Rashiti nga Gjilani: Një imam “high definition”


Rashit Zylfiu është imam në Xhaminë Kodra e Dëshmorëve në Gjilan. E veçanta e tij është se ka vendosur të shfrytëzojë të gjithë trendin e teknologjisë audiovizuale për të komunikuar me njerëzit, për t`i ftuar ata të besojnë, siç ia do dhe zanati, e të jetojnë sipas parimeve të besimit. Pra, tek ai standarti “high definition” është tërësia e formës së kumtimit që ka zgjedhur, ku arti televiziv të përputhë përsosmërisht fjalën me figurën.    

Intervistoi: Drilon Sylejmani

12108213_888212044577581_466507068205768020_n

Hoxhë Rashidi, pse e zgjodhët këtë formë ndryshe të të kumtuarit?

Jo rastësisht, Kur’ani u zbrit në gjuhën e pastër arabe. Një gjuhë e cila në vete bart shumë sekrete që shpesh herë i mahniti edhe njohësit më të mirë të saj. Nuk ka dyshim se qëllimi ishte për tu përçuar mesazhi i Zotit në gjuhën më të pasur të botës.  Shpeshherë, koha na detyron që ne të hulumtojmë dhe të perzgjedhim stilin e gjuhës, pamjes vizuale se si ne mund ti përçojmë thesaret e mesazhit hyjnor tek njerëzit, tek populli të cilit i shërben.

Cilat janë elementët që përmbajnë video-mesazhet që ju i transmetoni ?

Çdo video në vete përmban tri elemente: target grupin, shumëllojshmërinë edhe minutazhin e shkurtër. Grupi i të targetuarve janë ata të cilëve u kanë munguar mesazhet apo që kanë qëndruar larg për ta dëgjuar ndonjëherë një këshillë apo mesazh hyjnor. Ne jemi munduar që atyre t’jua ofrojmë në mënyrën më të lehtë këto mesazhe për ti kuptuar. Jeta dinamike ka bërë që shpeshherë ne të mos kemi mundësi për ti dëgjuar apo për t`i parë ligjëratat dhe kjo sadopak e përçon mesazhin e vet edhe pse nuk i zëvendëson ato.

Interesante ishte edhe elementi i minutazhit të shkurtër….

Minutazhi e shkurtër e bën më të lehtë që njerëzit të kuptojnë mesazhin dhe ta kursejnë kohën. Për atë arsye kemi vendosur që këto video t`i realizojmë brenda një minutazhi të caktuar kohor.

Në videot tuaja paraqiten disa nga bukuritë e Kosovës dhe Shqipërisë. Është një tjetër element ky që e forcon video-mesazhin?

Kemi mjaft vende të bukura si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, përse t`i mos promovojmë ato, qoftë edhe në forma të tilla.

Keni filluar me një temë mjaft interesante realizimin e këtyre videove: “Kush je ti”…

Njeriu nuk mund të njohë asgjë në botën që e rrethon, nëse ai nuk e njeh vetën e tij. Njohja e vetes ia mundëson ta njohë Krijuesin e vet dhe i jep mundësinë të krijojë ura të komunikimit me të tjerët. Thjesht Islami e bën njeriun njeri!

Çka simbolizon shenja?

Shenja çdo herë tregon kahjen e duhur ose rrezikun e moskuptimit të drejtë të mesazheve. Shenja është një ide e cila në të ardhmen synon të prodhojë dokumentarë, video të formës së tillë që jemi duke i punuar tani, emisione me një freski, pamje më ndryshe nga ato që jemi mësuar të shohim deri më tani.

Në përpunim është edhe një sajt, ku audienca mund të gjejë edhe mund të njoftohet më lehtë për projektet tona. Është një grup i profesionistëve që po përkujdeset për pamjet vizuale dhe elementet e tjera që e plotësojnë një video-dokumentar.

Shenja TV është e hapur për gjithë ata të cilët sjellin ide, kreativitet. Gjithashtu ofron edhe shërbime për  ata të cilët dëshirojnë të bëjnë diçka më ndryshe. Jemi të hapur edhe për gjitha ato mediume të cilat dëshirojnë t`i transmetojnë prodhimet tona.

/tesheshi.com/