Auto Dak
Auto Dak

REALITETE/ “Alvini”: Drejt Sirisë, nga naiviteti apo ekstremizmi? Çfarë i gënjeu ikanakët?

Çështja e Alvinit rinxorri në pah një ndër më të mprehtat e viteve të fundit, në rrafsh global, nacional, apo ngushtësisht komunitar, referuar faktit se lufta në Siri solli shumë pështjellime mes vetë popullsisë muslimane, globalisht e lokalisht, në qasjet ndaj asaj që po ndodhte atje, stacioni i fundit i zinxhirit të së ashtuquajturës “Pranverë arabe”.

Siç dihet e siç po shihet kohë pas kohë, janë kontigjente njerëzish ngamos që i janë bashkuar kauzës siriane, por ku jo të gjithë mund të futen në thesin e radikalëve, ekstremistëve, apo më keq akoma, terroristëve. Ndaj, një status i fundit i ministrit Lleshaj, që e lidh rastin e Alvinit me terrorizimin – “Alvin Berisha është një rast i trishtuar që duhet të na tregojë të gjithëve, që dhuna dhe terrorizmi mos gjejë asnjë hapësirë në shoqërinë tonë dhe këto raste të mos përsëriten më” – është në rastin më të keq një profanizëm në raport me njohjen e plotë të realiteve rreth Sirisë, e në rastin më të keq gafë e rëndë në qasjen zyrtare rreth rastit, edhe pse duhet thënë se është vërtet shokues. Sepse, si mundet që një nënë të marrë me vetë fëmijën e mitur në një zonë lufte, edhe nëse shkon atje për të luftuar? Pastaj, pse merr vetëm djalin e lë dy vajzat?

Nuk është aq e lehtë për t’ja kapur filli kësaj pune, pasi nëse ekstremizmi mund të justifikohet në ndonjë rast dhe me emotivitete të forta fetare – ndonëse në Islam ka asish rregullash të imponueshme nga pikëpamja e direktivave hyjnore që nuk të lejojnë gjykimin me emocionalitetet, e që më pak vendimarrjen nën ethe të tilla, akti i të ëmës së Alvinit shkon shumë tej aftësisë për ta shpjeguar rastin me një terminologji të kufizuar e gjykim të ngushtë. Në rastin e saj, nëse ajo i referohemi vetëm asaj çfarë raportojnë mediat mbi ikjen pa dijeninë e bashkëshortit, kjo jo domosdoshmërisht futet te ekstremizmi e aq më pak te terrorizmi si klasifikime të natyrës edhe militare.

E ndërkohë, ky është rasti për të kujtuar se jo të gjithë i janë drejtuar Sirisë atëkohë nën ndjenja ekstremiste, e kjo kur është fjala për familje që kanë marrë udhën drejt asaj toke, deri duke hequr dorë nga nënshtetësia – me grisje pasaportash – sapo kanë kaluar kufirin. E gjitha ka të bëjë me shpalljen e një kalifati – ISIS pra – që te një pjesë besimtarësh është përkthyer naivisht si krijimi i një “oazi lumturie” në këtë botë palumturie të theksuar, thënë kjo poetikisht në funksion të qartësimit se ç’naivitet ka diktuar te ata që me kuç e me maç janë ngritut për të shkuar atje, pra jo për të luftuar por për ta shijuar një shoqëri ku besimi është parësor edhe në rregullat shoqërore. Sepse, “kalif” e “kalifat”, në vokabularin islam, përkthehen si qeverisjeje model, në aspekt menaxherial e moral, që bota nuk i njeh përveçse në historinë e të kaluarës së ndritshme islame.

Mjaft të përmendet qytetërimi kordobas në Spanjën e sotme, pararendës i Rilindjes Europiane, një parajsë dhe për hebrenjtë dënuar me parehati, që ka më tepër njohje në qytetërimin tonë ku jetojmë, se ai që ka vepruar në Lindjen e Mesme për disa dekada me të ashtuquajturit “kalifë të drejtë” e disa pasues të tyre.

Pra, ridalja e një “kalifi” dhe e një “kalifati” në një kohë të mynxyrtë, ka nxitur te shumë prej ikanakëve drejt Sirisë po atë që nxit sot shumë shqiptarë t’ia mbathin drejt Gjermanisë, nën idenë se po shkojnë në një shoqëri më të mirë se ajo ku gjenden. Që do të thotë pra, se kemi të bëjmë me një naivitet që padyshim ka prodhuar drama, siç kjo e Alvinit, por që jo patjetër përkthehen si ekstremizëm i ardhur nga militantizimi fetar. Kështu që ministri Lleshaj duhet të “kafshojë gjuhën” për deklaratën e tij, ndërsa media s’duhet të jetë aq shabllone dhe sipërfaqësore në raportim dhe shpjegim situatash.

Siria, më shumë ekstremizëm, zbuloi një masë të madhe naiviteti në rrafsh komunitar. Ishte gjithashtu dhe një test, ndonëse tragjik, i mospërgatitjes së duhur për t’ju përgjigjur situatave të nxehta, si ajo në Siri, me ftohtësinë e logjikës posaçërisht fetare, pa iu dhënë emocioneve të flakta nganjëherë pa asnjë referencë fetare. Rasti Alvinit ishte leksioni më i gjallë për këtë. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts