728 x 90 Leaderboard

Rrëmbimi nga Limaj i dy deputetëve nga minoritetet: a është sinjal për zgjedhje të reja në Kosovë?

Nga Blendi Gashi

Fatmir Limaj, edhe pse mban postin e zv.kryeministrit në qeverinë “Haradinaj”, ka dëshmuar se flet vetëm për çështjet që ka përgjegjësi por nuk merr rolin e “zëdhënësit” të Ramushit për t’i dalë në ndihmë këtij të fundit gjatë përplasjes eventuale me deputetët në seanca, çka e bënte ish-zv.kryeministri Hajredin Kuçi pothuajse në vazhdimësi gjatë kohës që Thaçi udhëhiqte ekzekutivin duke e mbrojtur këtë të fundit.

Limaj në anën tjetër për as një çast nuk e lë në harresë partinë e tij, ku po mundohet ta forcojë sa më shumë. Dhe këtë e tregon takimi i çdoditshmëm me qytetarë në qytete të ndryshme dhe afrimi i figurave të reja, por së fundmi edhe forcimi i grupit parlamentar me marrëveshjen e nënshkruar me kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha dhe kryetarin e Partisë së Ashkalive për Integrim, Etem Arifi, ku NISMA rritet nga gjashtë në tetë deputet në Kuvend.

Pse u dëmtua LDK-ja…

Limaj. me marrëveshjen e nënshkruar me deputetët nga komunitetet, Berisha dhe Arifi përveç forcimit të partisë në Kuvend ai dëmtoi edhe LDK-në.

Arsyeja është se dy deputetët e lartcekur tre vite e gjysmë më parë, saktësisht më datë 11 dhjetor të vitit 2014-të lidhën marrëveshje bashkëpunimi me LDK-në dhe mbështetën më pas qeverinë “Mustafa”, ku morën edhe ca poste.

Tashmë Limaj pas vetes përveç këtyre deputetëve ka edhe qytetarët nga komuniteti egjiptian dhe ashkalinj. Një mbështetje e dhënë nga Limaj për këto dy komunitete në muajt në vazhdim sigurisht se do i përktheheshin NISMA-s në vota në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa LDK-ja që synon pushtetin tashmë nuk mund të llogaritë në këto vota.

Ky afrim i dy deputetëve të minoriteteve nga Limaj, mund të jetë edhe një sinjal i qartë se zgjedhjet e parakohshme mund të trokasin vitin tjetër dhe për ta përforcuar partinë po përdorë me të drejtë një strategji që PDK-ja ndjek ndër vite ku pranë vetës rrethon pothuajse të gjitha partitë e vogla, ku u jep ca pushtet që më pas i përkthehej në vota.

Ky angazhim i shtuar i Limajt për rritje të partisë mund të vije për shkak se sondazhet e fundit të realizuara nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e kanë nxjerrë mirë NISMA-n me 6.3% të votave të qytetarëve, pra si parti që siguron ulëse në Kuvend edhe nëse garon e vetme në zgjedhje.

Mbetet të shihet muajt në vijim nëse Limaj përveç punës në teren që po bën prej kohësh, do të “transferoi” apo jo edhe ndonjë emër të njohur të skenës politike. /tesheshi.com/

Related posts