Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Rritja ekonomike e Kosovës, në “duart” e sektorit privat

Nga Bashkim Kastrati

Edhe pse në vitet e fundit Kosova ka shënuar një trend të vogël të rritjes ekonomike, ndikimi kësaj rritje në jetën e qytetarëve fare pak vërehet. Sipas ekspertëve të fushës së ekonomisë, rritja ekonomike duhet të jetë dyshifrore për të përmirësuar jetën e qytetarëve, konkretisht ndikon në uljen e nivelit të papunësisë dhe varfërisë.

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, rritja ekonomike në Kosovë në vitin 2017 pritet të arrijë në 4.4 për qind, nga 3.4 për qind sa ishte në vitin 2016, ndërkaq rritja ekonomike parashikohet të arrijë 4.8 për qind në vitet 2018 dhe 2019.

Kjo rritje, sipas raportit, thuhet se është nxitur kryesisht nga investimet, mbështetur nga konsumi dhe një rigjallërim i eksporteve.

Sipas raportit në fjalë, eksportet po stimulohen nga rritja e fortë e vendeve të Eurozonës, rritja e prodhimit të metaleve bazë, çmimet e larta ndërkombëtare për nikelin dhe plumbin dhe një rritje me bazë të gjerë në prodhimin e mallrave dhe shërbimeve tjera.

Ekspertë për çështje ekonomike në Kosovë, si lajm të mirë në këtë fushë e konsiderojnë faktin se për herë të parë në vend, rritja ekonomike përmendet se është krijuar nga sektori privat. Sipas tyre, deri më tani pak i është kushtuar rëndësi sektorit privat, i cili është gjenerues i rritjes ekonomike.

Sektori privat substancë e qëndrueshmërisë ekonomike

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), organizoi të dje takim me ministrin e Financave, Bedri Hamza dhe me përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë, të cilët i adresuan problemet e tyre  tek ministri Hamza.

Me këtë  rast, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, deklaroi se rishikimi i buxhetit me vonesë, paraqet pengesën me të cilën është ngulfatur sektori privat.

“Arsyeja që jemi këtu  është që të kemi rishikimin e buxhetit që si Odë Ekonomike e kemi paraparë si një pengesë  që ka ngulfat sektorin privat, sepse ekzekutues i punëve nga sektori publik ka qenë sektori privat  dhe kjo vonesë krijon vështirësi”, deklaroi Gërxhaliu.

Sipas tij, draftbuxheti i vitit 2018-të, është punë e mirë e ekipit të ministrit Hamza. Ai theksoi se është me rëndësi është fakti se këto ditë jemi dëshmitarë të shpalosjes së raportit të Bankës Botërore, dhe ajo që është më interesante është fakti që me marrjen e detyrës për të vazhduar dialogu rreth pakos fiskale me qëllim që të krijohen lehtësira për sektorin publik dhe privat, në veçanti për sektorin prodhues, sektor ky që për ne duhet të jetë substancë e qëndrueshmërisë ekonomike.

“Tentativa ka qenë që kjo pako të jetë në funksion të fuqizimit të sektorit privat  dhe të përmirësimit të indikatorit kyç për qëndrueshmëri ekonomike çfarë është  indikatori i përmirësimit të bilancit të për kontrollin e pagesave”, ka thënë Gërxhaliu.

Ndërsa Ministri i Financave, Bedri Hamza i quajti procese të vështira rishikimin e buxhetit të vitit 2017 dhe planin për buxhetin e vitit 2018, duke premtuar kushte të mira për sektorin privat.

“Te sektori privat kemi reflektuar me fondin për garantimin e kredive. Qëllimi është që ky fond të garantojë kreditë për gjeneratat e reja e për gratë në biznes. Ne jemi të vendosur që bashkë me juve të përmirësojmë kushtet e të bërit biznes. Nuk do të procedoj asnjë ligj në Qeveri e Kuvend pa e pasur kontributin e juaj. Ka me pas trajtim të barabartë për të gjithë,  por ju me komente e juaja do të reflektoni dhe kontribuoni në punën tonë”, deklaroi Hamza.

Zhvillimi i sektorit privat nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie

Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka thënë për tesheshi.com se çdo rritje ekonomike duhet përshëndetur dhe se është shumë i mirëseardhur lajmi se Kosova ka shënuar progres në të bërit biznes.

Ai  mendon se rritja ekonomike është ndikuar nga investimet e diasporës që zakonisht nuk janë në sektorin e biznesit, por orientohen në prona të paluajtshme, që për një ekonomi nuk është tregues shumë i mirë, sepse nuk ndikon në hapjen e vendeve të reja të punës.

“Me ketë duhet të bëjmë dallimin në mes të rritjes ekonomike dhe zhvillimit ekonomik, sepse Kosova përkundër rritjes ekonomike sipas raportit të Bankës Botërore, mirëqenia e qytetarit dhe të hyrat për kokë të banorit, radhitët në fund të Evropës dhe krahasohet me shtetet e Kontinentit Afrikan”, thotë Kadriaj.

Ai thotë se treguesi më real është mirëqenia e qytetarit, sepse kjo tregon që investimet nga ana e qeverisë nuk janë orientuar në sektorët që krijojnë vende pune, por edhe ato investime sipas tij, ua kanë kthyer borxhin sponzorizuesve të fushatave të partive.

“Në vitet e pasluftës sektori privat dhe bizneset përkundër mospërkrahjes me politika ekonomike nga qeveritë ka mbijetuar që me kuptimin e plotë të fjalës mund të quhet heronj të ekonomisë kosovare”, theksoi Kadriaj.

Ndërsa, ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se çdo rritje ekonomike në Kosovë është e mirëseardhur, paralajmërimi i Bankës Botërore se Kosova do të ketë rritje ekonomike prej 4.4% ndonëse i pamjaftueshëm por i mirëpritur, kjo rritje është nxitur kryesisht nga investimet, mbështetur nga konsumi dhe një rigjallërim i eksporteve, marrëveshja e MSA-së dhe përmirësimi i cilësisë kanë ndikuar në rritjen e eksportit dhe për rrjedhojë kemi edhe një ngritje të rritjes ekonomike.

“Sektori privat luan rol jetik në rritjen ekonomike, dihet që sektori privat është faktori kyç i mbushjes së arkës së shtetit, në Kosovë në sektorin privat janë të punësuar mbi 300 mijë veta e në sektorin publik 82 mijë, çka na len të kuptojmë se sektori privat në çdo ekonomi ka rendësi të madhe”, thotë Beqiri.

Ai thotë se aplikimi i pakos së re fiskale siç njihet 1.0 ka kontribuar dukshëm në përmirësimin e të bërit biznes, pastaj propozimi nga qeveria e kaluar e pakos 2.0 edhe më tej do të jetë mbështetëse e sektorit privat. Beqiri thotë se qeverisë së kryeministrit Haradinaj i mbetet që të punojë në mbështetje edhe më të madhe të sektorit privat.

“Gjithashtu edhe një hetim parlamentar rreth privatizimit sepse sipas raporteve zyrtare flitet se ka dhe ka pas tejet shkelje nga ana e disa grupeve kriminale që janë pasurua personalisht dhe e kanë dëmtuar shumë ecurinë e suksesit të bizneseve tashmë të privatizuara”, theksoi Beqiri. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts