Rekordet e fundjavës: Rooney dhe Reali i Madridit

E shtuna ka qenë dita e barazimit të dy rekordeve në futboll. Sulmuesi dhe kapiteni i Mançester Junajtedit, Wayne Rooney, ka barazuar rekordin e golave të shënuar për këtë klub, ndërsa Reali i Madridit i është bashkuar Barcelonës në rekordin e ndeshjeve pa humbje.

Rooney shënoi dje golin e parë në ndeshjen e Mançester Junajtedit ndaj Riding, të fituar 4-0 e të vlefshme për raundin e tretë të FA Cup-it. Kështu, ai arriti në kuotën e 249 golave të shënuar për klubin, duke barazuar rekordin e Bobby Charlton-it, që pati shënuar po kaq në karrierën e tij për Mançester Junajtedin.

Mançester Junajtedi do ta bënte të tijin lojtarin në vitin 2004, kur ai ishte ende 18 vjeç. Rooney ka fituar që atëherë me “djajtë e kuq” shumë trofe, që nga kampionati anglez e gjer te Champions League.

“Jam tejet i nderuar të luaj për këtë klub futbolli, por të jem në të njëjtin nivel me Bobby Charlton-in sa u përket golave, është vërtet një moment krenar për mua,” qenë fjalët e 31-vjeçarit, që këtë sezon e ka patur të vështirë të jetë pjesë e formacionit të parë.

Një tjetër rekord barazoi dje Reali i Madridit. Kryesuesit e kampionatit spanjoll fituan 5-0 ndaj Granadës, duke e çuar në 39 numrin e ndeshjeve pa humbje.

Një rekord të tillë e pati regjistruar më herët dhe Barcelona e drejtuar nga Luis Enrique, që pati marrë fund pikërisht në përballjen e parë me Realin e drejtuar nga Zinedine Zidane.

Kanë kaluar tetë muaj që prej humbjes së fundit të Realit të Madridit. Në prillin e 2016-s, madrilenët do të humbisnin në transfertë ndaj Volfsburgut, në çerekfinalet e Champions League-s. Më tej ka vijuar vetëm një histori suksesi, për të ardhur gjer te barazimi i rekordit.

Nëse Reali do të kërkojë ta çojë më tej rekordin, do duhet të shmangë humbjen më 12 janar, në takimin në fushë kundërshtare ndaj Seviljes, ndaj së cilës do të luajë për Kupën e Mbretit. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts