728 x 90 Leaderboard

Roma “pushtohet” nga një turk: Cengiz Under, i preferuari i Erdoganit, idhulli i ri i tifozëve

Nuk kishte as patentë kur zbarkoi në Itali. Lëvizte me përkthyes kudo, madje edhe për të prerë flokët tek berberi. Vraponte në heshtje gjatë stërvitjes e mezi i kapte idetë e trajnerit Di Francesko.

Por sot Cengiz Under është kthyer në një beniamin për tifozerinë e Romës. 19-vjeçari turk ka shënuar dy gola në ndeshjen që kryeqytetasit fituan me Beneventon, si edhe dha një asist “të qëruar” për Dzeko, në golin që barazoi dizavantazhin fillestar të  Romës.

I preferuari i presidentit Erdogan, i cili kur mësoi kalimin e mëngjarashit tek Roma, edhe i telefonoi personalisht, sot është kthyer në “djalin e artë” të tifozëve fanatikë romanë.

Bashkë me golin e shënuar javën e shkuar ndaj Veronës, Under ka marrë gjithnjë e më tepër vëmendje nga trajneri Di Francesko, i cili tashmë i ka besuar krahun e djathtë të sulmit, vend i mbetur “anemik”, pas largimit të Mohamed Salah.

I blerë nga Basaksehir i Stambollit për afro 15 milion euro (përfshi bonuset), 19-vjeçari i ka fituar në fushë minutat e zgjatura të një ndeshjeje, pasi nga një lojtar që në fillim luante 10-15 minuta, sot pas 6 muajsh, ai është kthyer në pikë referimi, e qëndron në fushë për 80 minuta.

Në ndeshjen e fundit, trajneri e zëvendësoi pikërisht në minutën e 80-të, kur ndeshja praktikisht ishte mbyllur, vetëm për t’i dhënë kënaqësinë e një standig ovation nga ana e publikut, që e duartrokiti gjatë sulmuesin, duke thirrur njëkohësisht edhe emrin e tij. /tesheshi.com/

Related posts