728 x 90 Leaderboard

Selektiviteti i pashpjegueshëm i Ambasadës Amerikane: pse Tahiri dhe jo…?

Deri më tani, mesazhet inkurajuese të Ambasadës Amerikane në Tiranë adresuar drejtësisë, të cilat kanë për qëllim fundin e mosndëshkueshmërisë, ishin ndarë: krimi emër për emër, ndërsa politika thjesht me epitetin “peshqit e mëdhenj”.

Por prej kësaj të marte ka një risi, pasi ka nisur dhe te politika me emra konkretë: është Saimir Tahiri.

Pasi kërkoi vijimin e hetimeve për Ervis Martinajn, një emër nga bota e krimit, pas këtij emri është vënë ai i Saimir Tahirit. Pra, janë futur me “një thes” që të dy. Dhe është fjala për një mesazh nga Uashingtoni pra, që në një farë mënyre ka dhe elementë pretence. Ok për Shullazin, ok dhe për Martinajn, po pse Tahiri, sot, në këtë kohë, kur në distancë nga koha e nxehtë e daljes së përgjimeve, ai nuk duket më dhe aq djall? Kjo, si nga fakti se drejtësia italiane e nxorri të pastër – dhe nuk është pak të dalësh pa njollë nga anti-mafia italiane – e si nga fakti se ende drejtësia shqiptare nuk po mundet të konkludojë fajësinë e tij edhe pas më shumë se një viti, ndërkohë që përgjimet, ashtu siç u përcollën dhe u intepretuan literalisht, nga një pjesë e medias dhe e politikës, ia bënin mu se ai, Tahiri ishte bashkëpunëtor me Habilajt famëkëqinj. Në ndërkohë, ish-politikani i lartë i mazhorancës u zhvesh dhe u vetëzhvesh nga çdo pozitë shtetërore në funksion të hetimeve, me finale vetëdorëzimin e mandatit të deputetit – një precedent që ia ka bërë imponues këtej e tutje të gjithë klasës politike.

Dhe a ka një selektivitet në këtë rast? Sigurisht që po. Nëse zgjedhja e Ambasadës me Tahirin është brenda vokacionit të reformës në drejtësi dhe aktivizimit të ndëshkueshmërisë në politikë, kjo s’ka pse të jetë e kufizuar në kohë; pra që nga 2013 e këtej. Para këtij viti do shënohej rasti me flagrant, vrasjet e 21 Janarit, me plumba dalë nga politika, ku madje amerikanët do kishin një rol në zbardhjen e së vërtetës duke hetuar aspektin më përcaktues të autorësisë së vrasjeve. U sfiduan hapur, u injoruan, u shpërfillën, por çuditërisht nuk reaguan. Madje 21 Janari pothuajse është hequr nga fjalori amerikan. Ne e dimë, është një politikë me kodet e misteret e saj, por në rrafshin moral shfaq një cen edhe irritues nganjëherë.

Përzgjedhja e Tahirit në këtë rast si tek-“dele e zezë”, në raport me të tjerë emra e të tjera zullume, padyshim që vjen dhe nga fakti se ai reflekton pushtetin, më i ekspozuar për (para)gjykim. Por kjo nuk ka pse lë jashtë dhe emra të tjerë me pushtet, edhe pse jo ekzekutiv, të cilët edhe pse me një mal akuzash, disa dhe të provuara, e që kanë çuar në humbje jetësh njerëzore, vijojnë të jenë të paprekshëm…në marrëzinë e tyre dhe dëmin që i sjellin vendit në një tjetër formë por me thelb të njëjtë: bëjnë çdo gjë, pasi nuk janë ndëshkuar për asgjë! /tesheshi.com/

 

Related posts