728 x 90 Leaderboard

Rama “ndez” Turbinën: vlerëson Zogun e akuzon Enverin, për Teatrin Kombëtar

Kryeministri Rama ka përuruar në mbrëmjë kompeksin e ri teatror “Turbina”, ku ka shfrytëzuar rastin për t’iu përgjigjur atyre që refuzojnë shembjen e godinës ekzistuese të TK-së, për t’u ndërtuar një ri. Për Ramën, ajo godinë është një vatër kulture e degraduar. Në këtë pikë, ai bëri dhe pak histori, ku vlerësoi Zogun e akuzoi Enverin, në lidhje me qasjen e tyre ndaj Teatrit Kombëtar.

“Mbreti Zog e kishte në planet e tij tamam aty ku janë sot bustet e vëllezërve Frashëri, përballë Piramidës, por nuk pati kohën në dispozicion për ta përfunduar. Regjimi komunist e përfundoi në 1946 ngrehinën e nisur në 1938 për të qenë vatra e kulturës shqiptaro-italiane për të cilën bëhet sot gjithë zhurma, që pa pikë dyshimi përbën një moment kulmor në historinë e estradës politike të Shqipërisë. 

Në 45 vite të ekzistencës së vet, ai regjim ndërtoi Operan dhe Galerinë e Arteve Figurative, ndërsa Teatrin Kombëtar e futi dhe e harroi gjithmonë në kompleksin e ndërtuar nga italianët. Shqipëria ka mbetur sot e gjithë ditën i vetmi vend në Europë dhe rajon pa një skenë të denjë të Teatrit të vet Kombëtar”, tha Rama.

Më pas, ai iu drejtua asaj pjese të komunitetit teatror që refuzojnë shembjen e ndërtimin e një të riu, duke iu bërë me dije se nuk mund të kenë pronësi mbi godinën.

“Një teatër publik dhe aq më tepër një teatër kombëtar, nuk është prona private, prona ekskluzive e aktorëve dhe regjisorëve të momentit, por është një mjedis i krijuar për publikun. Kur flitet për godina, nuk janë aktorët dhe regjisorët por janë arkitektët, planifikuesit dhe natyrisht edhe debati me aktorët dhe regjisorët për si të jetë më e mirë godina është e domosdoshme, por nuk ka debat a duhet a nuk duhet”, theksoi kryeministri. /tesheshi.com/

 

 

 

Related posts