Reforma zgjedhore: aleatët e PD kundër propozimit për mazhoritar, pro për…

Kreu demokrat Lulzim Basha ka parashtruar disa kushte për reformën zgjedhore, madje ka propozuar për rikthimin te sistemi mazhoritar, ku çdo deputet të ketë zonën e tij.

Por idea e Bashës penalizon drejtpërsëdrejti partitë e vogla, pasi në një sistem mazhoritar asnjë prej tyre nuk mund të nxjerrë deputet, nëse nuk përfshihen si kandidatë të partive më të mëdha. Por në anën tjetër, kandidimi zonë për zonë, mund të penalizojë të mëdhenjtë, pasi çdo votë që mund të hidhet për të vegjlit dëmton këto parti.

Basha, pasditen e djeshme, nisi konsultimet me aleatët parlamentare, ndërsa një tjetër tryezë apo takim pritet me partitë që nuk përfaqëson në Kuvend, ku më e rëndësishmja është PAA e Agron Dukës.

Ndërkohë, selia e PD popunon për organizimin e disa tryezave me grupet e interesit dhe ekspertë të fushës për të diskutuar mbi reformën zgjedhore dhe ndryshimet Kushtetuese, që me shumë gjasë do të nisin nga funksionimi me ngritjen e komisionit ad-hoc në Kuvend

Por cili është qëndrimi i aleatëve të Bashës në lidhje me propozimet e deritansihme?

Idea për listat e hapura ka gjetur mbështetjen e Fatmir Mediu, Nard Ndokës dhe Dashamir Shehit, të cilët janë deputetë pasi në 25 qershor u përfshinë në listat e kandidatëve të PD-së.

Demokristianët e Ndokës duken më të qartë përsa i takon sistemit zgjedhor, pasi ata mbështesin atë proporcional kombëtar preferencial.

Për LZHK-në e Dashamir Shehit sistemi më i mirë është ai që i shërben shqiptarëve, të cilët duhet të kenë të drejtën të zgjedhin alternative, përtej asaj që ofrohet nga PS dhe PD. Në këtë kuadër, Shehi propozon një kombinim mes mazhoritarit dhe proporcionalit, i cili është aplikuar në Shqipëri deri në 2005-ën.

Të dy partitë i qëndrojnë idesë që deri më tani si PS ashtu edhe PD nuk kanë bërë një reform zgjedhore që ti shërbejë proçesit, por janë nisur nga llogaritë e momentit, pra sesi të përfitojnë më shumë.

Gjithsesi pika që i bashkon sot për sot me propozimet e Bashës është ajo për lista të hapura, pra që kandidatët të mos përcaktohen nga kryetarët e partive në renditje, por nga vota popullore.

Gjithashtu, ata mbështesin idenë për të votim dhe numërim elektronik, megjithëse nuk kanë shumë besim se vjedhja e votës do të shmanget, nëse kjo nuk do të shoqërohet me një vullnet të fortë për të hequr njëherë e mirë dorë nga mekanizmat e tjetërsimit të votës.

Votimi i emigrantëve mbështetet nga PDK dhe LZHK, megjithëse edhe në këtë pikë kanë dyshime dhe e shohin si një hapësirë shtesë që kanë të mëdhenjtë për të luajtur më votat.

Në këto kushte, duket se nga tre kushtet që janë hedhur në tavolinë, pika që aleatët bien 100 % dakort me Bashën është ajo e listave të hapura, ndërsa për të tjerat duket se ka dyshime. /gj.k//tesheshi.com/