728 x 90 Leaderboard

Rritet numri i ndërmarrjeve të reja në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot ka publikuar “Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet në Kosovë, TM1 2015”, mbi bizneset e reja të regjistruara në Agjencionin për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Sipas ASK gjatë tremujorit të parë të vitit 2015 (TM1 2015) janë regjistruar gjithsej 2 582 ndërmarrje, ndërsa në tremujorin paraprak , TM4 2014 kanë qenë 2 175 sosh, që vërehet rritje krahasuar me tremujorin paraprak për 407 ndërmarrje, e që shprehur në përqindje kemi për 18.7% më shumë ndërmarrje të reja në këtë tremujor.

Krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, TM1 2014, ka pasur një rënie prej 11.3% e bizneseve të reja.

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me 784 ndërmarrje të reja (30.4%); prodhim me 276 (10.7%); bujqësia, pylltaria dhe peshkatari me 255 (9.9%); akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 253 (9.8%); ndërtimtaria me 237 (9.2%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 144 (5.6%); transporti dhe ruajtja me 143 (5.5%); aktivitete të shërbimeve të tjera me 133 (5.2%); ndërsa, aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël.

Kategoria e numrit të të punësuarve nga 1-4 të punësuar përbën rreth 2 507 ndërmarrje, ose 97.1% e ndërmarrjeve të reja; kategoria me 5-9 punëtorë me 49 ndërmarrje (1.9%); me 10-19 me 15 ndërmarrje (0.6%); 20-49 punëtorë me 9 ndërmarrje (0.3%); te kategoria me 50-249 janë vetëm 2 ndërmarrje; ndërsa, në kategorinë tjetër (250+) nuk është asnjë ndërmarrje e regjistruar në këtë tremujor.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të reja në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron Prishtina me 608 ndërmarrje të reja (shprehur në përqindje 23.5%), Prizreni me 193 ndërmarrje (7.5%), Ferizaj me 190 ndërmarrje(7.4%), Peja me 158 ndërmarrje (6.1%), Mitrovica me 116 ndërmarrje (4.5%), Gjilani me 112 ndërmarrje(4.3%), dhe Gjakova me 110 ndërmarrje (4.3%). Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë këtij tremujori.

Related posts