728 x 90 Leaderboard

REPORTAZH/ “Ejfeli” i Korçës, saga tipike shqiptare e një kulle – a po ndihen korçarët sadopak parisienë me të?

Nga Gëzim Hashimi

Rrënimi ynë shpirtëror e mental si shoqëri, shfaqet për fat të keq dhe në ato raste kur ndodh diçka e bukur. Dyshimet, paragjykimet, të veshura përplot me cinizëm, mbysin dhe atë më të voglën “dallëndyshe” që nis e fluturon mbi ne – dhe kjo është mëse e kuptueshme për një vend që i harxhon energjitë me Tom Doshin, pa mundur dot gjithsesi të nxjerrin nga uji “gurin” që hodhi ai.                                                                                                                       Kështu ndodhi dhe me të ashtëquajturin “Ejfel” të Korçës muaj më parë, e me pistën e patinazhit aty pranë. Ndoshta të mësuar me mizerjen urbane në kaq vite, kemi humbur ndjeshmërinë ndaj sa bukurës.                            Por a po ndodh kështu me qytetarët korçarë?! Si është futur “Ejfeli” në jetët e tyre?! A kanë nisur t`i japin përditshmërisë një shije të re?                                                                                                                                                               Mësoni për herë të parë dhe për sagën tipike shqiptare të kësaj vepre…         

 

Festat e fundvitit  që u zhvendosën në një tjetër qendër të Korcës, ndryshe nga vite të tjera kur festohej tek sheshi qendror i Katedrales, treguan se qyteti ka një vend të ri argëtimesh. Nuk kishte vend më të përshtatshëm sesa  të ngjitesh  afro 33 metra në majën e një kulle për të shpërthyer fishekzjarret, për të kundruar qytetin në vezullim dritash dhe për të ndjerë kënaqësinë disi maramendëse të lartësisë.

Poshtë shikohej tek gumëzhinin njerzit. Të rinj e fëmijë mbushnin pistën e patinazhit me akull,e përanash mbajtëseve rrethuese kureshtarë të apasionuar për foto, të tjerë njerëz që prisnin të ngjiteshin në kullë e kështu  pareshtur vizitorë .

U duk se Korça ka fituar një qëndër të re, një qëndër moderne e rinore me kullën panoramike. Numri i lartë i njerëzve në ditët e para të përurimit të kullës,  ngjante se kishte të bënte me një çudi kalimtare që do të shuhej shpejt, si çdo gjë spektakolare e momentit. Por, kulla panoramike mund të quhet edhe çudia e vitit në Korcë. Si e tillë i ka premisat që të shndërrohet në një nga simbolet e qytetit. Shumë shpejt, Korça që thirrej si qyteti i serenatave, Paris i vogël etj, etj., filloi të njihej edhe si qyteti i kullës panoramike.

kulla panoramike

Kundërshtitë…

Bashkia e Korcës  organizoi pak vite më parë një konkurs ndërkombëtar për rikonstruksionin  e një prej qëndrave të qytetit. Projekti fitues u shpall ai i studios Bolles + Vilson, drejtuesi i të cilës, arkitekti  Peter Ëilson, u shpreh asokohe: “Jemi tejet krenarë  për thellësinë  dhe cilësinë me të cilën kemi aritur të konkurojmë të ardhmen e qytetit të Korcës”.

Por që në embrion ky projekt  gati u asgjesua. Arkitekti Peter Wilson  është shprehur se në vijim të prezantimit tim publik në Korcë të Masterplanit  përfundimtar , mësova se KRT -ja e Bashkisë  e ka shtyrë aprovimin e dpkumentacionit të Masterplanit”.  Kryetari i bashkisë Niko Peleshi, dukej sikur kishte kundër gjithë opinionin për atë cçka ofronte studioja e huaj. Një korr me zëra dyshues, mosbesues, spekulues,  hamendesues e intrigues,  gjetën vend në avazin kundërshtues të këtij projekti.  Reagimet kundër kullës, erdhën përrenj përrenj nga shumë anë, kur do të niste ndërtimi i saj.

Korcarët, të shquar për vendosjen e nofkave, e quajtën ndër të tjera edhe ” Kulla e Firaunit” apo edhe “Çibani i Korcës”. . Shoqata ” Qytetaria korçare” , e drejtuar nga Sotiraq Stratobërdha, ish kandidat i së djathtës për kryetar bashkie,  nisi një fushatë refuzimi për ngritjen e kullës. Madje u pretendua edhe për  organizimin e një referendumi lokal  që do të vendoste  realizimin ose jo të këtij projekti. Me pretendimin  se kulla të ngjashme në Gjermani, Itali  e gjetkë shërbenin  më së shumti si strehë e përdoruesve të drogës, prostitucionit dhe endacakëve, nga ana e kësaj shoqate u kërkua që sheshi para teatrit të mos ndryshonte kësisoj.

U kritikua kulla nga ana arkitekturore, dobia e saj vetëm si një ngrehinë panoramike, në një kohë që Korça nga vetë pozicioni i saj ka zona apo vende ku mund të shihet e shijohet qyteti. Edhe tani që kulla panoramike, me lartësinë e saj prej 33.5 metra  dominon jo vetëm mbi të gjitha ndërtimet e qytetit të Korcës por edhe mbi mosbesimet, duket se zërat kundër për egzistencën e saj nuk janë shuar ende. Sidoqoftë, një qyteti që është quajtur edhe si “Paris i vogël”, duket se nuk mund t`i mungonte edhe një kullë e lartë si ajo lloj Eifel.

Njësoj si kulla panoramike në Korçë, edhe kulla metalike në kryeqytetin francez, në fillimet e saj u konsiderua si e shëmtuar. Madje edhe krejt e padobishme, aq sa ngushëllimi i vetëm për financimin e saj ishte përfitimi nga vendosja e antenave radiofonike. Kulla e ” Parisit të vogël” nuk është ngritur për ndonjë përfitim, përvecse si simboli i një qendre të re turistike për qytetin. Nga numri i lartë i vizitorëve ditët e festave, por edhe në vazhdim,  duket e denjë  në funksion të zhvillimit turistik të Korcës.

peter wilson nw kulle

Përse një kullë panoramike?

Në muajin tetor të vitit 2010 arkitekti Peter Wilson u detyrua t`i drejtohej opinionit me një letër publike për të sqaruar idenë e projektit fitues të studios së tij. “E ardhmja  e Korçës është në rrezik për shkak të thënieve të pavërteta dhe keqdashëse se procesi i detajimit të projektit , përfaqson  një devijim nga principet tona origjinale me të cilat kemi fituar në konkurs.  Të tilla keqinformime që kanë qarkulluar, mund të shërbejnë për interesa politike afatshkurtra”,  shkruante Wilson.

Ndërkaq, arkitekti Wilson ka përshkuar se projekti i studios së tij për qendrën e Korcës, përfshinte jo vetëm ngritjen e kullës panoramike e të një piste patinazhi në krah të saj poshtë, por edhe ndërhyrje të tjera që janë realizuar tashmë. Sipas projektit, në sheshin para Katedrales të krijohej një hapësirë e bollshme për evente të ndryshme. Bulevardi ” Shën Gjergji”  që lidh sheshin para Katedrales me sheshin e Teatrit, shndërrrohet  sikurse u realizua, në një zonë këmbësore.

Vetë sheshi para Teatrit pësoi ndryshime me ndërtimin e kullës panoramike, të pistës së patinazhit për stinën e dimrit, restaurim të fasadave të pallateve  dhe ridimensionim të rrugëve. Së fundi, kur u shfaq ndërtimi i lartë dhe disi i cuditshëm,  shumëkush, banor i Korçës apo edhe i ardhur si vizitor ose pushues,  me kureshtje ka pyetur: Përse kjo kullë?

Ditën e përurimit, kryetari i Bashkisë Sotiraq Filo, është përpjekur t`i japë përgjigje kësaj pyetjeje. Kulla  panoramike  është një vepër aktitekturore që do t`i dhurojë Korçës një qendër të re turistike nga ku mund të shikohet  i gjithë qyteti.  Qyteti i Korçës është i sheshtë, dhe një kullë e tillë i duhet për të evidentuar edhe më tepër tiparet e tij.Kulla është një instrument urban që do të shfrytëzohet për të vënë në dukje edhe më tepër bukuritë e qytetit, por të para nga një tjetër këndvështrim.

Duke qënë se  zona këmbësore kufizohej nga një anë me sheshin e Katedrales dhe mungonte një destinacion në anën tjetër të saj, kulmimi i pedonales u gjet me kullën panoramike. Kjo kullë moderne u krijon mundësinë  qytetarëve dhe cdo vizitori të shikojë nga lart lagjet tradicionale, pazarin e vjetër të  Korcës, qytetin anekënd.  Kjo kullë mund të quhet edhe obelisk panoramik.

Korca e ka patur dikur një kullë, të quajtur “Kulla e Hirit”  por emri i saj tingëllonte i shëmtuar.  Kulla panoramike që u ndërtua, është 33 .5 metra e lartë. Pranë saj, në një sipërfaqe 350 metra katrorë do të funksionojë një shatërvan, i cili në stinën e dimrit do të shëndrohet në një pistë patinazhi.  Gjitha sipërfaqja ku  rikonstruktohet sheshi ze një hapësirë prej 30.000 metra katrorë.  E ndërsa kryebashkiaku i Korcës  ka dhënë këtë sqarim për kullën e shumëpërfolur, dita ditës vihet re se ajo po fiton “qytetarinë” korçare.

 

Gjallërimi i sheshit

Në sheshin para Teatrit të Korcës, ku këto vitet e fundit shoferët kishin gjetur një vendparkim  për veturat e tyre, sundon tashmë kulla panoramike që tërheq vazhdimisht vizitorë. Dikur qytetarët korçarë ankoheshin vazhdimisht për morinë e makinave që rëndonin trafikun. Ndërsa kur niste parkimi i tyre me nga dy apo tre rradhë, sheshi para ish Turizmit dhe Teatrit të  qytetit ngjante më shumë si një varrezë mjetesh. Ndërtimi i kullës jo vetëm i ka dhënë sheshit një pamje të re, por edhe sistemim.

Në ditët e para të përurimit, vizitorë pa fund  i ngjiteshin kullës deri në katin e  sipërm  dhe nga tarraca kundonin për ca çaste qytetin . Vetë qyteti duket se ka fituar një qëndër të re turistike, sidomos për të rinjtë që si pikëtakimi të tyre kanë filluar atë tek kulla. Me atë interesim që ka ngjallur, duket se e ka fituar statusin e një monumenti dhe simboli të korcës, edhe pse i ndryshëm nga ata tradicionalë. Dallga e madhe e vizitorëve ka rënë, por kulla mbetet sërish e vizitueshme. Sidomos për të ardhurit nga qytete të tjera apo turistët që ndalesën e tyre të parë  e kanë pikërisht tek sheshi ku ngrihet kulla, ku edhe akomodohen në hotelet aty pranë.

Edhe të rinjtë e Korcës, vazhdojnë ta frekuentojnë  sidomos për pistën e patinazhit dhe duket sikur kanë krijuar tani një vend takimi të tyre pranë kullës. Banorët e qytetit gjithashtu. Ata pas një shëtitjeje që nis nga qëndra kryesore pranë Katedrales, përshkojnë pedonalen dhe përfund saj si një stacion i ri ndalese i pret kulla e lartë.

A është ky ndërtim modern për Korçën aq i dobishëm satë justifikojë investimin 2.5 milion euro? Opinionet janë si për një të ardhur rishtas që ndryshon mënyrën e jetesës së një mjedisi tradicional. E vërteta me të cilën po mësohen  edhe vetë banorët e Korçës, është se me kullën panoramike qyteti ka fituar një qëndër të re, gjallërimi i të cilës i detyrohet këtij ndërtimi modern. /tesheshi.com/  

festa te pista

Related posts