Në Parkun e Gërmisë, aty ku treni ekologjik mbahet për “bukuri” dhe ajri ndotet nga makinat

Nga Bashkim Kastrati

Edhe pse që nga viti 2013 është folur për aktivizimin e trenit ekologjik në parkun e Gërmisë, kjo ende nuk ka ndodhur. Në fakt treni është blerë nga administrata e kaluar e komunës Prishtinë, e udhëhequr nga Isa Mustafa, por nuk është aktivizuar fare.

parku i germiseSipas drejtuesve të Komunës së Prishtinës, edhe pse nuk është aktivizuar kurrë, ky tren aktualisht nuk është në rregull teknikisht. Ai është testuar vitin e kaluar, për të parë sa shpenzon, sa do të kushtojë bileta etj., por gjatë testimit është vërejtur se dyert nuk i mbyllen si duhet dhe hapen gjatë lëvizjes, gjë që duhet rregulluar dhe komuna është duke shikuar mënyrën se si është blerë dhe pranuar teknikisht për të parë më se a duhet ta rregullojë këtë problem komuna, apo kompania që ia ka shitur komunës, pasi që probleme me dyert ka pasur prej se është blerë. Derisa të zgjidhet ky problem, nuk mund të vihet në funksion dhe aktualisht po qëndron në garazhet e Trafikut Urban.

Ideja e aktivizimit të këtij treni ekologjik është që të shmangët shkuarja e veturave përtej rampës, për shkak se e ndotin ambientin në atë zonë malore, si dhe ndër vite kanë shkaktuar aksidente të shumta, sidomos duke aksidentuar biçiklistët.

Në fakt ky nuk është tren si të tjerët, por është një autobus i veçantë që e ka formën si të trenit, ka një mekanizëm që funksionon me energji elektrike dhe është ekologjik. Treni i parkut është me rrota si veturat, por moror ka vetëm lokomotivat.

Në shikim të parë këta trena duken si lodra fëmijësh, por janë shumë funksionalë dhe punojnë me bateri, gjegjësisht mbushen me rrymë. Do të jenë shumë komod për vozitje, nuk kanë shpejtësi të madhe dhe nuk janë të rrezikshëm për udhëtim.

Në lidhje me këtë çështje zëdhënësja e Komunës së Prishtinës Miranda Mullafazliu – Bejta, ka thënë për tesheshi.com se për vënien në funksion të trenit duhet plotësuar edhe disa kushte.

Ajo nuk ka specifikuar ndonjë afat kohor në lidhje me këtë çështje, por ka thënë se së pari duhet të aprovohet rregullorja që  e mundëson funksionimin e tyre.

“Komuna e Prishtinës është në proces të shpalljes se parkut Gërmia si zonë e mbrojtur dhe pastaj edhe do të aprovohet rregullorja, e cila është duke u hartuar, e që është e nevojshme në mënyrë që ky tren të vihet në funksion”, thotë Mullafazliu – Bejta.

Ajo nuk është përgjigjur pyetjes për gjendjen teknike të trenit dhe se a janë ata të gatshëm qysh tash të vihen në funksion sa i përket aspektit teknik.

treni2 (1)Çmimet do të jenë të volitshme

Udhëtimi me këtë tren pritet të jetë komod dhe atraktiv, ndërsa edhe çmimet priten të jenë të favorshme për qytetarët.

Zëdhënësja Bejta, thotë se ende nuk është vendosur për çështjen e çmimeve.

“Për çështjet si çmimi i biletës dhe orari i udhëtimit me tren do të vendoset në harmoni me planifikimet e aktiviteteve që do të organizohen në parkun Gërmia”, theksoi Mullafazliu – Bejta.

Trenat ekologjik janë paraparë në kuadër të projektit të madh që është përkrahur financiarisht nga Komisioni Evropian dhe Komuna e Prishtinës. Kjo marrëveshje është arritur në shkurt të vitit 2013 dhe përmes së cilës, Komisioni Evropian ka ndarë 360 mijë euro donacion në projektin e Komunës për Parkun e Gërmisë dhe Komuna e Prishtinës me 150 mijë euro.

Edhe pse i gjithë projekti duhej të realizohet brenda dy viteve, pamja e Parkut të Gërmisë nuk ka ndryshuar shumë. Pasi projekti ka paraparë që të këtë shtigje të çiklistëve, trenin ekologjik, ndriçim, shtigje këmbësorësh, ulëse tradicionale, nivelim sipas standardeve të përcjella me ulëse dhe pushimore, nivelimi i rrafshit të Gërmisë, mbjellja me bar etj., pra projekti ka paraparë që Gërmia të bëhet  model rajonal i rekreacionit dhe turizmit.

Qytetarët e mirëpresin trenin ekologjik

Qytetarët të cilët e frekuentojnë shpesh Parkun e Gërmisë,  e mirëpresin aktivizimin e trenit ekologjik. Ata thonë se kjo alternativë e transportit brenda Parkut të Gërmisë do të ishte një zgjidhje shumë e mirë për qytetarët e vizitojnë këtë park.

“Gjithë këto vetura që po hyjnë deri tek restorantet atje, po e ndotin shumë ambientin, kurse ne po dalim që të marrim pak ajër të pastër, e jo të thithim prapë tym të automjeteve, sepse me të tillë jemi ngopë në qytet. Aktivizimi i trenit që po thonë se është ekologjik do të ishte shumë pozitive, sepse nuk do të ndotej ky ambient aq i bukur, të vetmin që e ka Prishtina”, thotë Kaltrina Bunjaku, e cila thotë se e viziton çdo vikend Parkun e Gërmisë.

Ndërsa, Arsim Bajraktari thotë se përveç dobisë që të kishte në ruajtjen e ambientit, do të shmangeshin edhe rreziqet e aksidenteve dhe fëmijët do të ishin më të sigurt.

“Ky tren do të ishte shumë i mirë, sepse ish ruajt ambienti, besoj që kish me qenë transport atraktiv dhe gjithashtu kush kish dasht e kish pas më të lehtë me ecë edhe këmbë në asfalt, sepse do të ndalej qarkullimi i veturave. Por edhe çka është më rëndësi, ishin ndalë aksidentet, sepse nuk ka vit pothuajse që nuk e shkel vetura ndonjë fëmijë me biçikletë, vitin e kaluar ka vdekur një fëmijë për këtë shkak. Pra ky tren kish me sjellë shumë të mira dhe shpresojmë që do të aktivizohet sa më parë”, u shpreh ai.

/tesheshi.com/

Related posts