728 x 90 Leaderboard

Rikthimi krizës së Teatrit Kombëtar: ç’ka pas rebelizmit të artistëve?

Nga Ermir Hoxha

Pas 18 vitesh është rikthyer kriza në Teatrin Kombëtar, apo më mirë për Teatrin Kombëtar, mes aktorëve e pushtetit. Ndryshimi është se Edi Rama, atëherë ministër Kulture, sot është kryeministër. Ata nuk janë direkt me të ballëpërballë, pasi mes tyre është ministrja Kumbaro. Çështja është po ajo: shembja e teatrit të vjetër për të ndërtuar një të ri.

18 vjet më parë, Rama u zbraps nga projekti i tij, duke lënë pas në kujtesë vetëm batutën nervoze të “brekëve të Violeta Manushit” (ndjesë pastë). Ai e nisi karrierën si qeveritar duke marrë frenat e Kulturës, më së pari me një reformë në TOB. Me të emëruarën e tij në krye të këtij institucioni, Zana Çela, Rama ndërhyri në statukuonë e deriatëhershme të mënyrës se si ishte strukturuar aktiviteti artistik, individualisht e në grup, duke provokuar dhe të parën grevë urie artistësh. Në krye të rebelizmit qëndronte dirigjenti Bujar Llapaj, i cili kohë më vonë do ta linte Shqipërinë për Kanadanë.

Beteja e Ramës më pas u zhvendos te Teatri Kombëtar, me projektin e ndërtimit të një të riu, veç asaj të aplikimit të një reforme, gjë që u kundërshtua fort nga artistët. Ata, të ushqyer nga një përfolje konspirative mbi ndërtimin e një kulle, ku dy kate do ishin teatër, u rreshtuan fuqishëm kundër Ramës, duke preferuar të mbesin aty, tek ish-Dopo Lavoro-ja e italianëve, shndërruar nga regjimi komunist në Teatër Popullor, siç quhej në 45 vite.

Në vite u përfol gjithnjë për ndërtimin e një të riu, herë me idenë te Parku Rinia e herë te Piramida. Ndërsa tani është kthyer ideja fillestare, ajo e ndërtimit të një të riu aty ku është.

Qeveria ka bërë gati “Turbinën”, një teatër të ri te Tirana e Re, aty ku është planifikuar të zhvendoset trupa e Teatrit Kombëtar deri në realizimin e të riut, por artistët kanë dalë kategorikisht kundër, duke patur një unitet që zakonisht në rrafshin shoqëror nuk e kanë. Në terma aspak artistikë, ambienti i Teatrit Kombëtar është konsideruar gjithnjë si një koshere bletësh.

Po pse kundërshtohet ikja te “Turbina”? Për arsye tipike shqiptare ku elementi konspirativ bën të vetën. Artistët ndihen të shpërfillur nga qeveria, deri dhe të përzënë, duke dyshuar se shtëpia e tyre, siç e quajnë ata Teatrin Kombëtar, do zëvëndësohet me ndonjë kullë, ngrehinë biznesi a banimi, si ato që sundojnë qendrën e Tiranës, ku ajo, Dopo Lavoro-ja e dikurshme fashiste e më pas Teatri i tyre i dashur, do shuhet përfundimisht. Edhe nëse do jetë i riu, unik apo i integruar brenda ndonjë ngrehine, fakti që ajo me të cilën ata identifikohen; ajo ku shpirti i tyre është aty, që edhe pa luks e me 1001 probleme nuk do jetë më, i bën që ta refuzojnë të renë, ose thënë ngritjen e plaçkave, duke i bërë që të jetojnë një realitet të dyzuar. Ata hem qahen për një të ri, e hem e kanë të vështirë të heqin dorë nga i vjetri. “Duam transparencë”, është thirrja e tyre, që me gjasë, edhe nëse do u jepet siç e ata e duan, vështirë se e zbuzë apo shuajë rebelizmin.

Ndaj, më mirë do ishte që qëndrimi i tyre të ishte i prerë: ose pro një të riu të tërësishëm, ose pro të vjetrit duke kërkuar vetëm ndërhyrje për rikonstuktim, me ruatjen e pamjes e linjave arkitekturale që ka, ashtu pa ndonjë pasuri elementesh. Si kartë e kësaj të fundit mund të ishte dhe fakti se ajo që ka një pishinë në oborr që e bën unik. Mjaft të jetë me ujë dhe i shfrytëzueshëm.

Ndërkohë, ja vlen të kujtohet se ç’fat kanë patur dy salla kinemaje të shembura ku në vend të tyre janë lartuar ngrehina banimi e biznesi.

“Kinema 17 nëntori” te Rruga e Barrikadave, – u bë zhurmë e madhe atëherë kur ajo do i linte vendin një pallati. U tha se kinemaja do integrohej brenda saj duke ruajtur dhe pamjen e jashtme me harqe. Por ajo sot nuk figuron asgjëkundi, aty ku sot ngrihet pallati.

Kinema Republika, ose “Millenium 1” te Rruga e Kavajës – Pallati i xhamtë që po ngrihet aty ku ishte ajo dikur, e rehabilituar në erën Rama, nuk ka përfunduar ende. Eshtë thënë dhe për këtë rast se kinemaja do jetë e integruar brenda, por nuk dihet ende nëse kjo ka ndodhur.

Si përfundim duhet thënë se Tirana nuk ka krizë sallash teatri apo kinemaje, ajo ka krizë kulturor…brenda një krize besimi të pashërrueshëm gjithëshoqëror. /tesheshi.com/

 

 

Related posts