728 x 90 Leaderboard

Rregullorja e “shenjtë” për mëditje që po zhvat buxhetin e Kosovës

Nga Bashkim Kastrati

Një pjesë e buxhetit të Kosovës e harxhojnë zyrtarët qeveritarë përmes mëditjeve dhe udhëtimeve zyrtare. Ka zyrtarë që udhëtojnë shumë shpesh jashtë vendit dhe brenda një muaji ata marrin para të majme përveç rrogës bazë.

Shpesh shohim delegacione të mëdha me dhjetëra zyrtarë, këshilltarë, zv.ministra etj., që ia mësyjnë një vendi të Evropës për të marrë pjesë në ndonjë konferencë apo aktivitet tjetër.

Këta zyrtarë, edhe kur marrin pjesë në trajnime të ndryshme marrin mëditje.

Çuditërisht, në vendet ku zyrtarët shkojnë më shpesh janë mëditjet më të mëdha sesa në vende që vizitohen më rrallë.

Mëditjet janë përcaktuar që nga koha kur Kosova administrohej nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK). Kjo rregullore e miratuar në vitin 2004 po mbahet “gjallë” nga të gjitha qeveritë dhe legjislaturat, sepse siç duket është shumë dobiprurëse për ta.

Asnjë parti, asnjë qeveritar apo deputet nuk mori kurrë iniciativë për ta ndryshuar këtë rregullore që përcakton tarifat e mëditjeve për udhëtimet zyrtare jashtë vendit. Kjo tregon se kur vjen puna te përfitimet personale, zyrtarët publikë të të gjitha partive flasin me gjuhë të përbashkët.

Mëditjet janë më të larta për vizitat që bëhen nëpër vendet që shtrihen në hartën gjeografike më afër Kosovës.

Ja sa para “shpenzon” një qeveritar gjatë vizitës në Shqipëri  

Sipas rregullores në fjalë, vizita njëditore e një zyrtari të Kosovës në Shqipëri, i kushton buxhetit të Kosovës, përkatësisht taksapaguesve hiq më pak se 209 euro, që është më lirë sesa të vizitosh Austrinë (198 euro), apo Australinë e largët (160 euro). Se si mund të jetë kostoja ditore e shpenzimeve më e lartë se në Shqipëri sesa në Australi apo në Austri këtë vetëm hartuesit e kësaj rregulloreje mund ta dinë.

Në bazë të kësaj rregulloreje, qëndrimi për vizitë zyrtare në Shqipëri, me një shpenzim ditor prej 209 eurosh bëhet më i leverdishëm sesa ai në Kanada, ku pavarësisht distancës, zyrtarët parashihet të paguhen me 180 euro në ditë.


Për shkak të jotransparencës dhe mungesës së kontrollit të shpenzimeve, ka dyshime se udhëtimet zyrtare dhe mëditjet, jo rrallë keqpërdoren nga zyrtarët qeveritarë. Ka pasur raste edhe kur janë shfrytëzuar edhe kartelat e veçanta bankare që i kanë disa zyrtarë, e të cilat lejohen të përdoren vetëm në raste emergjente.

Në bazë të raportit vjetor financiar për vitin 2017 të cilën Kuvendi e ka miratuar në maj të këtij viti, për tre muajt e fundit të vitit 2017 (tetor – dhjetor) nga 120 deputetët të Kuvendit të Kosovës, 38 prej tyre kanë realizuar udhëtime zyrtare jashtë vendit. Në total, deputetët për këtë periudhë kohore kanë realizuar 53 udhëtime jashtë vendit të cilat i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 39,447 euro. /tesheshi.com/

 

 

Related posts