Reforma në drejtësi, nga çadra e këtej: “Plani B” i ndërkombëtarëve që kapi gafil aktorët kundër saj

Nga Ylli Pata

Kësaj radhe nuk ka pasur supriza: komisioni ad hoc i vettingut për të zgjedhur anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor, është ngritur konsensualisht.

Mazhoranca dhe opozita kanë bashkuar votat në Komisionin e Ligjeve, duke mos bllokuar zbatimin e reformës në drejtësi. Nga ky komision do të dalin anëtarët jo-gjyqtarë dhe jo-prokurorë si për KLGj, ashtu edhe për KLP.

Tre anëtarët e mazhorancës në këtë n/komision ad hoc janë Ulsi Manja, Vasilika Hysi dhe Klotilda Ferhati, ndërsa opozita do të ketë n/kryetarin Oerd Bylykbashi nga PD dhe Nasip Naçon nga LSI.

Megjithatë, në seancë nuk munguan akuzat nga opozita. Sipas demokratëve, mazhoranca ka arritur të sigurojë shumicën në vendimmarrjen e KLP, që do t’i garantojë kapjen jo vetëm të Kryeprokurorit me mandat të plotë, por edhe të SPAK-ut.

“Ju do të përcaktoni dhe ju do të rendisni nëpërmjet dorashkës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, kush do të jenë prokurorët, që nëse dështon Parlamenti me 3/5, që do të thotë konsensus, e keni zgjidhur me renditjen që bën ky Këshilli juaj i Lartë i Prokurorisë. Është ky Këshill i Lartë i Prokurorisë, që jo do ta kapni me dorashkat tuaj, ai që do të përcaktojë se kush do të jenë prokurorët e SPAK-ut. Uji është i korruptuar që në burim. Është ndotur që në burim dhe ky komision dhe nënkomisioni që vjen pas tij, do të përballet pikërisht me këtë llumin antikushtetues që keni prodhur deri më sot”, deklaroi deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi.

Ndërkaq, opozita ka paraqitur një draft për të ndryshuar Kushtetutën, ku kërkon që Kryeprokurori të zgjidhet medoemos me 84 vota, edhe në rast se zgjidhet i përkohshëm.

Në fakt, në Kushtetutë është i përcaktuar që Kryeprokurori zgjidhet me 84 vota, kurse në ligjin e Prokurorisë është vënë si dispozitë kalimtare emërimi i një Prokurori të përkohshëm, i cili duket se nuk është vënë fare re nga opozita një vit më parë.

Dhe pikërisht ky detaj ka qenë “Plani B” i ndërkombëtarëve që ka zënë në befasi opozitën, e cila afro një vit më parë ngriti çadrën duke bllokuar ngritjen e komisioneve të vetingut dhe vonuar zbatimin e reformës në drejtësi.

Në atë kohë u krijua një ngërç, ku opozita kujtoi se e kishte zënë “mat” Edi Ramën, si dhe bllokimin e avancimit të reformës në drejtësi, ku përfshihej edhe axhenda e integrimit.

Madje kjo vonesë u reflektua edhe në publik, ku akuzohej mazhoranca se tashmë e ka lënë vettingun pezull dhe gjithçka po shkonte si më parë.

Vetë implementimi i procedurave të reformës në drejtësi, sipas edhe klauzolave që u propozuan në atë kohë nga LSI-ja, kërkonin 2 vjet kohë për t’u zbatuar.

Por duket se ndërkombëtarët kishin hartuar një plan rezervë, i cili u zbatua vetëm në fund të vitit që shkoi.

I vetmi që fliste që prej verës së shkuar ishte Spartak Ngjela, i cili shkruante se “do të arrestohen të gjithë dhe reforma në drejtësi nuk mund të ndalet”. Deklaratat e avokatit shumëkush i quajti lajthitje dhe për këtë arsye nisën edhe ta qesëndisnin nëpër portale.

Por në një ditë tetori, ambasadori amerikan doli dhe shpalli nisjen e gjuetisë së “peshqve të mëdhenj”. Kjo deklaratë në fillim u tall nga disa qarqe politike dhe mediatike, por tronditja u ndje kur në komisionin parlamentar të Ligjeve nisën procedurat për të zëvendësuar Adriatik Llallën.

Pikërisht ky ka qenë Plani B i ndërkombëtarëve, i cili sipas të gjitha gjasave ka befasuar opozitën.

Në fakt, burime ndërkombëtare thonë se Lulzim Basha është vënë në dijeni për këtë plan gjatë vizitës së Hoyt Yee në Tiranë, i cili erdhi për ta nxjerrë nga çadra, por Berisha dhe Meta duket se vërtetë janë befasuar.

Plani B ka nisur që me bllokimin e vizave amerikane për Adriatik Llallën dhe njerëzve të tij të besuar në Prokurori, çka delegjimoi ndërkombëtarrisht grupin e organit të akuzës.

Ky ishte hapi i parë i nisjes së rrokadës në Prokurorinë e Përgjithshme.

Kur mazhoranca nisi procedurat për zgjedhjen e një Kryeprokurori të përkohshëm, opozita u gjend e papërgatitur dhe në vend që të futej në proces u mor me mbrojtjen e Adriatik Llallës, i cili me hetimin për rastin “Tahiri”, u duk se u rifut menjëherë në lojë.

Por SHBA dhe BE e thanë prerë që nuk ka shanse që Adriatik Llalla të qëndrojë në detyrë; atij i ka mbaruar mandati.

Dhe më pas gjërat rrodhën siç dihet: Kryeprokurore e përkohshme u zgjodh Arta Marku, zgjedhje që irritoi në kulm PD-në, por sidomos LSI-në, kryetarja e së cilës pati edhe shpërthime të forta emocionale në seancën parlamentare.

Zgjedhja e Arta Markut solli zëvendësimin e të gjithë trupës së Adriatikk Llallës, e cila ishte e gjitha e komanduar.

Tani në Prokurorinë e Përgjithshme dhe ato të rretheve ka njerëz të rinj që janë të gatshëm për të nisur hapjen e “dosjeve të mëdha”.

Me një fjalë, nëse vonesa e reformës solli që ngritja e SPAK-ut dhe BKH-së të hyjë në kalenda, situata nuk mbeti pezull pasi u operua me një plan operacional ad hoc, i cili edhe pse i përkohshëm, operacionalisht mund të veprojë me fuqi të plota.

Pikërisht ky hap ka qenë ai që nuk u parashikua nga PD-ja hapur dhe LSI në fshehtësi, të cilët në prill vonuan ngritjen e organeve të reja të drejtësisë shqiptare.

Në atë kohë pati disa deklarata në dukje të çuditshme si nga ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, ashtu edhe nga Donald Lu i SHBA-së.

Ata thanë se “e dimë që do të ketë rezistencë për reformën në drejtësi. Rezistenca do të jetë e madhe, por ata nuk do ta ndalin dhe bllokojnë dot reformën”.

Dhe në fakt kështu ndodhi, u përdor një lëvizje paralele dhe e beftë për të dalë nga situata, por që realisht nuk ishte parashikuar nga PD-ja dhe LSI-ja.

Ndaj dhe reagimi ishte spontane në kaos, pasi nuk dinin se cila do të jetë lëvizja e radhës.

Deri dje palët që u përplasën për reformën në drejtësi, Berisha e Meta, gëzonin informacionet dhe mbështetjen që kishin nga Prokurori i Përgjithshëm dhe kreu i SHISH-it.

I pari u shkarkua në fund të dhjetorit, kurse i dyti arriti një kompromis me Edi Ramën dhe u largua vetë. Natyrisht me ndërhyrjen e amerikanëve, të cilët kanë investuar fuqishëm tek drejtësia dhe vështirë që të tërhiqen.

Këtë e tha shkoqur Donald Lu në intervistën për Adrian Thanon, kryeredaktorin e Dita-s.

“Është normale që disa njerëz të kritikojnë vendin tim se është i angazhuar me tepricë në problemet e Shqipërisë. Si amerikanë, kemi marrë një angazhim përpara këtij vendi. Do të vazhdojmë të investojmë në suksesin e Shqipërisë dhe ta nxisim përgjatë rrugës së saj të rëndësishme drejt integrimit europian. Ky angazhim është i palëkundur”, deklaroi Lu. /tesheshi.com/

 

Related posts