728 x 90 Leaderboard

Rritja drastike e çmimit të naftës në Maqedoni: ç’ndodh në grykën e serbatorit?

Një rritje drastike e çmimit të naftës ka ndodhur kohët e fundit në Maqedoni. Për jo më shumë se 8 muaj kemi rritje enorme të vlerës prej 48 denarë për litër në 63 denarë. Ose nëse bëjmë një përllogaritje në bazë të një serbatori automjeti, ashtu siç edhe ka vepruar kryeredaktori i TV Shenja-s, Ismail Sinani duke bërë një ilustrim të thjeshtë në facebook.

“60litra x 48denarë = 2880 denarë(48 EURO)

60litra x 63denarë = 3780 denarë(63 EURO)”, ka shkruar Ismail Sinani në facebook.

Sipas deputetes së partisë në pushtet, LSDM-së, Mira Stojçevska, rritja e akcizës së naftës nuk do të ndikojë tek qytetarët e varfër, pasi sipas saj 60 për qind prej tyre nuk kanë makina.

Stojçeska, si argument gjithashtu përmendi se qytetarët janë të varfër për të blerë makina, ndërsa të pasurit nuk kanë problem me dizel ndonëse paguajnë disa denarë më shtrenjtë.

Ndërsa vlen të theksohet se pikërisht Mira Stojçevska për 9 muaj ka marrë 11700 euro harxhime për rrugën.

Kjo deputete si duket ka harruar që rritja e çmimeve të naftës nuk prek vetëm xhepin e “të pasurve me automobilë”, por që ka ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e çmimit të produkteve me akcizë në përgjithësi. Këtë e shpjegon më së miri Milaim Ameti, ekonomist nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.

“Rritja e çmimeve të derivateve të naftës ishte si pasojë e rritjes së çmimit të akcizës dhe rritjes së çmimit nga komisioni rregullatorë, që si pasojë e kësaj çmimi pësojë rritje prej më shumë 20% mbrenda 1 viti gjë që në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë ndikon në kushtet e të bërit biznes. Me rritjen e çmimeve të derivateve të naftës proporcionalisht rriten edhe harxhimet e kompanive që në ushtrimin e veprimtarisë së tyre shfrytëzojnë të njëjtat qoftë për transport apo për nevoja të tjera. Po ashtu, ndikimi negativ i rritjes së çmimeve të derivateve të naftës ndikon edhe në rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve, që nënkupton reduktim të fuqisë së tyre blerëse nga ku ndikohen edhe kompanitë të cilat operojnë në treg, të cilat ose do të zvogëlojnë fitimimin ose do ti rrisin çmimet”, deklaroi për tesheshi.com, Milami Ameti.

Për ekonomistin Abil Baush, nuk është e qartë se si qeveria e Maqedonisë, gjegjësisht Ministria e Financave, duke pasur parasysh rritjen e çmimit të naftës në tregjet botërore dhe parashikimin se kjo rritje mund të vazhdojë, nuk ka asnjë politikë për zbutjen e buxhetit të rënduar të qytetarëve dhe bizneseve.

“Përkundrazi, taksë ekologjike  e vendosur në Janar të 2018 që është 3,5 denarë në litër të derivateve të naftës e bën edhe më të rëndë buxhetin e qytetarëve dhe të bizneseve. Madje,  ata nuk u dhanë asnjë llogari taksapaguasve për taksën ekologjike,  do të duheshte të sqarojnë për projektet të cilat do i bëjnë me grumbullimin e këtyre parave. Sqarim nuk do gjeni. Me rritjen e çmimit të derivateve të naftës kjo taksë ekologjike prej 3,5 denarë mund edhe mos arrihet të grumbullohet, shkak mund të jenë kursimet e qytetarëve për naftën dhe kjo bën paraqitjen e zbrastirave buxhetore”, tha Abil Baush për tesheshi.com.

Ai, në ndërkohë që kritikon qeverinë e Maqedonisë, merr shembull mënyrën e funksionimit të shteteve me ekonomi më të zhvilluar.

“Shtetet tjera kërkojn burime të reja alternative, bëjn subvencionimin e qytetarëve me p.sh rasti i Gjermanisë me vetyra me elektromotorë, i nxisin qytetarët të përdorin transporte urbane, investojnë në linja hekurudhore me trena elektromotorë, taksat ekologjike i përdorin për edukimin dhe stimulimin e projekteve që kanë të bëjnë prej te krijimi i ushqimit organik deri te intelegjenca artificiale. Në vendin tonë nuk ka asnjë program, projekt ose nisje për zbutjen e kësaj krize. Mbi gjithë këtë kemi edhe deputeten në fjalë që nënçmon intelegjencën njerzore me deklarata paushale të tipit ‘te varfërit nuk preken se nuk kanë vetyra” dhe gjithë kjo të tregon për seriozitetin dhe përkushtueshmërin e të zgjedhurit të popullit dhe qeverisë aktuale’, shtoi ekonomisti Baush.

Kujtojmë se shumica parlamentare të premten e kaluar refuzoi propozimin e opozitës që të shfuqizohet kufiri ekologjik prej 3 denarëve për dizelin, masë e cila u miratua kundër ndotjes së ajrit. /tesheshi.com/

 

Related posts