Reagon IKD: Qeveria tejkaloi Kuvendin me vendimin për pagat e gjyqësorit

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka reaguar pas ngritjes së pagave me 300 euro për 74 gjykatësit e Departamenteve të Krimeve të Rënda për vitin 2016.

IKD fillimisht shpreh shqetësimin se kjo formë e kompensimit dhe stimulimit të gjykatësve bëhet në kundërshtim me dispozitat ligjore, duke vazhduar precedentin e mbrapshtë të krijuar me shtesat e prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas IKD-së, kjo praktikë krijon pasiguri juridike për gjykatësit dhe prokurorët për të ardhurat e tyre, duke ndërtuar standarde, përmes së cilave cenohet rëndë pavarësia e sistemit gjyqësor dhe prokurorial. IDK shprehet se përmes kësaj forme bëhet nënshtrimi i pushtetit gjyqësor karshi ekzekutivit duke parashtruar kërkesa dhe duke aprovuar ato në mënyrë të kundërligjshme.

IKD vlerëson se Kërkesa e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Vendimi i Qeverisë së Kosovës, bien në kundërshtim me një mori të praktikave dhe standardeve ndërkombëtare që aplikohen drejtpërdrejtë në Kosovë.

“Cenimi apo shkelja e këtyre praktikave dhe standardeve nga Vendimi i Qeverisë, nënkupton shkelje të Kushtetutës dhe parimeve bazë për ruajtjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor në Kosovë.

Po ashtu kërkesa e KGK-së dhe Vendimi i Qeverisë është në kundërshtim me frymën e ligjit për KGJK-në, i cili ligj është ndryshuar dhe plotësuar nga Kuvendi i Kosovës në korrik 2015, me qëllim të ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit të garantuar me Kushtetutë, duke paraparë që kërkesa për buxhet nga KGJK të drejtohet drejtpërdrejtë në Kuvendin e Kosovës, duke tejkaluar Qeverinë”, thuhet në kumtesë.

IKD thotë se vendimi i Qeverisë në rastin konkret tejkalon Kuvendin e Kosovës, duke marr ë kompetenca dhe përgjegjësi që me ligj i takojnë legjislativit, në rastin konkret Parlamentit./tesheshi.com/

Related posts