Selim Ibraimi, analist: Maqedonia, një poligon ruso-amerikan nëse kriza vazhdon

Intervistoi: Memedali Jusufi

Selim Ibraimi, një ndër analistët më të njohur në Maqedoni, flet mbi krizën që ka mbërthyer vendin. Ai shpreh habinë se si deri më sot nuk ka asnjë mbajtje përgjegjësie politike nga partia shqiptare në koalicion, BDI, pas aferës së përgjimeve, e aq më tepër pas ngjarjeve në Kumanovë. E po ashtu, në prognozën e tij të imët, shprehet se Maqedonia rrezikon të shndërrohet në një poligon ruso-amerikan, nëse kjo krize vijon ende…      

Si e vlerësoni krizën aktuale në Maqedoni?

Situata e sigurisë është e tensionuar dhe shteti është fragjil. Pas ngjarjeve të Kumanovës, siguria publike është sensitive dhe në përgjithësi gjendja në Maqedoni nuk është stabile. Faktorët shtetërorë, politik dhe jo-shtetërorë, janë një ndër tre protagonistët e krizës së re në Maqedoni, ku bashkësia ndërkombëtare, BE dhe Amerika, janë duke ndërmjetësuar një marrëveshje në mes partive politike më relevante në Maqedoni (VMRO-DPMNE,BDI,LSDM dhe PDSH).

Bisedimet në Bruksel dhe në Shkup për të tejkaluar krizën politike dhe të sigurisë në Maqedoni kanë mbështetjen edhe të faktorit shqiptar, BDI-së dhe PDSH-së; mbështetje të pastër për të dalë nga situata i ka dhënë ashtu siç theksova partneri shqiptar në qeveri, BDI-ja e Ali Ahmetit dhe partia tjetër në opozitë, pra PDSH-ja e Menduh Thaçit.

Faktorët e mëhershëm të krizës politike, zbardhja e përgjimeve nga lideri i opozitës maqedonase dhe ngecjet në të gjitha drejtimet të shtetit dhe së drejtës, i dhanë fund ‘status-quo’-s në Maqedoni.

Maqedonia duhet të ndryshojë, sepse ka ngelur vendi i fundit, të themi në Ballkan, për nga niveli i respektimit i së drejtës. Për sa u përket reformave dhe rekomandimeve të BE-së për Maqedoninë, ky vend qëndron larg parimeve.

Pra, Maqedonia e pas vitit 2001 po ballafaqohet më shumë çështje të para dhe pas ngjarjeve të Kumanovës që kërkojnë zgjidhje.

 

Tani po zhvillohet dialogu politik.A mendoni se një i deleguar special i BE-së mund të ndihmojë në zgjidhjen e krizës,pasi flitet shumë për këtë gjë?

 Po, dialogu i nisur në mes partive dhe liderëve politikë në Maqedoni po zhvillohet nën kudejsin e ambasadorit të BE-së në Shkup, Orav dhe atij të Amerikës Bejli, dhe ka për qëllim të parandalojë eskalimin e situatës dhe normalizimin e gjendjes në Maqedoni.

Gjithashtu, dialogu synon që palët të arrijnë një kompromis për krizën politike disavjeçare në Maqedoni. Ndërmjetësimi me siguri do të rezultojë më ndonjë marrëveshje në mes palëve. Por tani është herët të përfundohet se si do të duket kompozimi politik i Maqedonisë.

Sigurisht që diplomacia e BE-së synon zgjidhjen e shpejtë të krizës pas ngjarjeve të Kumanovës dhe të dërguarit specialë kanë një rol më specifik në  konfliktet dhe krizat e Ballkanit.Diplomatët e huaj në Shkup dhe të dërguarit specialë kanë po të njëjtat qëllime me mandat të caktuar qartë nga BE-ja. Qëllimi i të dërguarve është arritja e një marrëveshje në mes palëve dhe të nisin proceset ligjore dhe reformat e kërkuara.

Sipas njoftimeve, BE është duke u menduar për një hap të tillë për të emëruar një të dërguar special për Maqedoninë. Mirëpo, historia diplomatike tregon se dërgimi i diplomatëve specialë lidhet  dhe ka të bëjë me ato shtete që nuk kanë kapacitete demokratike t`i menaxhojnë problemet vetë.

Fundja edhe pse jo, le të kemi ndonjë të dërguar të përhershëm të BE-së në Maqedomi pasi të gjitha shtetet e apo republikat e ish-Jugosllavisë kanë apo kanë pasur nga një të dërguar special. Personalisht mendoj se këtu në Maqedoni duhet të delegohet jo vetëm i dërguar special diplomatik por edhe ligjor nga ana e institucioneve të BE-së.

 

Çfarë mendoni për dorëheqjet e disa funksionarëve pas përgjimeve?

Kjo ishte më e pakëta që duhet bëhej pas gjithë kësaj çfarë po ndodh në Maqedoni. Morali, etika dhe ligji, janë jashtë funksionimit dhe është vështirë vullnetarisht që zyrtarë apo liderë pas dështimeve të japin dorëheqje dhe proceset të kanalizohen.

Dorëheqjet nga partia maqedonase ishin të arsyeshme dhe është e çuditshme se ende nuk shohim dorëheqje apo përgjegjësi politike nga ana e partisë shqiptare në pushtet, BDI.

Përgjimet treguan për natyrën e lidershipit dhe të institucioneve të vendit. Në një shtet me standarte dhe kulturë politike, kjo situatë do të ishte zgjidhur që moti. Po presim nga SHBA dhe BE që t`i japin fund gjendjes së tensionuar.

 

A është qeveria kalimtare një nga opsionet politike për daljen nga kriza?

Pse jo. Është një formë a opsion që nëse pajtohen liderët do t’u hapte rrugë disa procesve, por jo të gjithave, pasi shumë gjëra janë grumbulluar në Maqedoni dhe kjo qeveri kalimtare, të supozojmë, nuk do të kishte ndonjë mandat të gjërë. Pra gjithnjë, nese kemi kompromise mund të kemi çfarë do lloj qeverie. Pas kësaj, Maqedonia hyn një etapë tjetër ku përfaqësuesi special i BE-së do ta luante rolin e një garantuesi.

Kriza nuk merr fund me qeverinë kalimtare. Është vetëm një rast për të lëvizur vendin nga pika vdekjeprurëse ku ndodhet aktualisht.

 

A mendoni se modeli zvicerian i zgjidhjes se qeverisë mund të realizohet në Maqedoni?

Realisht Maqedonia ndodhet shumë larg Konfederatës Zviceriane dhe gjërat në shtetin Helevetik janë zgjidhur në formë tjetër me çka sot qytetarët zvicerianë votojnë dhe zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Po nëse ka vullnet politik, ndryshimet duhet të fillojë nga Kushtetuta dhe ligjet, pasi Maqedonia ka përbërje mulitietnike.

Nëse vendi dëshiron të shkojë përpara, liderët dhe qeveritë në të ardhmen do të detyrohen të bëjnë reforma thelbësore shtetërore për të ruajtur balancën.

Pra nuk është keq të mendohet qoftë modeli i Belgjikës i Zvicrës apo edhe forma të tjera që janë funksionale dhe të aplikuara për Maqedoninë. Një fakt nuk duhet vënë në harresë, se e gjithë kjo do të varet nga kërkesat e partive politike shqiptare.

 

Si e shikoni rolin e faktorit shqiptar për zgjidhjen e krizës aktuale?

Partitë politike, BDI dhe PDSH, siç po shihet po bashkëpunojnë mirë me të gjitha palët dhe ditëve të fundit kemi një afrim të BDI-së dhe PDSH-së. Të paktën që mund të bëjnë këto parti në këtë situatë është të bashkëpunojnë, pasi në të kaluarën të dyja partitë kanë pasur raporte jo të mira partiake.

Kritikët thonë se roli i tyre është margjinal dhe nuk kanë peshë në vendimet që të dyja partitë tjera maqedone VMRO-LSDM i marrin.Kjo mbetet të shihet në fund se për çfarë kanë biseduar liderët. Në përgjithësi roli i tyre qeveritar ka qenë i dobët dhe përgjimet e fundit treguan se si kanë funksionuar ato gjatë mandateve qeveritare.

 

Në fund z.Ibraimi edhe një pyetje më specifike dhe shumë të rëndësishme për situatën aktuale: pasi jeni një ndër vëzhguesit më të pavarur në Maqedoni, dhe po ashtu jeni të specializuar për çështjet Euroaziatike në SHBA, si i vlerësoni marrëdhëniet Maqedoni –Rusi dhe në shtesë deklaratat e fundit të Ministrisë së Jashtme të Federatës Ruse?

 Mendoj se Rusia dhe presidenti Vlladimir Putin vazhdojnë të influencojë në të gjithë truallin evropian dhe me këtë në Maqedoni. Marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike në mes këtyre dy shteteve janë në zhvillim ashtu siç janë në ngritje me Serbinë.

Bashkëpunimi ekonomik i Maqedonisë aktualisht zhvillohet me shtetet e BE-së dhe nëse flasim me përqindje, kjo shkon deri në 60% me vendet anëtare të unionit.Por kjo në të ardhmen mund të ndryshojë, sepse liderët dhe politikat kanë prirje të zhvillohen sipas preferencave gjeopolitke.

Maqedonia refuzoi t`i përkrahë sanksionet ndërkombëtare kundër Moskës, presidenti i vendit Gjeorgji Ivanov morri pjesë në paradën ushtarke në Rusi ku asnjëri burrështetas perëndimorë nuk shkoi në këtë manifestim.

Qeveria në Shkup po ashtu ka disa marrëveshje energjetike me Rusinë që kanë të bëjnë me korridoret energjetike dhe tubacionet e gazit. Tani duket se Maqedonia me këtë krizë nëse do të stërzgjatet ka gjasa të bëhet fushë apo poligon ruso-amerikan.

Reagimet e MPJR-së janë të tipit apo i takojnë gjeopolitikës së emocioneve dhe në të ardhmen do të shohim shpeshtim të reagimeve ruse në të gjithë rajonin, pra duke i përfshirë edhe ambasadorët rusë të akredituar në këto shtete. Kryeministri ka thënë se do të respektojë marrëveshjet e BE-së dhe Federatës Ruse për sa i përket tubacionit.

Në fund do të thoja se Maqedonia është para një rasti tjetër historik, si për nga raporti i forcave në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe po ashtu të raportit të forcave të dala pas rastit të Kumanovës.

Parashikimet janë nga më të ndryshmet. Shpresojmë të fitojë opsioni demokratik i vërtetë dhe pro-perendimor në të dyja spektret politike Njëmendësia dhe konceptet e mbrapshta politike duhet t`i takojnë historisë. /tesheshi.com/

Related posts