Salihi i pandalshëm, 4 gola nga 4 që shënoi skuadra

Hamdi Salihi “paska fshehur” edhe plot gola të tjerë, të cilët “po i nxjerr” këtë vit me duzinë, në favor të ekipit të tij Vjener Nojshtad, skuadër që kryeson kampionatin e kategorisë së dytë në Austri.

Shkodrani ka qenë lojtari absolut i ndeshjes së fundit që skuadra e tij ka fituar 4-2 ndaj Superfund, skuadër që mban vendin e gjashtë në kampionat.

Salihi ka shënuar të gjithë golat e Nojshtad.

33-vjecari që është shënuesi më i mirë i skuadrës dhe ndër 3 shënuesit më të mirë të kampionatit, nuk ka ditur të ndalet dhe e ka përshëndetur rrjetën, thuajse pas çdo gjuajtjeje që ka bërë në portë.

Hamdi Salihi fillimisht kaloi skuadrën e tij në avantazh, e pas barazimit të përkohshëm të kundërshtarit, shënoi edhe dy herë të tjera në pjesën e parë.

Shkodrani ka shënuar me qetësi 2 penallti, si edhe ka shtuar mes tyre, edhe nga një gol tipik të një shënuesi “race”.

Në pjesën e dytë, Salihi shënoi edhe golin e katërt të skuadrës dhe njëkohësisht të vetin.

Në fund të ndeshjes, mediat lokale shkruajtën rezultatin final: Salihi-Superfund 4:2. Vjener Nojshtad ka marrë kryesimin e kampionatit, të cilin e rivalizon me skuadrën e Ried. /tesheshi.com/