728 x 90 Leaderboard

Serbët e veriut të Kosovës, 140 milion euro fatura energjie të papaguara: a do jua shlyejë Beogradi?

Nga Bashkim Kastrati

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se në takimet e ardhshme me Qeverinë e Serbisë në Bruksel, të kërkojnë kompensimin e mjeteve materiale nga faturat e shpenzuara të energjisë elektrike nga banorët serbë në katër komunat veriore të Kosovës.

Një zgjidhje të tillë, Qeveria e Kosovës e ka paralajmëruar pas publikimit të fakteve se që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999, qytetarët e pjesës veriore të Kosovës, përkatësisht konsumatorët e komunave Leposaviq, Mitrovica Veriore, Zubin Potok dhe Zveçan, nuk i kanë paguar faturat e energjisë së shpenzuar dhe se këto borxhe u janë faturuar qytetarëve nga viset tjera të Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 8 milionë euro në vit, apo nëse llogaritet që nga përfundimi i luftës, janë rreth 140 milionë euro që qytetarët e këtyre pjesëve kanë shpenzuar, kurse këtë vlerë e kanë paguar konsumatorët e pjesëve tjera të Kosovës. Pra shpenzo serbi, paguajë shqiptari! Gjithashtu u raportua se përveç katër komunave veriore, as enklavat serbe në komuna tjera të Kosovës nuk e kanë paguar asnjë cent për energjinë e shpenzuar.

Duhet theksuar se në këto shpenzime futen jo vetëm faturat e papaguara nga veriu, por edhe tarifat e transmisionit që janë marrë qe 16 vite në emër të Kosovës.

Katër komunat në veri të Kosovës janë të banuara me shumicë serbe, të cilat ndër vite kanë funksionuar jashtë sistemit juridik-kushtetues të Kosovës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka deklaruar ditë më parë se institucionet e Kosovës nuk kanë mundësi buxhetore që të paguajnë faturat që i kanë paguar qytetarët e Kosovës për komunat e veriut, sepse ato janë humbje që i kanë shkaktuar qytetarët e veriut dhe tashmë si qeveri do të kërkohet nga Serbia që t’i kompensojë këto mjete financiare.

“Qytetarët paguajnë vetëm 70 për qind të shumës që u faturohet”

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ) ka dalë me një reagim ku thuhet se  kompensimi i mjeteve për konsumatorët e dëmtuar është premtim i që nuk mund të realizohet.

Ky këshill propozon që të zbatohet vendimi i Gjykatës së Apelit për ndërprerje të faturimit diskriminues, mbi baza etnike. Kurse si hap të dytë, deri të bëhet një zgjidhje përfundimtare dhe në përputhje me vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit, KMDLNJ i fton qytetarët e Kosovës të mos e paguajnë energjinë elektrike në shumën e faturuar, por ta paguajnë vetëm 70 për qind të shumës që u faturohet.

Këtë çështje e kishte ngritur Avokati i Popullit në muajin prill të vitit 2017, kur kishte iniciuar hetime duke dërguar lëndën edhe në gjykatë. Ndërkaq, vendimi përfundimtar i Gjykatës së Apelit është që Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike të pezullojë vendimin që rryma e shpenzuar për atë pjesë të faturohet për qytetarët e rajoneve tjera.

Përveç mospagesës së faturave të rrymës së shpenzuar, banorët e komunave veriore të Kosovës, që nga përfundimi i luftës, nuk paguajnë as faturat për shpenzimin e ujit, që sipas udhëheqësve të Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”, llogaritet të jenë 12 milionë euro. Ata nuk i regjistrojnë as veturat, nuk paguajnë as tatime tjera të cilat i paguajnë vazhdimisht qytetarët tjerë të Kosovës.

Ndërkohë që pritet të diskutohet kjo çështje, serbët që jetojnë në katër komunat veriore dhe në enklavat serbe në komunat tjera, e shfrytëzojnë energjinë elektrike për t’u ngrohur, për të ndërtuar, etj etj., pa menduar fare për koston e saj. Në anën tjetër energjia elektrike i ndërpritet familjeve të varfra shqiptare për dhjetëra euro borxhe që nuk kanë mundësi të paguajnë. /tesheshi.com/

Related posts