Rama “ngre supet” për Tahirin, flet për Visho Ajazin: përse e meriton postin në NATO

Për herë të parë pas ditësh nga një e dhënë tjetër kompromentuese për ish-ministrin Tahiri – dy patenta të tij skafi në një automjet me mbi 800 mijë euro cash brenda – kryeministri Rama ka folur për këtë rast, por me një “ngritje supesh”

“Për çfarë duhet të prononcohem unë. Kjo është një çështje që i takon ekskluzivisht Prokurorisë, nuk më takon mua, nuk i takon qeverisë, nuk i takon PS. Jam konsekuent të atë që kam bërë gjithmonë, kam thënë që në ditën e parë që është drejtësia që duhet të na thotë të vërtetën. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, kjo është një çështje që i takon Saimir Tahirit dhe avokatëve të tij, unë nuk jam avokat i Tahirit, as qeveria dhe as PS nuk është avokat i tij. Përpara drejtësisë duhet të sillemi të gjithë si të barabartë. Ndërkohë nga ana tjetër, sigurisht kam parë dhe kam dëgjuar, por as kam parë dhe as kam dëgjuar asnjë përpjekje për një shpjegim racional për këtë çështje nga ata që kanë të drejtën dhe detyrën të flasin që janë njerëzit e medias. Nuk i takon politikës sipas meje që të futet në mes, aq më tepër kur rasti është i tillë”, tha Rama i ftuar në “Studio e Hapur” të Eni Vasilit.

Por nëse Tahiri rezulton i përlyer në afera, nga hetimet sigurisht, Rama tha se kjo do kishte qenë historia më e turpshme e PS që nga themelimi.

Gjithashtu, Rama ka sqaruar dhe atë çfarë ka ndodhur me Visho Ajazin, dorëheqjen e tij nga drejtimi i SHISH, e më pas propozimin si ambasador në NATO. Rama hodhi poshtë aludimet për marrëveshje dhe tha se Ajazi prej kohësh i kish kërkuar mbështetje për një pozicion në NATO, ndërkohë që teksti i dorëheqjes ishte model. Në gjykimin e Ramës, një shef shërbimesh sekrete nuk duhej lënë rrugëve, por duhej respektuar duke iu besuar një pozitë shtetërore. Duke vlerësuar një tjetër demokrat të emëruar si ambasador prej tij në NATO, Leonard Demin, për të cilin tha se e kishte kryer detyrën në mënyrë të shkëlqyer, Rama shprehu të njëjtin besim dhe për Visho Ajazin. /tesheshi.com/