728 x 90 Leaderboard

Rënia e “Stalingradit të Italisë”: ish-bastioni i së majtës nis luftën ndaj muslimanëve dhe të varfërve

Mbyllja e fabrikave të veta e goditi ashpër Seston, por kur agresori i sulmit me kamion në Berlin u qëllua për vdekje atje, ish-bastioni i së majtës u kthye djathtas.  

Shëtitorja Gramshi, sheshi 1 Maji, biblioteka Karl Marks….edhe sot e kësaj dite, rrugët e qytetit italian Sesto San Giovanni risjellin në mendje të kaluarën e tij si “Stalingradi i Italisë”. Për më shumë se shtatë dekada, kjo periferi e Milanos drejtohej nga partia Komuniste dhe trashëgimtarët e saj, por gjërat kanë ndryshuar në mënyrë radikale që nga zgjedhja e kryebashkiakut të ri të së djathtës, Roberto Di Stefano.

Lypja, fjetja në parqe apo rrugë si dhe konsumimi i alkoolit në vende publike janë ndaluar të gjitha. Ata që thyejnë rregullat dëbohen, dhe përgjatë vitit të kaluar, ky ka qenë fati për më shumë se 200 persona – pjesa më e madhe të pastrehë, shitës rruge apo emigrantë.

“Përpara se të merrja pushtetin, kishte një problem të madh të kalbëzimit urban”, thotë Di Stefano nga zyra e tij në bashkinë e qytetit, një ndërtesë e dizenjuar në vitet 1970 nga arkitekti komunist,

Punëtor në furrnaltën e uzinës së çelikut Falck, në vitin 1995.

Piero Bottoni për t’i përngjarë një gryke furrnalte. “Qyteti qartësisht ishte braktisur në fatin e vet, nuk kishte kontrolle dhe inspektime në terren dhe në mjediset publike. Nëse kemi arritur 230 dëbime në tetë muaj, kjo është provë që diçka nuk shkonte”.

Dikur qyteti industrial ishte qendër e katër fabrikave të mëdha të përpunimit të metaleve: Falck, Ercole Marelli, Magneti Marelli dhe Breda. Jo habitshëm, po ashtu qyteti kishte edhe një klasë punëtore të madhe, me prirje të majta dhe të bashkuar në sindikata. Në vitet 1950, më shumë se gjysma e 32 mijë banorëve të Sestos ishin anëtarë të Partisë Komuniste. Që prej asaj kohe, popullsia është më shumë se e dyfishuar. Për 72 vjet e majta qeverisi pa ndërprerje qytetin.

Midis viteve 1950 dhe fundit të viteve 1980,  këshillat e drejtuar nga komunistët ndërtuan banesa sociale dhe hotele të lirë për punëtorët që mbërrinin në qytet. Ata ndërtuan çerdhe dhe organizonin kampe verore për fëmijët e punëtorëve, si dhe hapën një shkollë muzike e vallëzimi për klasën punëtore me pajisur më staf mësuesish nga teatri prestigjioz i Milanos, “La Scala”.

Në vitet 1990, fabrikat nisën të mbyllen. Ercole Marelli dhe Breda u mbyllën njëherë e përgjithmonë, ndërsa Falck është reduktuar në një fabrikë shumë më të vogël që prodhon energji të rinovueshme. Një mjedis industrial u shndërrua në supermarket, një tjetër në hapësirë kulturore dhe i treti po transformohet në një spital të madh.

“Prodhimi i parë i çelikut në fabrikat Falck doli në vitin 1906, i fundit në vitin 1996”, kujton Antonio Pizzinato, ish-sekretar i sindikatës CGIL. “Ky ishte fundi i Sestos si qytet industrial”.

Sistemi i vjetër nisi të dobësohej. Pa fabrikat, sindikatat dhe partitë majtiste e humbën bazën e tyre. Sesto u shndërrua në një qytet-fjetore me pjesën më të madhe të forcës punëtore që shkonte e vinte në Milano. Dhe megjithatë, e majta qëndroi në pushtet – edhe pse më pak e fortë se në të kaluarën – deri në vitin 2017. Shumë thonë se ishte frika nga emigrantët muslimanë që solli të djathtën në pushtet.

Fabrika e vjetër Falck me pamjen që kishte deri vitin e shkuar.

Sesto strehon rreth 5 mijë muslimanë, pjesa më e madhe emigrantë ose fëmijë emigrantësh. Komuniteti i tyre që daton në vitet 1990, nuk ishte burim tensioni deri kohët e fundit. Gjërat ndryshuan në dhjetor 2016, kur Anis Amri, i cili vrau 12 njerëz në sulmin me kamion në tregun e Krishtlindjeve në Berlin, u qëllua nga policia në Sesto. Amri, një tunizian, kishte jetuar në Itali përpara se të zhvendosej në Gjermani, por autoritetet italiane thonë se ai nuk kishte ndonjë lidhje të veçantë me Seston – më shumë gjasa ka që ai të ketë qenë duke kaluar nëpër qytet për të shkuar në jug – e megjithatë fakti që ai u gjet dhe u qëllua atje ishte mjaftueshëm për të trembur një pjesë të banorëve.

Incidenti ndodhi ndërsa komuniteti musliman kishte nisur një fushatë për ndërtimin e një xhamie të përshtatshme me hapësirë për 600 besimtarë, për të zëvendësuar ndërtesën ekzistuese parafabrikat në periferinë e qytetit që mbante vetëm gjysmën e tyre.

Ata ia kishin dalë të merrnin tokën publike në vitin 2013, por ishin ende të zënë me rregullimin e letrave të tokës.

Pas sulmit, dhe me zgjedhjet që po afroheshin, e djathta nisi të fushatojë drejtpërdrejt kundër projektit. “Ata u përpoqën të krijonin lidhje midis ndërtimit të xhamisë dhe pranisë së një terroristi në Sesto”, kujton Monica Chittò, e cila ishte kryebashkiake e Sestos në vitet 2012- 2017. “Të dyja ngjarjet nuk kishin asnjë lidhje, sigurisht, por ata fushatuan rëndshëm në këtë pikë”. Në mes të fushatës anti-muslimane, edhe vetë Chittò u bë shënjestër: u përhapën zëra se ajo e kishte lënë burrin e saj për një musliman.

Anis Amri u gjet dhe u qëllua për vdekje në Sesto.

Strategjia rezultoi e suksesshme. Sapo u zgjodh, Di Stefano bllokoi ndërtimin e xhamisë dhe u zotua se nuk do ta lejonte kurrë të ndërtohej në qytet, sa kohë që ai do të ishte kryebashkiak. Ai tha për The Guardian se ngritja e një xhamie të madhe do të tërhiqte besimtarët nga Milano, me të cilën qyteti lidhet përmes sistemit të metrosë. “Në 15 minuta, të gjithë arabët e Milanos do të arrinin në Sesto San Giovanni”, thotë ai.

Komuniteti musliman apeloi në gjykata. Ata fituan procesin e parë por ndërtimi mbeti i bllokuar ndërkohë që kryebashkiaku apelon në gjykata më të larta.

“Pasja e një vendi faljesh është e drejtë kushtetuese”, thotë imami lokal, Abdullah Tchina. “Ky vend është vetëm për besimtarët e Sesto San Giovanni. Në qytetet fqinje, tashmë ka vende për falje. Përse do të vinin të tjerë nga qytetet rrotull për t’u falur këtu?”

Në një bar të vogël pranë xhamisë, njerëzit kanë pikëvështrim krejtësisht të ndryshëm.  Rong Li Yu, banakieri me origjinë kineze, e pëlqen kryebashkiakun Di Stefano. “Kur unë erdha këtu në vitin 1997, biznesi ishte goxha mirë”, kujton ai. “Më pas, fabrikat u mbyllën. Pas 72 vjetësh qeverisje nga e majta, Sesto nuk është ende një qytet i jetueshëm, ngjan me një fjetore. Nuk jam kundër xhamisë, por kjo është një zonë e vogël. Qytetarët dëshirojnë një qytet të qetë, ku të ketë rritje ekonomike dhe jo probleme të tipit fetar apo jo-fetar”.

Fëmijët luajnë në lagjen Pyjore të Sestos.

Ndërkohë që Yu flet, një klient i moshuar hyn në bar. Tommaso Orsi, ish-punonjës fabrike në pension, e ka jetuar gjithë kohën e tij në Sesto. Ai votoi për Di Stefano për shkak se ishte i pakënaqur me gjendjen e qytetit dhe mënyrën sesi familjet e klasës punëtore si e tija, kishin përfunduar me shumë pak para. “Kur fabrikat ishin hapur, nuk ishte keq”, kujton ai. Në vitet 1980, ai fitonte goxha mirë por tashmë jeton me një pension prej 700 euro në muaj, mjaftueshëm për të përballuar qiranë. Pjesërisht ai fajëson praninë e emigrantëve.

Samarkand Abou El Kheir, një grua e re italo-egjiptiane, jeton në një projekt të strehimit social në Sesto së bashku me nënën e saj, Daniela Pansa, dhe vëllain.

“Kryebashkiaku i ri më kujton  Donald Trump”, thotë Pansa. “Ai dëshiron të kapë vëmendjen e njerëzve e të tregojë se është ndryshe, kështu që sulmoi xhaminë. Por nuk e kuptoj përse shenjëstron muslimanët, të cilët kanë të drejtën të ndërtojnë diçka me paratë e tyre”.

“Ata drejtuan një fushatë kundër minorancës dhe fituan për shkak të saj”, thotë El Kheir, përcjellës lajmesh në television.  “Deri së fundmi, ndjehesha në shtëpi dhe i pranuar në këtë qytet. Sot nuk jam më aq i sigurtë për këtë”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts