728 x 90 Leaderboard

Rrëfimi i ish-shoferit të Ramiz Alisë: si ishte t’i shërbeje mbi katër rrota atij burri

Nga Aleksandër Toti

Luan Kapllani është në mes të të gjashtëdhjetave. Edhe pse në prag pleqërie, punon ende, me duart mbi timon. Por të qënit shofer për të, ka qenë diç më tepër se një profesion i rëndomtë për të ushqyer familjen. Sepse ai timon, e bëri jo vetëm shofer të Ramiz Alisë, por dhe shokë të tij, mik të afërt. Për të gjithë ata që e urrejnë komunizmin shqiptar së bashku me ish-krerët e tij, përfshirë dhe Ramizin vetë, të ndjerë tashmë, rrëfimi i Luanit nuk ka pse t`i irritojë, meqë për atë ai ishte një xhanan burrë. Tek e fundit, ndodh që politika mos e reflektojë plotësisht atë që e ushtron atë, karakterin e tij. Pra ndodh ta nxjerr dhe të deformuar. Megjithatë, Luan Kapllani nuk futet në të tilla hollësira që i përkasin shkencave psikologjike dhe shoqërore. Ai rrëfen për Ramizin ato që ndjen dhe ato që ka përjetuar. Dhe thjesht si një shofer…                   

Si ndodhi që përfunduat shofer i Ramiz Alisë?

Kam qenë shofer në Komitetin Qëndror. Kisha rreth një vit që shërbeja një shefi të sektorit të edukimit në gjithë republikën. Dhe një ditë, kolegu im që ishte shofer i Ramizit, pak i moshuar, më tha për mua ekizston bindja që jam djalë i shkathët, pra për të   zëvëndësuar atë. Ndërkohë Ramizi ia kishte lënë në dorë atij që të zgjidhte dhe ai, Muherremi,  më zgjodhi mua.

Ditën që vendosët që merrnit zanatin e shoferit e kishit menduar këtë gjë?

Jo. Unë kam qenë një shofer i zakonshëm. Punoja me një Skoda. Por ishte një kohë kur puna kishte rënë dhe një të njohurit tim që punonte në komitet, i kisha thënë për ndonjë vend pune aty. Dhe kështu kalova nga kamioni në veturë.

Ndërsa tek Ramizi kalova pa ndonjë mik, përveç konsideratës së kolegut tim. Por babai, kur mori vesh se do bëhesha shofer i Ramiz Alisë, më tha që të mos shkoja, se isha më mirë aty rrogën, se me Skodën kisha dhe tre vende bosh që mund të merrja ndonjë pasagjer, se kush ka qenë shofer i politikës ka përfunduar keq etj., etj.

A kishit emocione në të ngarë me që pas kishit shokun Ramiz, dora vetë?

Ramizi ta hiqte emocionin, ai ta bënte shumë të lehtë ngarjen e makinës pasi ishte shumë popullor si natyrë. Ai e kuptonte kur mund të ndiheshe ne siklet apo kishe të kishe emocione. Kishte intuitë të rrallë e në të të tilla raste këndonte dhe ndonjë.

Ç’lloj mjeti ishte ai?

Mercedez-Benz model 380 SEL. Sigurisht që ishte dhe një makinë cilësore, ndoshta nga më të mirat që prodhoheshin  asokohe.

Rrugëve ka lloj-lloj të papriturash, jeni përballur me ndonjë situatë të vështirë apo delikate? Nëse po, na kujtoni atë që më shumë u ka mbetur si përjetim në kohë?

Të papritura mund të them se nisën të ndodhni aty nga vitet ‘89-’90, kohë  kur nisën dhe lëvizjet që më pas do sillnin pluralizmin, dhe situata nuk ishte më si më parë, pra aq e qetë. Kujtoj tani një rast kur shkuam në Shkodër, pas vrasjeve të 2 prillit. Me në udhëtonte dhe Dritëro Agolli. Përpara se të niseshim, Ramizi na thotë se në rast se dikush atje reagon me sharje fyerje a diçka tjetër, askush nga ne nuk duhet të reagonte . Pasi shkuam në Shkodër tek shtëpitë e familjarëve  të të vrarëve, u drejtuam për tek teatri “Migjeni” ku u mbajt një fjalim për Fishtën. Kur mbaruam aty dhe dolëm jashtë për të hipur në makinë, nja 20-30 vetë që ishin aty jashtë, sa e panë filluan duke sharë Ramizin. Ky nuk hipi në makinë, por nisi të shkojë drejt tyre, ndërkohë që Dritëroi e tërhiqte për xhakete:

“Ku shkon?”, i  thotë.

“Ik, më lërë”, i përgjigjet Ramizi dhe vazhdon ecjen drejt tyre.

Ata menjëherë u tërhoqën, ndërsa Ramizi  i përshëndet dhe u jep dorën. Kështu situata u qetësua. Ndërsa ditën tjetër, në disa nga faqet e para të gazetave ishte  shkruar se Ramizi ishte sharë e gjuajtur me tulla dhe gurë nga populli i Shkodrës.

Të jesh shofer i një udhëheqësi, normal që të bie të njohësh dhe disa aspekte të karakterit të tij, tabiate siç i thonë ndryshe. Cilat ishin ato të Ramizit, të cilat dhe i shfaqte gjatë udhëtimit?

Karakterin dhe kulturën e Ramizit mendoj se e kishin të rrallë të tjerët, njerëzit e atij sistemi. Ishte shumë ikulturuar, i ndershëm shumë i thjeshtë, si dhe kishte një humor të hollë. Të tillë e kishte dhe të shoqen, Semiramisin, të bijën e profesor Xhuvanit, apo fëmijët dhe dhëndurët. Ai dëshironte të dëgjonte më shumë muzikë, nuk dilte as për gjah as për peshk. Shpesh luante tenis dhe ping-pong.  Cigaren dhe alkolin s’e pinte fare, kështu që ishte njeri me moral të lartë, me një karakter të rregullt e pa vese.

Po më thoni si ishte njeri me shumë humor, kujtoni ndonjë batut a shaka të tijën gjatë kohës që e shoqëronit?

Më kujtohet njëherë teksa e prisnim të zbriste poshtë nga shkallët e shtëpisë (rezidencës) ku rrinte, dhe rojen tek kabina e rojës e kish zënë gjumi. Ai i afrohet, i bie xhamit, tak-tak tak-tak, dhe kur ai zgjohet i trembur nga frika mos e kritikonte, Ramizi i thotë: “Kujdes se po vjen ministri mbrapa!” (nga pas vinte Hekuran Isai, ministër i Mbrojtjes).

Ndërsa njëherë tjetër, ishin vënë semaforët aty tek Ministria e Mbrojtjes. Në makinë ishte dhe Hekuran Isai. Po ktheheshim nga Pallati i Kulturës kur u ndez semafori i kuq. Unë ndala. Hekurani thotë “ec, ec, s’janë për neve këto”. Menjëherë reagon Ramizi: “E ka mirë Hekurani, s’janë për ne këto, janë për makinën”.

Ishte i heshtur kur udhëtonte, apo e kishte dëshirë të fliste?

Kur udhëtonim ai ishe njeri që e donte shumë muhabetin. Dhe kështu, udhëtimi me të ishte sikur të udhëtoje me një shok apo mik të zakonshëm, Pra nuk kishte fare komplekse.

Dhe cili ka qenë udhëtimi i fundit me të?

Unë i kam shkuar shumë herë pas, edhe deri nja dy muaj përpara se të vine në burg.

Madje, edhe kur ai e kishte lënë detyrën, dhe ditën e fundit që Saliu e nxorri nga rezidenca pasi ai dha dorëheqjen, ditën që e çova në shtëpi. E çova tek shtëpia e vjerrës pasi ai nuk kishte shtëpi. Dy vite ka ndenjur tek vajza dhe krushku. Edhe pse mund të duket e çuditshme për ju sot, ata nuk morën asgjë nga shteti, nuk ia pranonin apo lejonin vetes sepse ishin njerëz parimore dhe me ideale, dhe mbi të gjitha respektonin ligjin. Ata çdo gjë e paguanin me lekët e veta, që nga uji, dritat, ushqimi etj. E vetmja gjë që ai mund të merrte falas, ishte shërbimi i cili i vinte te shtëpia . Çdo gjë e paguanin me librezë, i paguaja unë. Madje pati njëherë një guzhiniere, vajzë e re, e cila e shpërdoronte ushqimin, dhe Ramizi e zëvëndësoi me një tjetër, Feriden, për të cilën thoshte: “Sa mirë na nxjerr Feridja, na nxjerrë lirë”.

Të ishe shoferi i sekretarit të parë në atë kohë apo presidentit më pas duhet të keni pasur dhe një rrogë të mirë besoj. Si paguheshe?

Ah, ç’të të them, as një gjë, një rrogë normale prej shtatëmijë e pesëqind e pesëdhjetë lekë. Biles po ta krahasosh me rrogën e mëparshme që kisha prej shoferi me Skodë, ishte më e vogël sepse merrja dymbëdhjetë mijë apo trembëdhjetë mijë lekë. Thjesht kur vdiq Enveri që më pas u bë sekretari i parë, merrja njëherë në dy vjet një kostum pune.

Dhe në fund si me shaka: shofer i kujt politikan do kishit dashur të ishit, për ta çuar makinën drejt greminës bashkë me të, sigurisht pasi të kishit dalë vetë që aty?

Janë shumë ata që e kanë shkatërruar këtë vend nga radhët e politikës.  S’do mjaftonte një makinë për t’i çuar në greminë, besoj… (qesh)! /tesheshi.com/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Related posts