Auto Dak
Auto Dak

Reagime akademike kundër hapjes së Universitetit të Ferizajt: bëhet për interesa politike dhe nuk i shërben cilësisë së arsimit

Nga Bashkim Kastrati

Përkundër kritikave të shumta se mungon cilësia edhe në Universitetin Publik të Prishtinës, qeveria ka vazhduar që ta hapë edhe universitete tjera publike, si në Pejë, Prizren, Gjilan dhe në Gjakovë. Edhe përkundër raportimeve të shumta për mungesë të cilësisë në këto universitete të sapo hapura, ku kishte edhe asistentë me diplomë bachelor, qeveria po vazhdon të marrë vendime për të hapur universitete të tjera. Së fundi ka marrë vendim që të hapë edhe universitetin publik të Ferizajt.

Komisioni për Arsim i Kuvendit të Kosovës, ka dërguar në Kuvend vendimin e Ministrisë së Arsimit për ndërtimin e një Universiteti publik në Ferizaj.

Anëtarët e Komisionit përkrahen këtë vendim por pati edhe kundërshtime nga ana e opozitës duke e quajtur të panevojshëm themelimin e një Universiteti publik në Ferizaj, pasi nuk mund të akreditohet një fakultet i cili nuk ka cilësi dhe nuk i plotëson kushtet.

Hapja e Universitetit të Ferizajt ishte një premtim publik i ish-kryeministrit Thaçi gjatë fushatës së fundit elektorale, se Ferizajn do ta bëjë me universitet. Në fakt edhe universitetet e lartpërmendura janë krijuar pas premtimeve elektorale të ish-kryeministrit Thaçi.

Njohës së çështjeve të arsimit kanë thënë se hapja e këtyre universiteteve po bëhet për interesa politike dhe si të tilla nuk i shërbejnë cilësisë së arsimit në Kosovë, përkundrazi e dëmtojnë atë, sepse i njëjti staf duhet të angazhohet në disa universitete dhe rrjedhimisht bie cilësia.

Kosova nuk ka kuadro të mjaftueshme për hapjen e shumë universiteteve publike, kjo për faktin se kur ka ekzistuar vetëm Universiteti i Prishtinës, cilësia nuk ka qenë në nivel dhe ka pasur mungesë të kuadrove për disa fusha.

E nëse me gjithë këtë staf që ka pasur UP-ja nuk është arritur të ketë cilësi të arsimit të kënaqshëm, si do të ketë cilësi nëpër universitetet e reja të sapo hapura?

Gjatë gjithë këtyre viteve universiteti publik ka qenë në shërbim të partive politike, duke pasur prioritet interesat politike e jo cilësinë. Në këtë aspekt UP-ja ka mbetur shumë e varfër sa i përket kërkimeve shkencore, pasi që edhe ngritjet akademike janë bërë me favorizime dhe përmes botimet të “hulumtimeve” shkencore në revista të rremë, siç ishte rasti i ish-rektorit Ibrahim Gashi.

Në Universitetin e Prishtinës, që ka 16 Fakultete, të cilat përbëhen nga 80 departamente, botohen vetëm gjashtë revista shkencore, të cilat nuk plotësojnë kriteret ndërkombëtare të revistave shkencore. Këto revista nuk kanë arritur që të marrin kode ndërkombëtare të revistave shkencore, por kanë marrë vetëm kode nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës.

Hapja e universitetit të Ferizajt nuk i shërben zhvillimit të arsimit të lartë

Dukagjin Pupovci, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe Drejtor i Qendrës për Arsim e Kosovës, merret që shumë vite me zhvillimin dhe cilësinë e arsimit në Kosovë. Ai ka thënë për tesheshi.com se hapja e Universitetit në Ferizaj është thjeshtë, përmbushje e premtimeve parazgjedhore dhe kënaqje e ambicieve të klasës politike të Kosovës, e jo nevojë ose hap që i shërben zhvillimit të arsimit të lartë.

Ai thotë se të qenit pjesë e Universitet të Prishtinës nuk e ka penguar asgjë Fakultetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj që t’i zhvillojë  dhe t’i përshtatë programet e veta të studimeve me nevojat e tregut të punës.

“Përkundrazi, ja ka shtuar vlerën e diplomës, pasi UP-ja, me të gjitha problemet, vazhdon të jetë institucioni më prestigjioz në Kosovë. Fakti se ky fakultet është tani universitet nuk e ndihmon aspak në këtë drejtim, përkundrazi e ngarkon me administratë dhe me kërkesa të cilat ka vështirë t’i menaxhojë si duhet pa bërë improvizime që nuk do të duhej bërë në arsimin e lartë”, thotë Pupovci.

Profesori Pupovci thotë se Kosova është tepër e vogël për një numër kaq të madh të institucioneve të arsimit të lartë. Ai thotë se me hapjen e Universitetit në Ferizaj janë gjithsej 36 syresh ose rreth 20 për një milionë banorë që i tejkalon shumëfishë parametrat evropianë.

“Vendet e zhvilluara evropiane kanë prej 2-5 institucione të arsimit të lartë në një milion banorë, ndërsa në rastin tonë, model është marrë Shqipëria ku e dimë se çfarë problemesh ka arsimi i lartë”, theksoi Pupovci.

Hapja e universiteteve publike dëmton cilësinë në UP

Pupovci thotë se asnjëri nga universitetet publike në Kosovë nuk e plotëson kushtin ligjor për të qenë universitet, sepse nuk ofron, jo pesë programe të doktoratës siç parasheh ligji, por asnjë të vetëm.

Sipas tij, nuk mund të funksionojë universiteti me 15, 20 apo 30 mësimdhënës të rregullt, ndërsa shumica të jenë bashkëpunëtorë të jashtëm, në këto raste profesorë nga UP-ja.

Vet Universiteti i Prishtinës ka mungesë të theksuar të kuadrit akademik dhe nëse profesorët e këtij universiteti mbajnë mësim në dy, tri apo katër institucione të tjera, atëherë cilësia është probleme dhe në UP edhe në ato institucione”, u shpreh Pupovci.

Ai tutje thotë se është për t’u habitur se si vjen në shprehje mentaliteti lokalist me rastin e hapjes së këtyre universiteteve.

“Thonë ‘regjioni ynë ka nevojë për një universitet’, duke sugjeruar që të rinjtë nga ai regjion duhet të studiojnë pikërisht aty. Ka njëzet vjet që në botë flitet për globalizimin e arsimit të lartë, për ndërkombëtarizimin e tij, ndërsa ne u themi të rinjve se mund të studiojnë në lagjen e vet, në vend se të ju krijojmë kushte të bashkëveprojnë sa më shumë me të tjerët. Kjo është qasje e gabuar për një vend të vogël ku arsimi i lartë nuk ka ndonjë traditë të gjatë dhe ka nevojë për të punuar shumë në ngritjen e cilësisë së tij”, ka thënë profesori Pupovci.

Nuk i plotëson as kushtet ligjore për tu quajtur universitet

Jusuf Thaçi njohës i fushës së arsimit në Kosovë, ka thënë për tesheshi.com se hapja e Universitetit të Ferizajt është i panevojshëm dhe nuk plotëson asnjë kriter për të qenë universitet. Thaçi që është edhe themelues dhe udhëheqës si projektit “Atomi”, i cili merret me fëmijët me inteligjencë të lartë, tregon arsyet që sipas tij ky universitet nuk duhet të hapet.

“Mendoj që hapja e universitetit publik në Ferizaj është vendim jo i duhur për disa arsye, së pari, ai institucion nuk i plotëson kushtet ligjore për tu quajtur universitet, së dyti, ai institucion vështirë se ka personel akademik, infrastrukturë e financa për të qenë kolegj e lëre më universite, së treti, Ferizaj është qytet shumë afër Prishtinës dhe nuk ka pasur fare nevojë për universitet dhe së katërti, ky universitet, si edhe të gjitha universitetet publike të hapura kohëve të fundit në pesë regjionet tjera të Kosovës, do të përcillet me probleme dhe vështirësi të mëdha për shkak të mungesës së personelit akademik të kualifikuar, mungesës së infrastrukturës së nevojshme dhe mungesës së mjeteve financiare dhe rrjedhimisht cilësia e studimeve do të jetë shumë e dobët”, thotë Thaçi. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts