Republikanizmi francez: ja pikëpamjet e presidentit Macron për shtetin, fenë dhe Islamin

Etërit themelues të Amerikës, të ndikuar nga Iluminizmi Francez, ishin të vendosur të mos lejonin që luftërat fetare të stilit europian të shqyenin republikën e tyre të re. Edhe pse njerëzit ende debatojnë për atë që themeluesit kishin saktësisht në mendje, historianët dakordësohen se shmangia e konfliktualitetit të brendshëm ishte një nga shqetësimet e tyre madhore kur ndaluan vendosjen e ndonjë besimi të veçantë si fe zyrtare.

Si njerëz të arsimuar me brum europian, ata i njihnin mirë luftërat e tmerrshme mes protestantëve dhe katolikëve të botës së vjetër. Jo më pak se tetë raunde luftimesh për dominim, shkatërruan Francën e shekullit të 16-të. Disa themelues, si për shembull John Jay me origjinë franceze, kishin kujtime gjenetike të këtyre tmerreve.

Thomas Jefferson, një anglikan skeptik, mburrej se liria fetare në vendlindjen e tij Virxhinia “ishte të mirëkuptonte, brenda mantelit të mbrojtjes së vet, hebrenjtë, të krishterët dhe muslimanët, hindutë dhe të pafetë e çdo prirjeje”.

Presidenti i ri i Francës, Emmanuel Macron duket se ka një ndjeshmëri gati të ngjashme. Në një nga deklarimet e tij më të detajuara për historinë, fenë dhe shtetin, një fjalim mbajtur në Montpellier tetorin e kaluar, ai u shfaq elokuent mbi subjektin e çështjes së konfliktit midis protestantëve dhe katolikëve një gjysmë mijëvjeçari më parë:

“Franca u përfshi nga zjarri dhe gjakderdhja, përjetoi urinë, përjetoi gjërat më të këqija, gati u copëtua përgjithnjë për shkak të vendimit… për të përjashtuar, apo për ta cilësuar një palë si fajtore dhe për t’i asgjësuar ata…”

Pala e përjashtuar së cilës ai iu referua ishin protestantët. Ashtu si dhe shumë bashkëpatriotë të tij që mendojnë njësoj për historinë, Macron ngre lart kujtimin e mbretit Henri IV, i cili ishte taktikisht fleksibël në lidhje me identitetin e tij fetar dhe që konfirmonte tolerancën e rrëfimit. Dhe ai sheh me tmerr momentet më të errëta të historisë së fesë në Francë, si dëbimet masive të protestantëve në vitin 1685.

Me gjithë intensitetin e tij mendor, Macron nuk po jepte thjesht një leksion historie në vetvete. Qëllimi i tij ishte të paralajmëronte bashkëpatriotët të mos përsërisin gabimet e Mesjetës. Ashtu si ishte gabim dhe e pakuptimtë për Francën mesjetare që të demonizonte protestantët, kështu do të ishte po aq e gabuar për politikanët e sotëm të demonizojnë Islamin apo ndjekësit e tij.

Edhe pse ai pranon se Islami ishte një subjekt unik shqetësimi për Francën e sotme, ai ishte po aq i paepur në mendimin se asnjë besim nuk është në vetvete problem. Qëllimi i regjimit laik të Francës (sekularizmi strikt) nuk është “për të ndërmarrë një betejë kundër këtij apo atij besimi në veçanti, jo të përjashtojë, jo të vendosë gishtin…”. Ashtu si e shpreh Macron, funksioni i laicitetit nuk ishte të vendoste nën kontroll besimin, por të afirmonte dhe të përforconte lirinë fetare, edhe pse në mënyrë strikte brenda kornizës së ligjit.

Kjo ndjesi e fundit është më shumë karakteristikë ndarjes amerikane të kishës nga shteti sesa e sekularizmit francez në formën e tij më fanatike anti-klerike.

Duket me vlerë të analizohen idetë e Macron-it për besimin për shkak se ai shfaq një interes të veçantë për subjektin. Ai është pagëzuar në besimin katolik me kërkesën e tij në moshën 12-vjeçare dhe u shkollua nga jezuitët, katolikë që shpesh jetojnë në kufirin midis besimit të tyre dhe besimeve e kulturave të tjera.

Macron i ka përngjasuar problemet e Bashkimit Europian dhe sistemit të tij monetar me ato të një konflikti fetar. Veriu protestant ka një sjellje të ngurtë dhe moraliste në lidhje me borxhin, ndërsa jugu katolik, me kulturën e tij të rrëfimit dhe absolutizimit, ka marrë një pikëpamje më të shkujdesur, ka thënë ai një herë.

Për temën e Islamit, një pjesë e atyre që thotë Macron është gjerësisht ajo që mund të pritet nga një politikan centrist në Francë. Muslimanët francezë duhet të inkurajohen të zhvillojnë leximin e brendshëm e të ndriçuar të besimit, plotësisht në përputhje me ligjet e republikës. Ata duhet të ndihmohen për t’u shkëputur nga burime e dyshimta të financimit të huaj. Ata duhet të jenë pjesë e luftës kundër terrorizmit. Edhe pse shteti mund të lehtësojë procese të tilla, përgjegjësia kryesore duhet të lindë nga vetë muslimanët.

Pjesa më e madhe e këtyre ndjenjave, janë shprehur edhe nga ofiqarë të tjerë francezë, dhe ato mund të jenë me vlerë, por të vështira për t’u vënë në zbatim. Por në fjalimin në Montpellier, Macron tha një gjë që ishte tepër e diskutueshme si për muslimanët ashtu edhe për jo-muslimanët:

“Misioni ynë… do të jetë i vështirë, do të kërkojë kohë, do të jetë kërkues për të gjithë burrat dhe gratë… do të jetë të veprosh në mënyrë të atillë që populli francez i besimit musliman të jetë gjithnjë e më krenar në të qënit francez sesa në të qënit musliman…

A mundet aktualisht kjo të jetë e kuptueshme? Të jesh një qytetar i republikës Franceze, me të gjitha të drejtat, detyrimet dhe aksiomat ideologjike, është një çështje me pretendime. Për mbështetësit më të zellshëm, republikanizmi francez supozohet të mbisundojë gjithë besnikëritë e mëparshme, të qënit katolik, protestant apo hebre.

Por të jesh një musliman, anëtar i umma-s, komunitetit global të besimtarëve, është gjithashtu mjaft kërkuese. Në praktikë, njerëzit gjejnë mënyra për të negociuar besnikëritë e tyre politike e fetare. Islami nuk u kërkon mbështetësve të tij të mos u binden ligjeve të shteteve të mirë-organizuara: përkundrazi, ai inkurajon një mënyrë të kujdesshme dhe konservatore të jetuari. Por për shumë muslimanë, t’u kërkosh të jenë “më pak krenarë” për besimin e tyre sesa për pasaportën, është të kërkosh shumë.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/