728 x 90 Leaderboard

Rrëshqitje dheu në Zvicër, tetë persona të zhdukur (video)

Tetë njerëz janë ende të zhdukur, pas një rrëshqitjeje dheu në një luginë alpine në Zvicrën juglindore, njofton policia.

Incidenti në një luginë të largët të popullarizuar për alpinistët, detyroi evakuimin e një fshati në rajonin e Val Bondasca, thanë zyrtarët.

Qytetarë gjermanë, austriakë dhe zviceranë janë në mesin atyre që mungojnë, thuhet në një deklaratë të policisë kantonale të Graubünden.

Gjashtë të tjerë që fillimisht u raportuan se ishin zhdukur, u gjetën më vonë të sigurt përtej kufirit në Itali, njofton agjencia e lajmeve AFP.

Një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar me helikopterë ushtarakë, të pajisur me kamera infra të kuqe dhe teknologji të zbulimit të sinjaleve të celularëve.

Në terren, rreth 120 shpëtimtarë me qen janë duke kërkuar për të mbijetuarit e rrëshqitjes masive të së mërkurës.

“Gjashtë njerëz janë gjetur në Itali”, tha policia lokale për AFP, duke shtuar: “Ka edhe tetë njerëz, vendndodhja e të cilëve mbetet e panjohur”.

Herët të mërkurën, miliona metra kub gurë dhe baltë u derdhën në luginën e Bondasca, duke u ndalur shumë afër fshatit të vogël të Bondos.

Zona e rrëshqitjes është më shumë se 5 km dhe është dhjetëra metra e lartë në disa vende, tha policia.

Rreth 100 banorë vendas u evakuuan menjëherë, ndërkohë që punëtorët e shpëtimit fillimisht raportuan se të gjithë ishin të sigurt.

Fotografitë nga skena tregojnë gurë dhe mbeturina të shpërndara nëpër rrugë dhe prona të rrethuara nga rrjedhat e baltës.

Rrëshqitja e dheut ndodhi rreth orës 09:30 të kohës lokale, kur katër milionë metra kub baltë dhe gurë u përplasën në anën e malit Piz Cengalo, njoftuan autoritetet.

Fshati Bondo pranë kufirit italian, i cili shpëtoi pa u goditur nga rrëshqitja e dheut, është evakuuar tërësisht dhe do të mbetet e mbyllur deri të paktën të premten.

Disa ndërtesa fermash u shkatërruan.

Rajoni i Graubunden në Zvicër është i njohur për rrezikun e ekspozimit ndaj rrëshqitjeve të dheut, kur uji del nga liqenet e larta alpine. /tesheshi.com/

Related posts