Sa herë që vjen Dita e Alfabetit, kujtohet gjendja e muzeut në Manastir: vijon për turp!

Për gjendjen e godinës ku u mbajt Kongresi i Manastirit 109 vjet më parë, autoritetet maqedonase nuk po munden t’i dalin zot. As nga aspekti i sigurisë, ku shpesh herë ky muze është shnjestër sulmesh nga huliganë, e as nga rregullimi i pronës dhe zhvendosjen e dyqaneve që shesin produkte hidrosanitare.

Kjo problematikë theksohet çdo vit dhe çdo nëntor nga mediat dhe nga qeveria e Maqedonisë, por në realitet asgjë nuk ndryshon. Premtimet e fundit për këtë godinë janë se do të fillojë  rikonstruksioni i jashtëm  i saj,  por që do të jenë me financim nga IPA, konkretisht pra me financa evropiane. Nga ana tjetër, përveç qeveritarëve maqedonas, interes nuk  shpreh asTirana e as Prishtina.

Në këtë muze punojnë vetëm 7 persona, ndërsa kërkesat për punësime të reja viteve të kaluara nga Ministria e Kulturës, janë refuzuar.

Sipas drejtorit të muzeut Nuer Arsllani, rikonstruimi i objektit varet nga politika e shtetit. Ai shpreson se këtë vit me qeverinë e re dhe me ministër të ri në Ministrinë e Kulturës, do të merret me seriozitet kjo Shtëpi e Alfabetit që është me rëndësi për shqiptarët, duke thënë se është siguruar projekt nga fondet e Bashkimit Evropian IPA, me të cilin do të përfundohet rikontruimi i objektit ndërsa kontrata me BE-në parashikon që kjo të ndodh në afat prej 18 muajve.

Pronarët e dyqaneve vazhdojnë të bëjnë biznes deri sa nuk dëmshpërblehen nga shteti, ndërsa drejtori është optimist edhe për zgjidhjen e problemeve me pronat apo dyqanet në hyrje të Muzeut.

“Problemi përfundimisht besoj se do të zgjidhet ,zgjidhje konkrete do të ketë shumë shpejtë shpresojmë se do të angazhohen edhe në Qeverinë e vendit do të sillet njëfarë vendimin qe do të dëmshpërblehet pronari i dyqaneve apo të bëhet kompensimi me 2 dyqane të tjera të cilat janë në pronësi të shtetit”, tha Nuer Arsllani.

Shtëpia e Alfabetit në Manastir, është një ndër simbolet e historisë dhe kulturës shqiptare. Dhe afërmendsh, të vështira janë gjasat që maqedonasit të kenë ndjeshmëri për të. Provat janë dhënë për të kundërtën dhe nuk janë pak. Çështja është pse nuk tunden shqiptarët, sidomos Tirana zytare, që mundet të diktojë në shumë forma, për t’ia ndërruar faqen shtëpisë së parë të Pavarësisë, para asaj të Ismail Qemalit në Vlorë, ku plaku patriot ngriti flamurin me të tjerë si ai.

Miradie Hasani – /tesheshi.com/