Sekretet e paktit Rama-Visho Ajazi: ja arsyet dhe pasojat e emërimit në NATO të ish-kryespiunit

Mundësia e emërimit të shefit të larguar të shërbimit sekret shqiptar, Visho Ajazi në një post të rëndësishëm diplomatik, u përfol menjëherë pas dorëheqjes së tij. Flitej si mundësi Londra apo NATO. Ndodhi kjo e fundit dhe natyrisht shkaktoi zhurmë në shumë qarqe mediatike por edhe politike.

Që këtu kemi të bëjmë me një pakt real mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-shefit të SHISH, Visho Ajazi. Kjo është e kuptueshme, por mbetet për t’u analizuar arsyet, por edhe pasojat e kësaj lëvizjeje politike.

Si pasojë e parë e këtij pakti, është provokuar një irritim shumë i lartë i mbështetësve të mazhorancës të cilët kanë qenë partizanë jo vetëm të largimit të njerëzve të PD-së nga administrata, por kanë kërkuar një operacion “jakobin” ndaj ish- qeverisë “Berisha-Meta” dhe eksponentëve të spikatur të saj. Opozita ndodhet ende e “tronditur” nga lajmi, por ka të dhëna se Lulzim Basha ka qenë në dijeni të kësaj lëvizjeje.

Vendi i ambasadorit shqiptar në NATO, që prej vitit 2013 është një post që iu rezervua një eksponenti të opozitës, siç është ish-deputeti i PD-së, Leonard Demi, por gjithsesi emërimi i Visho Ajazit është diçka më shumë intriguese. Mediat kritike me Ramën e quajnë një “pazar” në mënyrë që Visho të fshehë përgjigjet që ka bërë për Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Por ky version, përveçse është konspirativ dhe semplist, është realisht i paqëndrueshëm. Pse? Sepse përgjimet në SHISH bëhen vetëm me urdhër të Prokurorit.

Operatorët që punojnë në interceptim kanë një protokoll të caktuar dhe rigoroz pune. Ata kryejnë përpunimin e telefonatave vetëm me urdhër të shefit të sektorit, i cili merr kërkesat me shkrim për përgjimet nga drejtoritë e larta. Përshembull, telefonatat e përgjuara me urdhër të prokurorit, vijnë direkt nga shefi i shërbimit që i përcjell urdhërin dhe vendimin përkatës të gjykatës ose prokurorit që më pas protokollohet. Ndërkaq, përgjimet që bëhen për llogari të kundrazbulimit, gjithashtu vijnë me urdhëra të brendshëm të përcaktuar qartë. Për të gjitha përgjimet, për të gjitha, pa asnjë përjashtim, ka raporte zinxhir pune, që nga operatori që e zbardh, të cilin e firmos shefi i sektorit dhe më pas ai protokollohet si një dokument i klasifikuar që shkresohet si raportim për Presidentin dhe Kryeministrin në mënyrë paralele. Përgjimet “alla Snowden”, pra që merren direkt nga operatori si audio dhe nxirren jashtë institucionit, janë një operacion thuajse i pamundur edhe kur ndodh bëhet skandal.

Por ajo që është më e rëndësishmja, në Shqipëri përgjime nuk bën vetëm SHISH, por natyrisht edhe shërbimet shumë të fuqishme partnere që janë ulur këmbëkryq që nga viti 1990. Madje edhe shërbimet jo partnere. Këtë e treguan “bombat” e Zaevit, apo edhe telefonat e rrjedhura pas masakrës së “Lagjes së Trimave” që bënë të ditur se gjithçka në Ballkan është në syrin e një “Big Brother”-i.

Por akti i Edi Ramës me emërimin e Visho Ajazit është puro politik dhe ka të bëjë me dy zhvillime të rëndësishme. I pari është sinjali që kryeministri i jep opozitës për një “dorë të shtrirë” dhe gatishmëri për ta vazhduar bashkëpunimin që nisi më 17 maj me ministrat teknikë. Më shumë se më opozitën, Rama synon t’iu dërgojë edhe një sinjal ndërkombëtarëve për të treguar se vërtet vullnet për bashkëpunim me rivalët politikë. Sinjali i dytë është një diversion: një lëvizje politike që i rrëzon opozitës “heronjtë” që ajo ngriti në piedestialin e luftës me Edi Ramën.

Në katër vjet, PD-ja kryesisht por edhe LSI-ja më pas, ngritën kultin e Visho Ajazi Likës dhe Adritik Llallës, si “shërbëtorët e shtetit” që luftuan kanabizimin. Sali Berisha, por edhe Lulzim Basha më shumë se një herë, kanë thënë se “vetë Shërbimi Informativ Shqiptar dhe Prokuroria kanë luftuar dhe denoncuar hashashin, por ka qenë qeveria ajo që nuk ka marrë për bazë kërkesat e tyre”. Por menjëherë pas emërimit të ish-shefit të shërbimit sekret si ambasador në NATO, nisën sulmet për pazar dhe marrëveshje jo parimore. Pra, “heroi” po cilësohet një “anti-hero”, që në fakt, nëse vazhdon edhe më shumë kjo teori, bie përfundimisht e gjithë strategjia e përdorur nga opozita për ta rrëzuar Edi Ramën.

Po mirë, çfarë është pakti mes kryeministrit dhe Visho Ajazit? Është një marrëveshje pushteti, e pastër fare! E cila bëhet nga dy njerëz që kanë realisht mundësi të mëdha, njëri ka numrat e qeverisjes së vendit dhe tjetri informacionin voluminoz dhe një marrëdhënie në vite të krijuar me partnerët, CIA-n në radhë të parë, por edhe shërbimin sekret i NATO-s, i cili ka qenë shumë aktiv që nga viti 2011, kur në krye të këtij institucioni është vënë ish-zëdhënësi i famshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, britaniku Jamie Shea. Pikërisht me këtë strukturë u përplas ish-kryeministri Sali Berisha në vitin 2011 kur donte të ndryshonte ligjin e SHISH por që më pas u tërhoq.

Ka shumë gjasa që pakti Rama-Ajazi të ketë si qëllim edhe mosdorëzimin e ish-kryespiunit në selinë blu, që do ishte një forcë më shumë dhe më e freskët në “armatën” e denoncuesve VIP të kësaj qeverie.

Kohët e fundit, sapo është rradhitur në këtë “trupë” kolonel Dritan Demiraj, ish-ministri i Brendshëm teknik i propozuar nga Lulzim Basha, i cili nëpër panele sulmon policinë dhe Haki Çakon, por edhe Edi Ramën për kanabisin. Ai ishte 3 muaj ministër i Brendshëm, mund ta bënte edhe atëherë, madje duke dërguar edhe material në prokurori, por nuk e bëri. Lufta e Demirajt përfaqëson vetëm një paradhomë për të hyrë në politikën aktive të opozitës. Siç mësohet, koloneli ish-ministër priste që të emërohej ose në vend të Visho Ajazit në krye të shërbimit sekret, ose në vend po të Ajazit si ambasador në NATO. Por Edi Rama lëvizi paralelisht pikërisht kur Lulzim Basha deklamoi se marrëveshja e 17 majit ka vdekur.

Realisht, a ka vdekur vërtetë ajo marrëveshje? Gjasat janë që jo! /tesheshi.com/