Rikthehet në krye të “Serpska”-s Aleksandar Jabllanoviq, njeriu që i quajti “egërsira” nënat gjakovare

Aleksandar Jabllanoviq është kryetari i ri i Listës Serbe në Kosovë. Këtë gjë e ka konfirmuar ai vetë për mediat duke thënë se “Po, është e vërtetë se jam kryetar i Listës Serbe”, por që nuk ka dhënë hollësi më shumë.

Edhe drejtoresha e zyrës për regjistrimin e subjekteve politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Miradije Mavriqi ka konfirmuar këtë ndryshim në përbërjen e grupit parlamentar të “Srpska-s”.

Ajo ka thënë se është bërë pranim-dorëzimi i detyrës në krye të Listës Serbe nga kryetari i deritashëm i saj, Sllavko Simiq te Aleksandar Jabllanoviq.

“Çdo gjë është bërë sipas rregullave, legjitime e legale. Më herët, më 2015 Jabllanoviq kishte bartur autorizimet te Simiqi, ndërsa tash ato ia ka rikthyer vetes”, ka deklaruar Mavriqi, duke shtuar se kjo punë është kryer më 3 prill.

Jabllanoviq është themelues i Listës Serbe, ndërsa funksionin e kryetarit e ka ushtruar deri më 23 tetor të vitit 2016, kur u ndërrua nga Qeveria e Republikës së Serbisë dhe në vend të tij u caktua Sllavko Simiqi.

Pas ndërrimit nga Lista Serbe, Jabllanoviq ushtroi funksionin e sekretarit të Shtetit në Ministrinë e Punës të qeverisë së Serbisë, por nga kjo detyrë u tërhoq pas arrestimit të vëllait të tij për posedim të drogës, i cili po shfrytëzonte automjetin zyrtar të kësaj ministrie.

Jabllanoviq një kohë të shkurtër ka qenë në krye të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, prej nga u shkarkua pas deklaratave që fyenin nënat gjakovare , të cilët ky i kishte quajtur “egërsira”. Kjo ndodhi pas protestave kundër tij në tërë Kosovën. /tesheshi.com/