Rezoluta për ngulimet izraelite: Netanyahu thërret ambasadorin amerikan

Kryeministri izraelit thirri të dielën për shpjegime ambasadorin amerikan në Izrael, Dan Shapiro. Diplomati amerikan ishte i fundit në radhën e ambasadorëve të të gjitha vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të thirrur nga Ministria e Jashtme e Izraelit për votimin e rezolutës që i dënon ngulimet në territoret palestineze.

Dan Shapiro u thirr për të diskutuar vendimin amerikan për abstenim gjatë miratimit të rezolutës në Këshillin e Sigurimit. Abstenimi i SHBA-së i dha mundësi rezolutës të miratohej.

Izraeli ka reaguar me zemërim pas miratimit të rezolutës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Netanyahu i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme të vendit të tij të përgatisë një plan veprimi mbi marrëdhëniet e Izraelit me institucionet e OKB-së.

Madje Netanyahu ka bërë përgjegjës presidentin amerikan Obama dhe sekretarin e Shtetit, John Kerry, për miratimin e rezolutës.

“Nuk kemi dyshim se atë e nisi administrata e Obama-s, qëndroi pas saj, i bashkërendoi projektet dhe kërkoi të miratohej ajo,” ka deklaruar kryeministri izraelit në nisje të një mbledhjeje të përjavshme të kabinetit qeveritar.

Netanyahu ka anuluar në këtë kuadër dhe një takim të ardhshëm me kryeministren britanike, Theresa May.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi të premten një rezolutë që e dënon politikën izraelite të ngulimeve dhe i kërkon Izraelit ta ndërpresë menjëherë ndërtimin e tyre të mëtejshëm. /tesheshi.com/

 

Related posts