të dhënat e Institutit të Statistikave për import-eksportet mes dy vendeve tregojnë rritje galopante, megjithëse kjo rritje ka pësuar luhatje të mëdha, për shkak se një pjesë e mirë e tregtisë është e përqendruar në pak mallra. Shqipëria importon nga Serbia energji elektrike, ushqime, produkte kimike, metale e materiale ndërtimi ndërsa eksporton drejt Serbisë energji elektrike, ushqime (përgjithësisht zarzavate) dhe materiale ndërtimi e metale.

Të dhënat e tregtisë së jashtme të raportuara nga INSTAT-i nuk janë të plota, për shkak se energjia elektrike zakonisht regjistrohet si e importuar nga vendi ku është regjistruar kompania që ia shet Shqipërisë dhe disa kompani të tilla janë të regjistruara në vende të tjera, pavarësisht se janë kompani serbe.

Përveç energjisë së importuar në linjën Beograd-Podgoricë-Shqipëri, vendi ynë ua shet, përgjithësisht, disa kompanive serbe që dominojnë tregun energjetik të Ballkanit, energjinë e prodhuar tepër në kaskadën e Drinit në periudhat me shumë reshje.

Importi tjetër i rëndësishëm i Shqipërisë nga Serbia është ai i skrapit, i cili shkrihet në Elbasan. Rritja më e qëndrueshme e importeve të Shqipërisë nga Serbia i përket grupit ushqim, pije dhe duhan. Në vitin 2007, në Shqipëri u importuan rreth 346 milionë lekë (3.4 milionë dollarë), ushqime nga Serbia, ndërsa në vitin 2013, importet e këtij grupi arritën në 4.8 miliardë lekë.

Importet e drithit nga Serbia zunë pjesën më të madhe të importeve. Gjatë vitit 2013, Shqipëria importoi 81 mijë tonë drithë nga Serbia me vlerë të përgjithshme prej 2.9 miliardë lekësh. Serbia zë një të pestën e të gjitha importeve të drithit në Shqipëri. /tesheshi.com/

 

Related posts