Rama zbardh vitet e krizës me Greqinë kur dhe u mallkua nga Kisha: ja pse qëllimisht i ngritëm tensionet

Kryeministri Rama ka zbardhur të vërtetën e raporteve të acaruara me Greqinë përgjatë mandatit të parë të qeverisjes së tij, ku u arrit deri në pikën që u mallkua nga një prift ortodoks.

Sipas shpjegimit të kryeministrit, gjithçka ka qenë një skemë e mirëmenduar, dhe e imponuar natyrisht, për të arritur deri në momentin e sotëm kur Athina është detyruar të ulët në tavolinë me Tiranën, për të bërë një tjetër marrëveshje detare apo hequr ligjin e luftës.

Dhe e gjitha kjo sipas Ramës, ka patur si moment vendimin e Greqisë për të kërkuar naftë në zonën detare mes dy vendeve, aty nga viti 2015.

Rama tha se deri atë çast, kur qeveria e tij ka reaguar me notë verbale, qeveria greke as që donte t’ja dinte për vendimin e Gjykatës Kushtetuese shqiptare.

Shpjegimet e Ramës u bënë gjatë intervistës së tij në Zona e Debatit në Klan Kosova.

“Ne jemi në një situatë ngërçi prej disa vitesh me Greqinë, si pasojë e faktit se një marrëveshje e firmosur mes qeverisë së Shqipërisë, asaj të shkuarës, dhe qeverisë së Greqisë, asaj të shkuarës, është konsideruar antikushtetuese.

Ka qenë viti 2015, kur pasi pala greke ka hapur një procedurë tenderimi dhe lidhje kontrate me dy kompani për shpime në zonën naftëmbatjëse, ne kemi kërkuar me një notë verbale të Ministrisë së Jashtme pezullimin e menjëhershëm të këtij procesi, bazuar në të drejtën ndërkombëtare që për sa kohë ka një kontest për ujra detare mes dy vendeve, asnjëra palë nuk ka të drejtë të eksplorojë për llogari të veta.

Dhe ky ka qenë momenti, mendojmë ne, ku pala greke ka filluar të reflektojë mbi faktin se nuk mundte dot të impononte në mënyrë të njëanshme, ekzistencën e një marrëveshjeje që për ne ishte dhe është nul.

Atëherë, çfarë ne kemi bërë ka qenë një proces i vështirë; ne kemi ngritur tensionin me palën greke, jo se kemi dashur të ngrejmë tensionin, por sepse nuk kemi pranuar të mbyllim sytë apo të heshtim, qoftë përballë këtij problem serioz që ka të bëjë me integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, qoftë përballë problemit që lidhet me çështjen çame dhe të drejtat e shqiptarëve që i takojnë atij komuniteti, qoftë me çështjen e ligjit të luftës që është një problem serioz që prej shumë vitesh ka implikime të drejtpërdrejta në drejtat e pronës e kështu më radhë…”, deklaroi shefi i ekzekutivit shqiptar.

Pra, siç mund të kuptohet nga ajo që pohon Rama, e gjitha ka qenë një strategji diplomatike e shtrirë në kohë, për ta detyruar Athinën  që të ulet në tryezë. Opinioni shqiptar mbeti i befasuar nga ndryshimi i gjuhës dhe i kursit të Tiranës me Athinën nga e Ramës, por sipas shpjegimeve të tij, kjo ka qenë e vetmja mënyrë për t’i ndryshuar gjërat: në fillim kërbaç e më pas kulaç! /tesheshi.com/

 

 

Related posts