Rama shfaqet i trishtuar me politikën kosovare: po luan papjekurisht me Perëndimin

Kryeministri Rama i është kushtuar Kosovës gjatë një interviste në RTSH. Përballë gazetarit Lutfi Dervishi në “Përballjen” e tij, Rama u shfaq i trishtuar për sjelljen e politikës kosovare, sidomos me Demarkacionin të cilin Europa ia kërkon me ngulm, edhe si kusht për Vizat, deri në pikën sa ta llogarisë si një plangprishëse.

“Kosova plangprishëse e Perëndimit? Është rrezik i madh, që ata që lindën shtetin e Kosovës, duke krijuar një shtet të paimagjinueshëm deri në 11 vite më parë të humbasin durimin dhe dëshirën për të vazhduar të kujdesen për rritjen e këtij shteti.  Partnerët e Kosovës kanë lëshuar dy herë rrufe në qiell të hapur. Sa i takon demarkacionit, unë jam i sigurt që do zgjidhet, por duhet të zgjidhet shpejt, pasi në të kundërt, do të rritet kostoja e faturës që do rëndojë mbi supet e Kosovës”, tha Rama.

Sipas tij, klasa politike kosovare po tregon papjekuri me kosto të lartë.

“Unë kam preferuar që bisedat me miqtë e mi t’i bëj të hapura dhe sy më sy. Nëse e kam thyer këtë qëndrim, e kam bërë sepse besoj shumë fort që po ndodh diçka që rrezikon Kosovën. Liberalizimi i vizave është një domosdoshmëri. Vendosja e liberalizimit të vizave si kusht, ndërsa Serbia nuk ka zgjidhur asgjë në lidhje me kufirin për Kosovën, lë shumë vend për diskutim, por përtej kësaj bëhet fjalë për një shfaqje papjekurie që Kosova nuk e ka luksin ta japë në sytë e partnerëve tanë që ndihmuan në lindjen e shtetit të Kosovës”, theksoi shefi i ekzekutivit të Tiranës. /tesheshi.com/

Related posts