Refleksione pas vizitës së mbretit Salman në Rusi: kur Moska e humbte Riadin në vitin 1938

Javën e kaluar, mbreti saudit Salman u përshëndet në Moskë me shumë pompozitet dhe vëmendje mediatike. Monarku 81-vjeçar mbërriti me një delegacion të madh prej 1500 personash dhe me pritshmëri të larta për marrëveshje madhore politike dhe tregtare.

Vizita e parë e një mbreti saudit në Rusi ishte e pasur me kortezi diplomatike, por kishte mungesa në substancë. Ajo që rezultoi nga tre ditë takimesh ishte shumë më tepër modeste nga sa pritej.

Dy vendet nënshkruan vetëm disa marrëveshje, pjesa më e madhe e të cilave ishin memorandume mirëkuptimi. U arrit një marrëveshje për të ngritur një fond investimesh prej 1 miliardë dollarësh në fushën e energjisë dhe një tjetër fond 1 miliardë dollarë në fushën e teknologjisë së lartë. Palët po ashtu negociuan edhe shitjen e sistemeve të mbrojtjes S-400.  Për përkundër kontratave të armëve me vlerë 15 miliardë dollarë që së fundmi SHBA miratuan për Arabinë Saudite, marrëveshja Moskë-Riad duket pothuajse modeste. Duket se takimet e nivelit të lartë në Kremlin nuk arritën të krijojnë dukjen e një arritjeje të madhe politike dhe ekonomike në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Një gjë e tillë nuk duhet të jetë aspak surprizë duke pasur parasysh se Rusia dhe Arabia Saudite kanë pasur një thyerje 54-vjeçare në marrëdhënie, gjatë të cilave Shtetet e Bashkuara u bënë partner dominues i Riadit dhe garantues të sigurisë. Ndoshta, rezultatet e vizitës së mbretit Salman do të kishin qenë shumë të ndryshme, nëse nuk do të ishte për incidentin që prishi marrëdhëniet ruso-saudite rreth 80 vjet më parë dhe që solli thyerje mes palëve.

Njihet shumë pak fakti që Riadi dhe Moska kanë pasur marrëdhënie dukshme të ngrohta në vitet 1920-1930. Bashkimi Sovjetik ishte, në fakt, një pionier diplomatik në Arabinë Saudite: ishte shteti i parë që njohu Abdulaziz Al Saud (babain e mbretit Salman) si mbret të Hixhazit dhe sultan të Nejdës në shkurt 1926.

Ofensiva e joshjes sovjetike në gadishullin Arabik në vitet 1920 ishte kulmimi i përpjekjeve të panumërta të Moskës për të futur këmbën në rajon. Në fillim të viteve 1900, mjetet ushtarake perandorake ruse nisën të frekuentonn Gjirin dhe të kërkonin ankorim në Kuvajt midis destinacioneve të tjera. Kroçiera e famshme ruse Varyag vizitoi Kuvajtin në dhjetor 1901 dhe kapiteni i saj u prit nga emiri Mubarak Al Sabah, pavarësisht marrëveshjes që ai kishte me Britaninë e Madhe për të mos pritur dinjitarë të huaj ushtarakë. Ishte gjatë kësaj vizite që rusët u prezantuan për herë të parë me Abdul Rahman Al Saud i cili ishte në azil në Kuvajt në atë kohë, së bashku me djalin e vet më të madh Abdulaziz. Ky i fundit një vit më pas rimorri Riadin nga rivalët e tyre, shtëpia e Rashidëve.

Ndërsa shtëpia Al Saud kërkonte mbështetje ndërkombëtare, Londra e shihte Abdulazizin e ri me shumë skepticizëm, që është edhe arsyeja përse ai vuri kontakte me konsullin rus në qytetin pers, Bushehr duke e ftuar për vizitë. Konsulli e vizitoi Kuvajtin në vitin 1903 i shoqëruar nga një anije ushtarake ruse, gjë që shkaktoi zemërim në Londër.

Por, ishte vetëm pas revolucionit Bolshevik kur Moska vendosi të fokusohet seriozisht në rajonin e Gjirit. Ashtu si edhe Perandoria Ruse, Bashkimi Sovjetik e pa vlerën e pranisë diplomatike në rajon si një mënyrë për t’u përballur me Britaninë.

Përveçse vijoi marrëdhëniet me shtëpinë Al Saud, Bashkimi Sovjetik kërkonte afrimin me mbretërinë e Hixhazit sundimtari i së cilës, Sharif Hussein kontrollonte Mekën dhe Medinën, si një mënyrë për t’u afruar me gjithë botën muslimane. Duke qenë në kundërshti me Londrën, Hussein ishte në kërkim të aleatëve të fortë të huaj, që është arsyeja përse përfaqësuesit e tij në Romë u angazhuan në bisedime me sovjetikët.

Komunikimi intensiv diplomatik midis Georgy Chicherin, komisarit të popullit sovjetik për Çështjet e Jashtme dhe diplomatëve sovjetikë, tregon sesa i rëndësishëm ishte vizioni i tij për gadishullin Arabik dhe rolin në botën muslimane. Duke mbrojtur caktimin e një muslimani sovjetik në Hixhaz, Chicherin vinte në dukje në një memo dërguar Jozef Stalinit se “të futesh në Mekë është e një rëndësie kyçe për ne, për shkak se do të rriste ndikimin tonë në Arabi dhe përtej saj”. Ai ishte i ndërgjegjshëm se pelegrinazhi i përvitshëm në Mekë, Haxhi, ishte një mundësi perfekte për t’u afruar me mijëra muslimanë nga kolonitë britanike e franceze dhe për të ndezur ndjesi anti-koloniale.

Në gusht 1924, konsulli sovjetik, gjenerali Karim Khakimov, musliman sovjetik me origjinë tatare, mbërriti në Xhedah. Shpejt pas mbërritjes së tij, Abdulaziz ndërmorri fushatën për të marrë në kontroll Hixhazin, që i përballi diplomatët sovjetikë me dilemën se cilën palë duhet të përkrahnin.

Dërgesat diplomatike nga komisari për punët e jashtme urdhëronin Khakimov ta poziciononte veten si aleat i gjithë arabëve pa shfaqur hapur preferencë për ndonjë palë. “Në qoftë se Ibn Saud ndjek një politikë të bashkimit të arabëve, kjo do të jetë në interesin tonë, dhe ne do të na duhet të afrohemi më shumë me të, ashtu si respektuam Hussein-in i cili u përpoq të unifikojë Arabinë”, shkruante Chicherin për të dërguarin Khakimov. Bashkimi Sovjetik e shihte unifikimin e arabëve si hapin e parë drejt fuqizimit të muslimanëve në rajon dhe minimit të sundimit britanik mbi ta.

Deri në dhjetor 1924,  Abdulaziz mori Mekën dhe Khakimov ishte i bindur se kishte ardhur koha që ai ta paraqiste veten tek Ibn Saud. Në prill 1925, kur Xhedah ishte nën rrethim, ai u lejua të bëjë Umra-n, një rit në Mekë, ku Ibn Saud ishte vendosur, e kështu për të pasur një mundësi për ta takuar atë – diçka që asnjë diplomat perëndimor jo-musliman nuk ishte lejuar ta bënte. Letrat e Khakimov ndaj Moskës tregojnë se takimet e tij me Abdulazizin shkuan veçanërisht mirë dhe se madje, edhe ideja e tij e ndërmjetësimit sovjetik midis Hixhazit dhe Nejdës u perceptua pozitivisht nga Ibn Saud.

Deri në fund të vitit 1925, Ibn Saud kontrolloi Xhedah-n, dhe në shkurt 1926 ai e shpalli veten mbret të Hixhazit dhe sulltan të Nejdës. Sapo misioni diplomatik sovjetik mësoi lajmin, Khakimov bëri atë që i fitoi atij respektin dhe miqësinë e Ibn Saudit. Më 16 shkurt, Karim Khakimov ngau makinën e tij personale të ngarkuar me një flamur sovjetik përmes zjarrit të armëve nga Xhedah në rezidencën e Ibn Saudit në shkretëtirë, për t’i dorëzuar notën formale që njihte statusin e tij si mbret. Bashkimi Sovjetik ishte shteti i parë që njohu titullin e tij të ri. Abdulaziz u përgjigj me një letër ku falenderonte Bashkimin Sovjetik për neutralitetin gjatë luftës me Hussein-in dhe shprehte gatishmërinë për “marrëdhënie me qeverinë e BRSS dhe qytetarët e saj”.

Marrëdhëniet sovjetiko-saduite u përmirësuan edhe më shumë kur kongresi pan-Islamik i Mekës që u mblodh në qershor 1926 kërkoi të zgjidhte konfliktin për Mekën dhe Medinën.

Në atë kohë, kontrolli i Ibn Saud-it mbi këto dy vende të shenjta kishte shumë kundërshtarë midis vendeve të fuqishme islame, e kjo ishte arsyeja e rëndësisë madhore që ai të fitonte njohje në Kongres.

Duke e kuptuar këtë, Bashkimi Sovjetik bëri diçka që binte në kundërshtim thelbësor me ideologjinë e tij ateiste: dërgoi gjashtë akademikë muslimanë sovjetikë për të marrë pjesë në kongres. Moska me 30 milionë muslimanë sovjetikë pas, e vendosi mbështetjen e kësaj peshe tek mbreti Abdulaziz, duke mundësuar gjashtë vota që ai të zgjidhej presidenti i kongresit. Për më tepër, si rezultat i përpjekjeve të Khakimovit, një delegat sovjetik u zgjodh zëvendës-president i konferencës. Pasi kishte vendosur marrëdhënie të plota diplomatike me mbretin Abdulaziz, Bashkimi Sovjetik nisi në vitin 1928 një shef të ri misioni në mbretëri, Nazir Bey Turyakulov.

Shqetësimi kryesor i Londrës për ndikimin sovjetik në Xhedah ishte se po përhapte propagandë komuniste midis muslimanëve gjatë haxhit. Në të vërtetë, kjo ishte një nga idetë që Moska kishte për diplomatët e vet në Xhedah, por në realitet, misioni sovjetik pati shumë vështirësi të lidhej si me vendasit ashtu dhe me pelegrinët.

Të përballur me shumë rezistencë, diplomatët sovjetikë vendosën të fokusohen në krijimin e lidhjeve tregtare midis porteve sovjetike të Detit të Zi dhe Hixhazit. Khakimov arriti ta bindë mbretin Abdulaziz të hiqte sanksionet mbi mallrat sovjetike që ekzistonin në mbretëri për shkak të lobimit të Londrës. Në vitet 1929-1930, mallrat sovjetike vërshuan në mbretëri nga qyteti-port i Odesës. Arritja më e madhe e diplomatëve sovjetikë në Xhedah ishte qasja në tregun e kerosenit dhe benzinës që pothuajse dominohej krejtësisht nga britanikët. Bashkimi Sovjetik po ashtu dërgoi një grup mjekësh në mbretëri për t’u kujdesur për pelegrinët gjatë haxhit.

Si rezultat i përpjekjeve të Khakimov për të zhvilluar edhe më tej lidhjet me Ibn Saud-in,  djali i këtij të fundit, princi Faisal (i cili u bë mbret në vitin 1969) vizitoi Bashkimin Sovjetik gjatë turit të tij të zgjeruar europian në vitin 1932. Moska bëri gjithçka të mundur për të impresionuar Faisalin dhe grupin e tij të shoqërimit duke u paraqitur atyre arritjet e industrisë sovjetike, duke falur borxhin saudit që ishte akumuluar deri në atë kohë, dhe më e rëndësishme duke ofruar një milion paundë britanikë një ndihmë financiare, për të cilën mbreti Abdulaziz kishte shumë nevojë. Ndërsa vizitonte Azerbajxhanin sovjetik, që po kalonte në një periudhë bumi në sektorin e naftës, princi Faisal u impresionuar nga industria e naftës duke shprehur dëshirën për të pasur të njëjtën teknologji në mbretëri.

Mbreti Faisal takon sekretarin amerikan të Shtetit, Henry Kissinger në Riad në 19 mars 1975

Vizita e vitit 1932 në Bashkimin Sovjetik ishte pjesa më e dukshme e marrëdhënieve saudito-sovjetike. Mbreti Abdulaziz e përdori ofertën e Moskës për ndihmë financiare për të shtyrë Londrën të mundësonte ndihma dhe nuk e pranoi asnjëherë ofertën e BRSS-së. Nga kjo pikë e më pas, marrëdhëniet midis dy shteteve ndalën në vend. Ndërsa pushteti i Stalinit forcohej gjithnjë e më shumë, marrëdhënia midis regjimit komunist dhe vendit musliman po bëhej jo e lehtë. Në vitin 1932, Bashkimi Sovjetik ndaloi jo-zyrtarisht muslimanët e vet që të shkonin në Haxh.

Mjekët sovjetikë vijuan të punojnë në mbretëri dhe misioni diplomatik vijoi të funksiononte duke përhapur propagandë sovjetike midis sauditëve. Në vitin 1937, gruaja e konsullit sovjetik, edhe ajo mjeke, qëndroi madje me gruan e princit Faisal për disa muaj.

Pasi kaloi pak vjet në Jemen dhe në Moskë, Karim Khakimov u rikthyer në Xhedah si shef misioni në vitin 1935, duke shpresuar të rivitalizojë marrëdhënien që gjatë mungesës së tij, gati ishte ndalur.

Khakimov u përpoq të negocionte marrëveshje të reja tregtare me mbretin, mirëpo Moska nuk ishte më e interesuar. Ishte koha kur Hitleri po forcohej çdo ditë e më shumë në Europë dhe Stalini, i cili ishte skeptik për praninë e BS në rajonin e Gjirit që nga fillimi, nuk e shihte më me përfitime partneritetin me mbretin Abdulaziz. Në fakt, lënia mënjanë e të gjitha ambicjeve politike për Gjirin, ishte një gjest që Moska mendoi se do ta afronte me Anglinë, mbështetjen e së cilës e kërkonte kundër Hitlerit.

Karriera e Laurencit sovjetik të Arabisë përfundoi papritmas kur ai ra viktimë e terrorit politik të Stalinit në vitin 1937. Në shtator të këtij viti, ai u thirr në Moskë për një vizitë rutinë në Ministrinë e Jashtme, por pas arritjes, ai u arrestua me dyshimin se ishte spiun. Kolegu i tij, Turyakulov i cili punoi me të për dosjen saudite u ekzekutua në tetor 1937. Khakimov u ekzekutua në janar 1938.

Mbreti Abdulaziz u zemërua shumë nga lajmi se dy diplomatët sovjetikë të cilët ai i konsideronte miq, ishin vrarë. Dy muaj pas ekzekutimit të Khakimov në Moskë, gjeologët amerikanë zbuluan depozitat më të mëdha të naftës krudo në Dhahran. Kjo nxiti Bashkimin Sovjetik të caktonte një shef të ri misioni në Xhedah në vitin 1938. Mbreti Abdulaziz, sidoqoftë, e ktheu pas këtë emërim, duke thënë se nuk dëshironte të shihte askën tjetër përveç Khakimov apo Turyakulov në Xhedah. Ai akuzoi Moskën se kishte përgatitur një revolucion në botën muslimanë dhe ndërpreu lidhjet diplomatike me Bashkimin Sovjetik. Në shtator 1938, të gjithë diplomatët e mbetyr sovjetikë u larguan nga Xhedah dhe misioni u mbyll. Me BRSS të eleminuar si rival, Britania dhe më pas Shtetet e Bashkuara morën në dorë zhvillimin dhe shfrytëzimin e naftës saudite.

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Arabisë Saudite u rikthyen plotësisht vetëm në vitin 1992, pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Kanë kaluar 25 vjet prej asaj kohe dhe marrëdhëniet ende nuk janë zhvilluar përtej ndonjë vizite simbolike. Përpjekjet diplomatike të Karim Khakimov për të krijuar lidhje të forta dhe afatgjata midis Moskës dhe Riadit mbeten ende të pakrahasueshme.

(Analiza e mësipërme është botuar në Al Jazeera. Autori i saj Yury Barmin është ekspert në Këshillin rus të Marrëdhënieve Ndërkombëtare që mbulon Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, politikat e Moskës ndaj rajonit dhe konfliktet në Siri dhe Libi. Ai kontribuon rregullisht me analizat e tij në Al Monitor, Institutin e Lindjes së Mesme, Forumin Al Sharq si dhe në qendrën FARAS. Barmin ka master në filozofi për marrëdhënie ndërkombëtare nga universiteti i Kembrixhit.)

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/