Risia që solli hidrocentrali i Banjës në ligjërimin opozitar: ja dhe puna jonë e djeshme…

Nisja nga puna e hidrocentralit të Banjës ka përbërë një risi në ligjërimin opozitar të Partisë Demokratike. Në qindra konferenca  e deklarata shtypi gjatë tre viteve, të dominuara krejtësisht nga akuzat, PD-së i ka munguar pothuajse tërësisht rrahja e gjoksit mbi atë çfarë vetë kishte arritur në 8 vite qeverisjeje në të gjitha fushat apo sektorët për të cilat ka ngritur akuza ndaj qeverisjes. Dhe kjo jo aq për modesti, pasi deklarata e një dite më parë pas vënies në punë të Banjës, e tregon këtë qartazi këtë “mungesë të dukshme virtyti” të politikës, edhe kur arrin të bëjë vërtetë diçka.

Ja deklarata e djeshme e Bashës:

Sot është një ditë përgëzimi për kompaninë Statkraft e cila ka përfunduar veprën e parë të projektit “Hidropoëer Devoll”në hidrocentralin e Banjës. Është një ditë përgëzimi për një kompani e cila në vitin 2009, falë vizioni, planit dhe programit të qartë të qeverisë së Partisë Demokratike për energjitikën në vend, u kthye në investitorin më të madh të huaj në Shqipëri, në një sektor strategjik, siç është sektori i energjitikës.

Ky vizion që përfshinte taksat e ulëta, kushtet e përshtatshme për investitorët e huaj, sigurinë për ta dhe shpalljen e energjisë si prioritet absolut, bëri të mundur që Statkraft dhe partnerët e tyre të vinin në Shqipëri dhe të merrnin përsipër një ndër projektet energjitike më të mëdha në Europë.

Bashkë me përgëzimet dua të shpreh sot edhe mirënjohjen, edhe krenarinë tonë të ligjshme se kjo vepër do të përmirësojë situatën energjitike në vend dhe mbi të gjitha ka punësuar gjatë viteve të ndërtimit mijëra qytetarë shqiptarë. Po kështu, dua të shpreh kënaqësinë që pjesa e kontratës koncensionare e firmosur me qeverinë shqiptare të Partisë Demokratike për ndërtimin e një rrjetit rrugor si pjesë e koncensionit, sot është materializuar me një infrastrukturë tërësisht të përmirësuar për qytetarët, për banorët e zonës përreth hidrocentralit, kryesisht të bashkisë së Gramshit.
Devolli, bashkë me projektin tjetër të firmosur nga qeveria demokrate atë të TAP-it, kanë mbajtur gjallë investimet e huaja në vend edhe gjatë 3 viteve të qeverisjes Rama të cilat kanë qenë vite shkretëtire sa i përket investimeve të huaja dhe zhvillimit të ekonomisë.

Por tej mungesës së modestisë, kjo deklaratë duhet konsideruar si “historike” në të gjithë ligjërimin opozitar, që përgjithësisht puna ia do të përqëndrohet tek akuzat.  Për herë të parë ne kemi një formë krahasuese në sferën e arritjeve qeveritare, që pak ose aspak zë vend në diskursin e përgjithshëm të testit politik.

Fjala vjen, opozita akuzon qeverinë për drogën, por nuk thotë se cilat ishin arritjet dje kur qeveriste në luftën kundër saj.

Akuzon për atë që sipas saj po ka korrupsion në sistemin energjitik, por e ka të pamundur të thotë se si e menaxhoi ajo atë sistem dhe se ç’bilanc financiar la.

Akuzon për Arsimin, por nuk thotë se në ç’standarte e la ajo këtë sektor delikat të edukimit pas 8 vitesh qeverisjeje.

Akuzon për Shëndetësinë, por gjithashtu nuk thotë se ç’reforma ndërrmori në këtë sektor të degraduar dhe se ç’arritje pati.

Akuzon se qeveria do që të kapë drejtësinë, por nuk thotë nëse ajo vetë e kapi gjatë 8 viteve qeverisjeje dhe si e la në fund këtë segment bazë të shtetit.

Akuzon për pronat, por nuk thotë se ç’zgjidhje i dha ajo një prej çështjeve me të komplikuara të realitetit shqiptar.

E kështu me radhë…

Partia Demokratike do bënte mirë që për çdo akuzë që ngre, ta shoqërojë atë modelin e lënë prej saj sipas çështjeve respektive, e po ashtu me atë që ofron nëse do vinte në pushtet.

Sidomos për drogën, ku është mirë ta artikulojë qartë se çfarë do bënte me të po të vinte dhe njëherë në pushtet. /tesheshi.com/

 

 

 

 

auto pjese dak

Related posts