728 x 90 Leaderboard

Serbët sulmojnë pushuesit shqiptarë në Halkidiki

Pushuesit shqiptarë që kanë zgjedhur gadishujt e Halkidiki-së në Selanik janë përballur këto ditë me një valë veprimesh të rënda antishqiptare.

Mjaft makina të shqiptarëve janë gërvishtur apo lyer me spry-bojë ku janë shkruar parulla të ndryshme antishqiptare si Kosovo je Serbije por edhe më të rënda, të cilat sipas autoriteteve policore kanë për autorë disa shtetas serbë dhe rusë, që punojnë e mblidhen pranë disa pronave që janë blerë prej vitesh nga disa kompani nga Beogradi apo edhe Rusia.

Prej dy vjetësh tashmë në Halkidiki ka pasur vjedhje por edhe sherre në lokale nga disa persona me precedentë penalë nga Serbia, të cilët kanë qenë dikur pjesëtarë të formacioneve paramilitare, por që aktivitetin e kanë përqëndruar në trafiqet në zonën mjaft të vizituar të bregdetit të Selanikut.

Prej 10 vjetësh mjaft resorte, hotele, bare e restorante janë blerë nga rusë e serbë, të cilët janë të lidhur me agjencitë për të thithur turistë nga vendet e tyre.

Por këto biznese kanë thithur edhe pjesë të kontigjentit kriminal, të cilët kanë përfituar për të ushtruar atë pjesë që e dijnë mirë.

Ky kontigjent është problem për policinë greke për shkak se nga konsumimi i tepërt të alkoolit kalojnë në vepra të dhunshme siç janë sherret apo edhe shkatërrimet e pronës së turistëve.

Në këtë atmosferë, kanë qenë viktimë edhe pushuesit shqiptarë që kanë zgjedhur Halkidiki-në si vend pushimi.

Ata janë përballur me mbi dhjetëra raste të shkatërrimit të makinave të tyre.

Policia e Selanikut ka nisur hetimet dhe mësohet se janë arrestuar disa shtetas serbë. Sipas saj , një grup i njohur serb është problem prej dy vjetësh që merret me grabitjen e makinave luksoze të pushuesve. /tesheshi.com/

Related posts