728 x 90 Leaderboard

Reagime për ligjin e shqipes në Maqedoni, vetëm VMRO-ja kundër

Me 69 vota pro, asnjë të përmbajtur dhe asnjë kundër, Kuvendi i Maqedonisë pas disa dështimeve, arriti që t’i japë dritë jeshile ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi thotë se pas miratimit të këtij ligi, radhën e ka presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, për ta dekretuar ligjin brenda afatit 10 ditor.

Deputetët e partive shqiptare përpara votimit të ligjit për gjuhët shprehën optimizmin e tyre për miratimin e tij. Sipas kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, votimi i këtij ligji ishte i pritshëm, siç ishte edhe mospjesëmarrja e opozitës VMRO-DPMNE-së në votim.

Unë mendoj se nuk ka asnjë arsye të mos mbështetet nga partitë, dhe atë nga të gjitha partitë, përveç opozitës më të madhe maqedonase, e cila nuk merr pjesë në punimet e parlamentit”, u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Aleancës për Shqiptarët tha se meritat për këtë ligj iu takon shqiptarëve dhe kryetari i kësaj partie tha se ligji për gjuhët është në të mirë të Maqedonisë.

“Është ligj i cili e pasuron Maqeoninë. E bën më të drejtë, e bën më të barabartë, qytetarët i bën më gjithëpërfshirës”, tha Ziadin Sela, deputet.

Grupi parlamentar i Lëvizjes BESA, sipas deputetit Nexhbedin Karemanit, funksionon i bashkuar  kur bëhet fjalë për ligje që e ndihmojnë Maqedoninë në rrugën e saj eurointegruese.

Por kundër ligjit ishte opozitarja VMRO-DPMNE-së. Në një reagim me shkrim, sjellja e ligjit për dygjuhësi, siç e quajnë nga kjo parti, është antikushtetues. Në shenjë revolte për miratimin e ligjit, një grup i vogël qytetarësh protestuar përballë Kuvendit të Maqedonisë.

“Me këtë qeveria tregoi se akti më i lartë ligjor, Kushtetuta për të është vetëm një fjalë e vdekur në letër. Ky ligj është sjellë me mashtrime, përkatësisht nën hijen e flamurit evropian, me çka u keqpërdorën procedurat për sjelljen e ligjeve të cilat janë në interes të procesit të eurointegrimit të vendit. Pushteti duhet të mbajë përgjegjësi për këtë manipulim me qytetarët”, nga VMRO-DPMNE.

Për këtë kanë reaguar nga maxhoranca LSDM, nga ku mohojnë se ligji i ri e shkelë Kushtetutën vendit.

Ligji përmban 25 nene dhe parashikon që gjuha shqipe të flitet në të gjitha organet e pushtetit qendror dhe lokal. Me këtë ligj do ketë ndryshime edhe në kartëmonedha, në uniforma të policisë, të shëndetësisë, zjarrfikësve, në ato komuna ku shqipja përbën të folurën e 20 përqindëshit të popullatës. Gjithashtu përdorimi i shqipes parashihet edhe në procedurat para noterëve dhe para përmbarueseve si dhe në komisionin shtetëror zgjedhor.

Ky ligj konsiderohet tërësisht kushtetues, duke mos kontestuar asnjë nen përkatës, vlerëson Osman Kadriu, gjykatës i sapozgjedhur në Gjykatën Kushtetuese.

Reagime kanë ardhur edhe nga Shqipëria dhe Kosova. Kryeministrat shqiptar Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, në faqen e tij zyrtare në Facebook e përshëndeti këtë dhe shkroi se ligji për gjuhët e forcon Maqedoninë.

Miradie Hasani /tesheshi.com/

 

 

Related posts