728 x 90 Leaderboard

REPORTAZH/ “Nuk ka lidhje me çfarë është e drejtë”: maqedonasit përgatiten të votojnë për ndryshimin e emrit

Shumë maqedonas e pranojnë vetullngrysur nevojën për ndryshimin e emrit në mënyrë që të bashkohen me NATO-n dhe BE-në.

E Veriut. Është thjesht një fjalë e shkurtër, por në Maqedoni javëve të fundit, kjo fjalë ka ndezur shumë e shumë debate, orë të tëra diskutimesh në kafene dhe faqe pa fund komentesh të zemëruara online.

Referendumi në fund të muajit do u kërkojë qytetarëve nëse ata kanë vullnetin ta shtojnë këtë fjalë në emrin zyrtar të vendit, duke e bërë republika e Maqedonisë së Veriut.

Ndryshimi është pjesa kryesore e marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë nënshkruar nga kryeministrat respektivë në qershor. Greqia e ka bllokuar prej shumë kohësh pranimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Europian, duke pretenduar se emri i fqinjit verior është një përshtatje e padrejtë e rajonit verior të Greqisë, Maqedonisë.

Për shumë njerëz brenda Maqedonisë, ndryshimi i emrit përbën një çështje delikate.  “Nuk është puna vetëm për një fjalë. Mendoni për Irlandën e Veriut dhe Irlandën. Fjalët kanë kuptim”, thotë Sasho Klekovski, sondazhues dhe analist i cili është kundër marrëveshjes.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Dimitrov, i cili kaloi muaj në negociata me homologun e tij grek duke peshuar detajet e marrëveshjes, thotë se ajo do të ofrojë një rrugë të përpara për kombin e vogël me rreth 2 milionë njerëz që ka pasur vështirësi që u kur u bë i pavarur pas rënies së Jugosllavisë.

“Ne e kemi humbur një brez. Unë jam 45 vjeç dhe isha 18 kur Maqedonia u bë e pavarur. Në një farë mënyre, është një mundësi e dytë për brezin tonë që t’ia dalim”, thotë ai në një intervistë për “The Guardian” nga zyra në Shkup.

Më 30 shtator, popullsia do të pyetet: “A jeni në favor të anëtarësimit në NATO dhe në BE, dhe pranimit të marrëveshjes së emrit midis republikës së Maqedonisë dhe Greqisë?”

Kritikët e qeverisë thonë se rregullimi i fjalëve është manipulativ, por ministrja e Mbrojtjes, Radmila Šekerinska, thotë se është mjaft e përshtatshme të përmblidhje në frazë dy pjesë. “Nëse kishte një shans që të hynim në BE dhe në NATO pa marrëveshjen me Greqinë, të gjithë do kishim qenë të lumtur”, thotë ajo. “Të mohosh lidhjen midis BE-së dhe NATO-s dhe marrëveshjes do të thotë të jesh jo racional”.

Pak maqedonas janë pozitivë në lidhje me ndryshimin e emrit, por shumë prej tyre flasin vetullngrysur për ta pranuar atë, që mund të duket si një procedurë mjekësore e pakëndshme, por e nevojshme.

“Ne jemi një vend i izoluar, i vogël dhe i varfër, kështu që le ta bëjmë. Nuk është e drejtë, por kjo nuk ka lidhje me atë që është e drejtë por me atë që është mirë për të gjithë. Nëse ka një shans që njerëzit të jetojnë më mirë, le ta marrim”, thotë 31-vjeçarja Sanja Arsovska, aktore e teatrit të Shkupit.

Marrëveshja është kundërshtuar fort nga nacionalistët në të dy anët e kufirit – të shtunën, protestuesit grekë u ndeshën me policinë – por sondazhet sugjerojnë se një shumicë e ngushtë është në favor të marrëveshjes, e rritur edhe nga mbështetja dërrmuese midis komunitetit të madh të shqiptarëve etnikë në Maqedoni.

Konflikti i gjatë midis Shkupit dhe Athinës u komplikua gjatë viteve të fundit nga një projekt “vjetërsimi” ndërmarrë nga qeveria nacionaliste e kryeministrit të mëparshëm, Nikola Gruevski, përmes të cilit u ngritën në Shkup me dhjetëra statuja, shatërvanë e ndërtesa të mëdha të zbukuruara me kolona të mermerta.

Kryevepra është një kompleks shatërvanësh në sheshin qendror, në krye të të cilit qëndron një statujë e Aleksandrit të Madh në kalë. Monumentet zemëruan Greqinë që akuzoi Shkupin se po përvetëson trashëgiminë kulturore dhe historike helene.

Gruevski u nxorr nga zyra nga vitin 2016, pas një skandali përgjimesh dhe tashmë është në proces gjyqësor për një sërë akuzash. Qeveria e re arriti marrëveshjen me Greqinë por do të kërkojë mbështetjen e disa segmenteve të partisë VMRO-DPMNE të Gruevskit, për ta miratuar, pasi referendumi është vetëm konsultativ.

Diplomatët perëndimorë po sugjerojnë që një votë “pro”, madje edhe me një pjesëmarrje më poshtë se pragu 50 për qind që kërkohet për të qenë i vlefshëm. Koalicioni qeverisës do të ketë nevojë për të bindur rreth 10 deputetë nga VMRO që të votojnë me ta në mënyrë që të arrijnë shumicën prej dy të tretash e kërkuar për ndryshimet kushtetuese.

Zyrtarët e VMRO janë të tërbuar që Maqedonisë do i duhet të ndryshojë emrin e vet jo vetëm në komunikimet ndërkombëtare por edhe së brendshmi, në pasaporta, emrat e ministrive dhe gjithë referencat e tjera për Maqedonisë që do të zëvendësohen me Maqedoni e Veriut.

“Ata do të kishin një marrëveshje më të mirë nëse do t’i kishin lënë grekët ta shkruanin vetë, për shkak se me gjasa grekët do të kishin qenë pak në siklet për të marrë absolutisht gjithçka”, thotë

Aleksandar Nikoloski, zëvendës-kryetari i VMRO, në një intervistë për “The Guardian”, në selinë e partisë, një ndërtesë mbresëlënëse e mbushur me vepra arti që reflektojnë vizionin e madhështisë së Gruevskit.

VMRO ndodhet nën presion intensiv ndërkombëtar të mos e hedhë poshtë marrëveshjen dhe nuk ka njoftuar ende nëse ata do të bëjnë thirrje për bojkot ose jo ndaj referendumit. Nikoloski i ka mohuar pretendimet e qeverisë që partia ka ofruar mbështetje për marrëveshjen në këmbim të një amnistije për Gruevskin dhe të tjerë.

Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev në qershor.

Ndërkohë që po përpiqen të tërheqin opozitën, zyrtarët maqedonas po mbajnë në vëzhgim edhe Moskën gjatë fushatës. Rusia e ka kundërshtuar hapur pranimin e Maqedonisë në NATO dhe është akuzuar se po punon pas perdes për të hedhur poshtë marrëveshjen. Greqia së fundmi, dëboi diplomatë rusë, duke i akuzuar ata se ofruan ryshfet për kundërshtarët e marrëveshjes.

Në Maqedoni, forca kryesore pro-ruse është Janko Bachev, politikan që ka hyrë së fundmi në skenë fort me partinë Maqedonia e Bashkuar. Bachev, duke folur nga selia e partisë ku qëndron i varur një flamur rus në ballkon, pretendoi se sondazhet tregojnë se shumica e maqedonasve në favor të anëtarësisë në NATO janë “financuar nga CIA” dhe këmbënguli që pjesa më e madhe e maqedonasve e kundërshtojnë marrëveshjen.

Ai e mohon që ka marrë financime nga Rusia dhe thotë se dëshiron që Maqedonia të hyjë në një aleancë strategjike me Kremlinin.

Bachev, i cili bën thirrje për bojkotim të votimit, nuk shihet si një forcë politike serioze nga pjesa më e madhe e vëzhguesve, por diplomatët perëndimorë pavarësisht kësaj po ndjekin me ethe, lëvizjet e Moskës.

“Për vite, Rusia nuk ka thënë kurrë diçka për Maqedoninë, papritmas ata dalin me të gjithë llojet e deklaratave”, thotë një prej tyre. “Nuk e di nëse do të ndërmarrin ndonjë grusht shteti të stilit të Malit të Zi, por fare mirë mund të fusin një grup njerëzish në mes të turmës e të krijojnë trazira”, shton ai.

Vendet perëndimore po nxisin fort që marrëveshja të jetë e suksesshme, me kancelarin gjermane Angela Merkel që vizitoi Shkupin këtë fundjavë.

Nëse marrëveshja miratohet, Shkupi dhe Athina janë marrë vesh të kenë mosmarrëveshje se kush apo çfarë është një maqedonas: një nën-klauzolë e marrëveshjes thotë “palët shprehen të vetëdijshme për kuptimin respektiv të termave ‘Maqedoni’dhe ‘maqedonas’u referohen kontekstit dhe trashëgimisë së ndryshme historike e kulturore”.

Kur vjen puna tek monumentet e Aleksandrit të Madhe dhe heronjve të tjerë klasikë në Shkup, qeveria ka rënë dakord që brenda gjashtë muajve të ndërmarrë “veprime korrigjuese” duke riemëruar monumentet që “i referohen në ndonjë mënyrë historisë dhe civilizimit të lashtë helen”.

Dimitrov thotë: “Në të kaluarën ne sakrifikuam realitetin tonë për mitologjinë. Tani jemi duke sakrifikuar mitologjinë për realitetin dhe realiteti është ai që ka rëndësi”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts