Rama, mesazh Athinës: Për detin mbrojmë interesat kombëtare

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në konferencën për mediat me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç u ndal edhe tek marrëdhëniet me Greqinë.

Në fjalën e tij Rama theksoi se Shqipëria ka një histori të gjatë të fqinjësisë së mirë me Greqinë dhe se përplasjet e ditëve të fundit nuk janë tregues i tensionimit të marrëdhënieve.

Por sipas Ramës çështja e detit është çështje me interes kombëtar dhe siç tha ai qeveria shqiptare nuk e negocion intersin kombëtar.

Lidhur me deklaratat e zyrtarëve grekë për dorëheqjen e Dules nga nënkryetar i Parlamentit, dhe vendosjen e Shpëtim Idrizit si nënkryetar, Rama tha se as Athina dhe asnjë kryeqytet tjetër nuk mund të ndërhyjë në emërimet e qeverisë së një vendi sovran, të dalë nga zgjedhjet demokratike.

“Me Greqinë kemi një marrëdhënie të gjatë të fqinjësisë së mirë, partneritet strategjik dhe nuk kemi absolutisht asnjë lloj problemi me qeverinë e Athinës. Unë e kam uruar kryeministrin Tsipras, e kam ftuar për vizitë në Tiranë, do të isha i lumtur të vizitoja Athinën. Nuk shoh asnjë arsye në botë që as Athina dhe as qarqe mendimtarësh në Tiranë të çuditen pse shteti shqiptar kërkon nga autoritetet greke bazuar në praktikat rutinore, informacion për kërkimet në det. Ndërkohë që nuk është sekret dhe nuk ka filluar me qeverinë e re të Athinës përpjekja jonë për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për të zgjidhur një çështje që është e intereresit kombëtar. Ne duam të vijojmë bashkëpunimin e nisur edhe në të shkuarën. Kemi zgjidhur problemin e vjetër të toponimeve dhe kemi mbajtur hapur kanalin e dialogut në lidhje me çështjen e detit. Ne nuk kemi ndërmend ta negociojmë interesinn kombëtar me pretedimin e një fqinjësie të mirë. Ne nuk jemi zotuar të mbyllim sytë për një problem që nuk e krijuam ne dhe nuk e ushqejmë ne. Sa i përket nënkryetarit të Kuvendit, nuk e imagjinoj dot që Athina apo kushdo kryeqytet tjetër duhet të na tregojë ne se si duhet të operojë dhe ky është një problem artificial.” tha Rama